TRI KOHË ME OSJEN

E Enjte, 03 October 2019 17:07

NGA QEMAL SAKAJEVA

Koha e parë i përket ideve.

Njohja me Ahmet  Osjen nuk ndodhi “me një cigare duhan”, sepse ai nuk tymos. Nuk ka pasur as ndonjë rast të veçantë për t’u mbajtur mend. Ndoshta mund të ketë qenë takim i njëkohshëm me disa vetë në fillim të viteve ’80-të të shekullit të kaluar, ku biseda e përbashkët përpjesëtohet për të gjithë. Por tjetërçka mbeti e fiksuar përgjithmonë më pas. Në një kohë të pacaktuar, Ahmeti zbriste te Stacioni i Trenit dhe ndalesën e parë në Tiranë e bënte te zyra në gazetën Bashkimi. Hapte derën, futej papritur duke buzëqeshur dhe zinte vend te kolltuku i caktuar për miqtë. Thuajse asnjëherë nuk iu përgjigj ftesës për kafe.“Kam mjaft energji. Le të bisedojmë”, thoshte. Më shumë se pasjen e energjive të majftueshme linte të kuptonte se nuk ishte njeri i klubeve dhe ajo që i interesonte ishte bashkëbisedimi i vrullshëm dhe i thellë.

Përgjithësisht njeriu krijon mënyrë vetjake të bisedimit. Duke u shfaqur rregullisht asisoj fillon e portretizohet. Ahmetit i shfaqet lehtësisht individualiteti: gjatë bisedës të vështron në kokërdhok të syrit pa e shmangur vështrimin,  rrok tema të rëndësishme,  i gurgullojnë mendimet, aryetimi dhe argumentet rreth çështjes. Ai shtjellon rrjedhshëm, natyrshëm, paksa me pasion dhe me të folur të qartë. Por për të lënë shenjë te bashkëbisdeduesi përdor një formë ngulitjeje për çdo rast. Fut dorën në xhepin e xhaketës, nxjerr një letër dhe me stilolaps shkruan disa fjalë të kursyera e krijon skema  të thjeshta në ndihmë të shpjegimit dhe rrënjosjes më mirë në kujtesë. Njerëzit e shkolluar marrin kulturë të përgjithshme dhe profesionale, por idetë e bisedave me Ahmetin rrotullohen përgjithësisht në tri çështje: kombi, shkolla dhe bujqësia, që të tria të ndërlidhura fort për begatimin e vendit. Eshtë ndër njerëzit më racionalë të brezit të vet, me plot punë të frytshme dhe eksperienca të mëdha. Por më e habitshme është se idetë i jep bujarisht pa e pretenduar autorësinë, shtjellimi i të cilave për një gazetar shndërrohet në dhurim.

Prof. Ahmet Osja, bashkë me Prof. Hysen Laçej drejtor përbënin dyshen më të rëndësishme të Institutit të Misrit dhe të Orizit në Shkodër. Ata krijuan kultivarë të misrit dhe arritën rezultate të njohura në prodhimin e gjerë në të gjithë Shqipërinë.  Agronomia ishte fusha e punës plot pasion  dhe për gjithë jetën. Në ardhjet kohë pas kohe në kryeqytet, një ditë tha: “Sot kam për të dhënë leksion në Institutin e lartë Bujqësor. A shkojmë bashkë?” Ashtu u bë. Pasi na priti rektori, Ahmeti iu drejtua auditorit.

“Profesor Ahmeti, ju e dini që në një sallë kaq të madhe mbushur plot me studentë, ka dhe prej atyre që bëjnë zhurmë gjatë leksionit”, e paralajmëroi rektori duke dashur ta parapërgatiste për t’i krijuar njëfarë lehtësimi.

“Rektor, nëse do të bëjnë zhurmë është paaftësia ime”, u përgjigj Osja.

Për 1 orë e 30 minuta auditori nuk pipëtiu.

Koha e dytë është e ciceronit.

