Falimentimi i qeverisë së luksit dhe fasadave: reportazh i reagimit të parë të shtetit ndaj tërmetit

E mërkurë, 04 December 2019 23:10

Në mbrëmjen e datës 25 nëntor, vetëm pak orë para rënies së tërmetit shkatërrues që mori 51 jetë nën gërmadha, Policia e Shtetit demonstroi plot arrogancë një flotë të re makinash luksoze, blerë si bashkëfinancim midis qeverisë shqiptare dhe Komisionit Europian. 50 makina Land Rover Discovery L462, prodhim i vitit të fundit, me kosto minimalisht rreth 50 mijë euro secila, pushtuan Sheshin Nënë Tereza në një shfaqje mburrjeje pa shije të një trupe policore të varfër, por, tani, me makinat më të shtrenjta në kontinent.

Nga të gjitha gjërat e mundshme ku mund të shpenzonin mbi €2,5 milionë të taksapaguesve shqiptarë dhe europianë, qeveria jonë zgjodhi makina luksoze.
Të nesërmen, atëherë kur shteti duhet të demonstronte vërtet forcën dhe mjetet e duhura, në orët e para të tragjedisë, shteti shqiptar u shfaq i drobitur dhe i pafuqi, pa aftësi dhe pa mjete për të përballur pasojat e tërmetit.

Po të mos ishin blerë makinat Land Rover, por një krik hidraulik për ngritjen dhe sigurimin e pllakave të betonit, ndoshta Klement Çupi mund t’u kishte mbijetuar plagëve, pasi gjysma e trupit të tij qëndroi e ngjeshur mes dy pllakave të betonit. Një krik i tillë kushton sa një rrotë e një Land Roveri.

21 milionë euro ka harxhuar qeveria shqiptare vetëm për uniforma të forcave të policisë këto pesë vitet e fundit, por nuk ka as një palë veshje të sigurta për punonjësit e kërkim-shpëtimit të emergjencave civile.

Trupat e shpëtimit që filluan kërkimin para mbërritjes së ekipeve të huaja e ekspozuan veten ndaj rreziqeve të mëdha, sepse asnjë trupë— as policia, as ushtria, as zjarrfikësat, as emergjencat civile— nuk kishin veshje për mbrojtje personale— helmeta, doreza, këpucë, veshje trupore, mbrojtëse sysh.
Nuk kishin barrela për të transportuar të plagosurit. Në vend të tyre, fillimisht u përdorën batanije, që duke mos qenë të forta rrezikojnë të dëmtojnë. Nuk kishin as personal të trajnuar për mënyrën e ngritjes dhe mbajtjes së trupave të plagosur, të sigurimit në barrelë, të dhënies së ndihmës së parë dhe të transportimit në spital. Nuk kishin as ambulanca të pajisura me mjetet e një ambulance moderne.

Në fillim kërkimi u bë duke dëgjuar thirrjet e atyre që ishin zënë poshtë, por pasi kaluan shumë orë dhe thirrjet u zbehën, askush nuk kishte dijeni si të sillej, ku mund dhe ku nuk duhej të vendoste peshë.

Nuk kishte as mjete për të transportuar viktimat—thasë të posaçëm për trupat e viktimave, as barrela.

Ekipet e kërkim-shpëtimit, që iu dërguan fatkeqëve, kishin jo vetëm mangësi dramatike të mjeteve minimale, por edhe mungesë aftësish planifikimi dhe organizimi për zhvillimin e operacioneve të tilla.

I gjithë personeli ishte dukshëm i patrajnuar si për operacionet e shpëtimit, ashtu edhe për mbajtjen e viktimave dhe dhënien e ndihmës së parë në vend.

Dhe skandali më i madh është se punonjësit dhe mjetet e firmës së ndërtimit Bami shpk dhe të firmës së minierave TETE, dhe jo ekipet e specializuara shtetërore, ishin të parat që u dërguan dhe arritën në gërmadhat në Thumanë.

Duket se në qeverinë e zotit Rama kompanitë e ndërtimit ushtrojnë të gjitha funksionet e shtetit. Ari që shkon për klientët po vret kohën e artë të viktimave.

“Nëse njerëzit mbeten brenda strukturave të dëmtuara, duhet të fillojnë sa më shpejt të jetë e mundur operacione profesionale kërkim-shpëtimi, duke pasur parasysh se 24-48 orët e para janë “orët e arta”, kohë gjatë së cilës mund të shpëtohen pjesa më e madhe e njerëzve.”

