Nga Agron Gjekmarkaj
Pak muaj më parë për çudi të madhit Zot, Kryetari i Kuvendit i frymëzuar nga një “krenari kombëtare” izolacioniste si në kohet e vjetra i që përveshur Holandës me qortime moraliste !! Ishte koha kur një grup faktmbledhës i parlamentit holandez po merrte kontakte në vend mbi të cilat do të informonte qeverinë e vet mbi vendimet që ajo duhej të merrte ndaj procesit të integrimit!
Gjuha ishte ajo që Partia ku Ruçi pat shërbyer si Sekretar i Parë në Tepelenë përdorte ndaj shoqërive borgjezo-revizioniste, të krimbura nga droga dhe tamahqarllëku i grave të përgjithshme e denjë për rapsodët ideologjik të Salarisë ! U tha, veset i gjetëm në mesin tuaj, kanabisin, krimin e lezetet e mishit! Madje kur i shqiptoi me zë kumbues, pa nja dy a tri herë në drejtim të kamerës plot zenit si për të thënë, ja se kush ju bën terbiet ju !! Të shumtë ishin ata që pyesnin ky Ruçi që e mban veten për namuzqar e zamanli si nuk e ngri zërin kur, Ati i Rilindjes fshinte profesorët e shkolluar në perëndim dhe në vendin e tyre caktoheshin dordomuzë me precedent penal për në Kuvend e bashki, ku bashkë me kumbare e vëllamë të hurit dhe litarit u punon qindin zgjedhjeve, duke blerë, shitur e dhunuar dinjitetin e qytetarit shqiptar! Po kaq të tjerë mendueshëm pëshpëritnin pse Ish-ministri i brendshëm i diktaturës , nuk i qortoi pasardhësit të dalë nga organizata e Rilindjes, kur vendi mbushej e mbushet me kanabis duke u shndërruar në projektin politik me kriminal ne historinë e shtetit dhe të Europës?!
Ndonjë pikëllueshëm pyet pse Kryeparlamentari nuk sokelliu kundër paralizimit të shtetit të së drejtës, mungesës së gjykatave themelore!! Kureshtaret të cilëve dhembi u shkon tek xhepi të murrëtyer thonë pse shoku Gramoz nuk u ngrit asnjëherë kundër plaçkitjes së ekonomisë, koncesioneve dhe qareve të cilat rrjedhin e pikojnë prej tyre?! Prej muajsh vendi është zhytur në më të rënden e krizave ! Qeveria me këmbëngulje despotike ja ka dalë të detyroje opozitën të dalë nga sistemi sepse aty brenda ka vdekur fjala dhe vendin e tij e ka zëne korrupsioni i veshur me kërcenim!! Shoku Gramoz me eksperiencën e gjatë politike, nuk ka dëshmuar asnjë tolerancë, asnjë përpjekje për zbutur gjuhën e urrejtjes e gjetur një zgjidhje !! Përkundrazi dyfekun me gjalmë , brucën mbi supe dhe në llogore zjarr e helm kundër gjysmës se shqiptareve se paku!! Po ama kundër Holandës që hazër xhevap, me trim se këshilltaret e Hekalit para gjermaneve!
Holandezet e ngratë të cilët e kanë të fortë instinktin e institucioneve dhe te demokracisë, të lirisë që pranon shume ideologji dhe jo lirinë e ideologjisë së vetme, besimin e kontrollit të shtetit mbi krimin dhe jo të krimit mbi shtetin, qe nuk i vjedh zgjedhjet por i bën ato demokratike, që me gjykata te pavarura jep drejtësi pa urdhër të Kryeministrit, që opozitën nuk e trajton si “armikun e popullit” por si ndërgjegjen e tij po i kërkojnë qeverisë shqiptare pikërisht të ndërtojnë mbi ketë tokë diçka minimale që tu ngjajë shteteve të tjera të kontinentit ! Paskëtaj t’i thonë aferim hajde ti hapim negociatat!! Çudia s’ka te sosur , Kryeministri vazhdon e thotë sikur bë propagande në Mbrostar apo Shijak që nëse Holandezet thonë jo qenka problemi atyre dhe jo i yni!
Ky është leksioni i tij i madh etik i mullixhiut që bluan kanabisin e Rilindjes ndaj Vendit të mullinjve! Një ditë nëse nuk rebelohen njerëzit ndaj fyerjes së inteligjencës ketë mund ta bëjnë zhapikët, bullaret, lopët, kuajt etj!!! Sigurisht nuk është deklarata hijerënde e plot zulme e Ruçit ajo që i nxit Holandezet të jenë kaq qejfprishur e zemërthyer me “po-në” ndaj Shqipërisë, por mënyra si Rama dhe Ruçi me sejmenë e kanë qeverisur, veshur e mbathur vendin sebashku me çiripupët e tyre të cilët dinë çdo hile dhe urrejnë çdo rregull teksa dashurojnë çdo përfitim!! Pas 9 kushteve turpëruese që vuri Gjermania për Edi Ramën edhe Holanda duket sikur po hedh ujë në entuziazmin e shoqërisë shqiptare për integrim! Vuajtjet historike të saj e meritojnë hapjen, qeveria aktuale kurrsesi jo! Por në fund qeverisë i intereson propaganda për Europën dhe jo ajo vetë sepse vetëm kështu dominohet pashallëku ku pushteti , fitimi dhe korrupsioni mbeten absolut !!! Integrimi e relativizon absolutizmin po ne s’ka ç’na duhet Europa , le të na rroje shoku Gramoz dhe shoku Edi që hedhun valle në goje të ujkut! Ata janë fesi i duhur për kokat tona më qoshe!!!
*Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.