Për një gazetar të terrenit është vuajtje gjetja e temës për çfarë do të shkruaj, e fakteve që i duhen dhe si e kush do ta drejtojë drejt tyre. Të shkoje në Shkodër me një bllok dhe stilograf në xhep, natyrisht përballeshe me pesë të mëdha: Kështjella Rozafa majë kodre që të shfaqet qysh në Bushat, lumi ujëshumë i Bunës në rrjedhje të qetë, liqeni i mrekullueshëm përtej urës, qyteti me ndërtime të stilit socialist dhe kurora e mistershme e alpeve në pjesën veri-lindore, por natyrisht pa përjashtuar Fototekën Marubi dhe Kafen e Madhe. Këto janë simbole të përhershme e të palëvizshme të qytetit të lashtë - kryeqyteti i parë që në kohën ilire - por nuk janë gjithëçka për çfarë ke marrë udhën si gazetar në terren. Duhet njohja dhe ciceroni. Por kur ke një si Ahmetin, gjithçka thjeshtohet në mënyrën më të pabesueshme.

Sa herë e përsëriste ftesën për të shkuar në Shkodër, nuk harronte porosinë: “Mos eja me makinë. Kam motoçikletën. Me të është e përshtatshme për të shkuar e ndaluar ku të duash”. Ky njohës i shkëlqyer e pasionant i qytetit verior nuk ta jepte mollën e madhe për ta ngrënë me një  të kafshuar. Osja t’i hetonte interesat, por sidomos e dinte se çfarë duhet të dije. Ai e ndante qytetin në problematika të pafundme, duke të dhënë të përtypje për aq kohë sa do të qëndroje, që të të njihte në mënyrë të thelluar me histori të treguar, të shkruar apo të dokumetuar, dhe puna të lehtësohej në mënyrë të pabesueshme. Ai është një shoqërues i papërtuar dhe ciceron i pashoq.

Pas një numëri udhëtimesh në Shkodër, me Ahmetin ciceron kuptova se ky qytet i stërlashtë është një minerë xhevahiresh dhe kulture të pafundme, e cila nuk mund të zbulohet kurrë veçse duke shkuar shumë herë dhe me një njeri si Osja, ose të ngjashmin nëse kishe fat ta gjeje. Shkodra është një shterim i pamundur, por në atë përpjekje të përbashkët mbresëlënëset mbetën:  Kalaja e Rozafës;  një ditë e tërë e shpenzuar në Institutin e Shkodrës me Vili Kamsin e ditur, numrin e madh të librave  të vjetër të mbledhur e të ruajtura  me xhelozi nëpër kasaforta gjigante sikur brenda tyre kishte futur lingota floriri; fototeka e famshme Marubi; liqeni jetëdhënës dhe pasuri e pazakontë; Buna e veçantë si asnjë lumë tjetër në Shqipëri; dhe kopshti natyror botanik i Rrjollit, një sipërfaqe tokësore e vogël ku toka, ekspozicioni, dielli, uji, ajri dhe deti i kishin dhënë begati të pabesueshme një llojshmërie shumë të madhe bimësh, të cilat në kushte të tjera klimatiko-tokësore mund t’i ndeshësh vetëm në sipërfaqe të gjera të një vendi të tërë.

Koha e tretë ishte “Shpia asht e Zotit dhe e mikut”.

Kanuni e thotë, Osja e bën. Sapo mbërrija në Shkodër me tren dhe zija vend te hotel Rozafa, i telefonoja: ”Ahmet, gjendem në Shkodër”. Ai nuk kërkonte të dinte se ku isha, por së pari shkonte në hotel dhe bënte ç’regjistrimin në regjistër. Pastaj thosh: ”Merr çka ke me marrë dhe shkojmë në shpi. Rozafa s’ka vend për ty”. Në udhëtimet si gazetar, kjo që bënte Ahmeti nuk më ka ndodhur askund dhe kurrë. Sa herë mbërrija në Shkodër ishte e pamundur t’ia ndryshoje mendjen për këtë.

Në apartamentin e zakonshëm kalohej një mbrëmje e veçantë. Për të mos qënë vetëm dy në bashkëbisedim, ai ftonte një fqinj të ditur dhe bëheshim tre. Dhe bisedonim deri në orën 1 e 2 pas mesnate për gjithfarë temash, por objekt ishin tema të mëdha, autorët librash në bibliotekë, ndërsa kurrë nuk mungonte të mos bisedonim për Gjergj Fishtën. Poeti i madh ishte aq familjar për Osjen që në vogli dhe reciton vargje të panumërta, ndërsa ndiesha në siklet se nuk dija më shumë se disa syresh, edhe ato të mësuar nga dikush sepse kurrë nuk kisha pasur mundësinë të lexoja libra të Fishtës, veçanërisht “Lahuta e malcis”. Por Ahmeti e kishte në biliotekë, e lexonte, e recitonte dhe as e çante kryet.

Këto janë tri kohë me një mik.

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...