 

Citimi më sipër është nga Plani i vjetër Kombëtar i Emergjencave. Fatkeqësisht “orët e arta” u konsumuan pa rezultatin e dëshiruar, pasi energjia e qindra njerëzve, që kishin vullnetin dhe dëshirën e mirë për të shpëtuar jetë, u shpenzua kot.

Në Thumanë pas tërmetit u dërgua policia, Reparti i Inspektoriatit të Shpëtimit në Miniera (RISHM) dhe kompania private e ndërtimit, Bami shpk. Me ndihmën e një eskavatori, ata dhe disa banorë të zonës nisën të kërkonin për fatkeqët. Por ata nuk kishin staf dhe logjistikë mjekësore të ndihmës së parë, qen kërkues, kamera termike, apo aparate me ultratinguj për pikasjen e lëvizjeve.

Angazhimi për gjetjen e fatkeqëve u bë pa masa paraprake sigurie, pa siguruar perimetrin, pa doreza, kokore apo litarë dhe pa pasur ndriçues dore apo koke.

Fatkeqësisht situata nuk ndryshoi shumë edhe pasi në vendngjarje mbërritën forca të ushtrisë, policisë dhe kompanive të tjera private.

Momenti kur punonjës të policisë dhe Autoritetit Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera nxjerrin me batenije disa prej fatkeqëve tregon se çfarë mjetesh kishin grupet shqiptare të kërkim-shpëtimit. E kotë të flasim për ekipet e huaja, pasi dallimi është i madh. Për shembull, ekipi rumun ngriti dhe koordinoi barrela lëvizëse të fiksuara në sistem litarësh.

Lëvizja dhe spostimi i rrënojave me duar, lopata dhe kova plastike ishte mision i pamundur, i cili u mori kohë njerëzve që ishin zënë poshtë.

Ardhja e ekipeve të huaja të kërkim-shpëtimit plotësoi disa nga mangësitë kryesore. Ekipi italian i kërkim-shpëtimit ofroi pajisje gjurmuese, ekipi francez ofroi krik ngritës, ekipi rumun dhe ekipi grek logjistikë të ndihmës së shpejtë, ekipi kroat dhe ai zviceran ofruan skuadra qensh kërkim-shpëtimi. Falë angazhimit të tyre dhe skuadrave të tjera, turke, serbe, malazeze, maqedonase etj, në orët më kritike u mund të identifikoheshin disa vende ku mbeteshin njerëz të zënë nën rrënoja.

Fatkeqësisht “orët e arta” kaluan dhe nga operacioni i shpëtimit u kalua në operacionin për kërkimin e viktimave.

Pse ekipet shqiptare të kërkim-shpëtimit nuk kishin pajisje?

Qeveria reformoi strukturat e emergjencave civile, por, sipas Monitorit, vonoi në plotësimin e kuadrit ligjor me akte dhe VKM.

Organizimi i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, e cila do të zëvendësonte Drejtorinë e Përgjithshme të Emergjencave Civile, u miratua me urgjencë vetëm pas tërmetit të 26 nëntorit.

Më herët, në tetor, Kryeministri Rama ia kaloi si funksion organizimin dhe menaxhimin e operacioneve të kërkim-shpëtimit policisë vullnetare. Këta të fundit si kriter kualifikues kanë arsimin e detyrueshëm bazë dhe Akademinë e Sigurisë, pra nuk mund të jenë profesionistë.

Kjo situatë kaotike nga ana ligjore e la vendin të paorganizuar në situatat e fatkeqësive natyrore.

Natyrisht, faktori më i rëndësishëm është se emergjencat civile nuk janë prioritet. Edhe pse Shqipëria është një ndër dy vendet me rrezikun më të lartë sizmik në Europë, edhe pse fatkeqësitë natyrore, kryesisht përmbytjet, godasin çdo vit, ato nuk kanë ngjallur interesin e qeveritarëve.

Qeveria Rama ka pasur prioritet të qartë të ashtuquajturën Rilindje Urbane, e cila është reduktuar në fasada—sheshet, godinat qeveritare, veshjet e luksit, makinat, zbukurimet, pas së cilës fshihet një qeverisje që duket se nuk garanton dot sigurinë dhe jetën e njerëzve. /exit.al/

Modifikuar më E Enjte, 05 December 2019 13:37
Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...