ANALIZA/ “Paketa anti-KÇK mund të kthehet në gjueti partizane shtrigash”- Preç Zogaj: Dublon BKH-në dhe SPAK-un. Qeveria kërkon të marrë…

Diel, 09 February 2020 13:19

Dyshimet dhe kundërshtimet e ngritura rreth aktit normativ të qeverisë për Operacionin “Forca e ligjit” kanë secili një bazë, një përligje. Që nga më e thjeshta, që është emërtimi “anti KÇK” (pa asnjë lidhje me terminologjinë juridike dhe as me natyrën e krimeve që ka në shënjestër) e deri te kushtetutshmëria.

Në një vështrimin pedant, disa pjesë  të aktit ka gjasa të bien në masë me Kushtetutën. Juristët kanë referuar nene që kandidojnë bukur mirë për të marrë ketë vlerësim. Në aulat e debatit ka zënë ndërkaq  një vend të rëndësishëm frika e përdorimit selektiv të aktit, çfarë do ta shndërronte operacionin  në gjueti partizane shtrigash me pasoja të rënda.

Frikë mund të ketë kurdoherë, për çdo gjë. Si e tillë frika nuk është argument për të kundërshtuar një ligj. Në rastin tonë frika e përdorimit selektiv të OFL-së ka vlerën e argumentit në kontekstin e shumë aksioneve të mëparshme të policive  kundër grupeve kriminale, ndërtimeve pa leje, kanabizimit, informalitetit  e tjerë, ku subjektet me lidhje qeveritare zakonisht janë prekur kur është mbushur kupa, nuk janë prekur fareose janë gërvishtur lehtë sa për  një shenjë.

Një tjetër objeksion kundër aktit referon faktin  se Shqipëria i ka ligjet që lejojnë  goditjen e fuqishme  dhe sekuestrimin e aseteve të krijuara përmes trafiqeve dhe krimit. Ne jemi dëshmitarë të sa e sa  spektakleve e raportimeve të bujshme nga ana e Policisë së Shtetit për vënin nën sekuestro të pasurive  kriminale në zbatim të ligjit Antimafia në fuqi. Ka pasur fryrje propagandistike, por  ka pasur edhe fakte reale në këto raportime. E dimë se disa gjykatës e kanë zhvlerësuar  pa u menduar dy here  punën kurajoze të policisë duke i çliruar në mënyrë shumë të dyshimtë  asetet e bllokuara. Për t’i  dhënë fund  kësaj historie të fëlliqur është bërë Reforma në Drejtësi. Dhe ja ku vijmë të objeksioni i më gjithëpërfshirës, sipas të cilit akti  dublon organet e drejtësisë  së re, BKH-në pikësëpari, por  e shtrin oreksin edhe në koritat e  SPAK-ut, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Duket sikur përmes OFL-së qeveria kërkon  të marrë protagonizmin dhe të përcaktojë drejtimin e goditjeve tani që drejtësia  e re po përgatitet të fillojë nga puna. Vetë përfaqësuesit e shumicës  e kanë ndjerë se akti ka të çara të dukshme në këtë pikë ndaj kanë nxituar të theksojnë se me të filluar nga puna konkrete BKH dhe SPAK,  OFL-ja do të jetë në dispozicion të tyre.

Po të rrish të kërkosh  gjen plot argumente  që i  mbështesin këto objeksione. Rama e ka të vetën atë që kur mbetet pa një lëvizje apo nuk di çfarë të bëjë, merr një nismë të vjetër, i vesh një kostum  të ri,  e hedh në  lojë si sefte, ushqen nga e para shpresën e njerëzve, tani erdhi ora, thotë, duke llogaritur prirjen  dhe nevojën  njerëzore  për të shpresuar. Shumë herë kështu. Ligji Antimafia, që lejon dhe garanton sekuestrimin e aseteve kriminale, shënjestra kryesore e OFL-së me sa shihet, u bë nën egidën  e një fillimi të ri sa i takon goditjes së krimit. Ka plot nisma ligjore të tilla, buja e të cilave është mehur si të  mos jenë më. Gjithë kjo trashëgimi ligjesh e reformash me produkt të varfër e shumëfishon dyshimin  dhe skepticizmin për nismat e reja.

Për rrjedhim, në rrafshin e besimit, Rama paguan koston e propagandës me ligje që janë zbatuar përciptazi. Në këto kushte, ai dhe kushdo tjetër si ai nuk duhet të çuditen që ka dyshime dhe skepticizëm për OFL-në. Përkundrazi, qeveria që ka ushqyer zhgënjimin e njerëzve  duhet ta luftojë mosbesimin  me fakte. Të flasin faktet, të jenë faktet ato që rrëzojnë akuzat dhe objeksionet. Të jenë faktet ato që  të tregojnë se  akti  është  konceptuar si një refleksion  dhe përgjigje ndaj  një situate të jashtëzakonshme që lidhet me vakumin  e periudhës që jetojmë,  kur drejtësia e re nuk ka nisur ende nga puna konkrete dhe  bota  e krimit së bashku me pjesën  e kalbur të drejtësisë po shfrytëzojnë këtë vakum  për revansh dhe  përfitime të papara.

Akti i ashtuquajtur “anti KÇK” është lehtësisht i atakueshëm , siç është i tillë Ligji i Dekriminalizmit apo vetë Vetingu në drejtësi. Të cilën Komisioni i Venecias e pat pranuar sforcueshëm me  arsyetimin se  krimi dhe korrupsioni në Shqipëri janë ngulitur aq thellë sa kërkojnë  një ligj sui generis për t’i luftuar.  Sui generis ngjan  të jetë edhe akti normativ. Goditja a aseteve është goditje në zemër të krimit.  E thamë më lart se mjetet për ta bërë këtë me kohë nuk kanë munguar. Por nëse për një arsye a tjetër qeveria ka vendosur ta bëjë tani  dhe i është dashur  diçka shtesë në bazën ligjore, le ta bëjë. Më mirë vonë se kurrë. Nuk është hera e parë që pikërisht të vonuarit ngarkohen me energjinë e shtuar për të bërë diçka të vështirë  që nuk kanë dashur, apo nuk kanë mundur ta bëjnë më parë. Akti do të zgjasë një vit. Në versionin e funksionimit me efikasitet do t’i lehtësojë punën drejtësisë së re. Nëse goditen realisht asetet e malavitës, dera e negociatave  të anëtarësimit në BE do të jetë më e hapur dhe SPAK do ta ketë më të lehtë  të fokusohet  të korrupsioni i zyrtarëve  të lartë e shumë të lartë.

Atyre që janë  përballë qeverisë si kritikë, si oponentë dhe si opozitarë të saj do t’u shkonte të mos harxhonin kohë dhe energji për të goditur aktin në vetvete, por të fokusoheshin te monitorimi i aksionit, te gjykimi rast pas rasti i rezultateve, te mbështetja pa rezerva e policisë kur këto rezultate janë ato që priten, te denoncimi i fiktivitetit dhe aksioneve për show propagandistik kur janë të tillë.

Tema e krimit të organizuar është shumë e ndjeshme në publik. Nuk duhet lenë asnjë hapësirë për keqkuptime sikur njëra palë po e lufton, kurse një palë tjetër po e mbron krimin. Përgjatë monitorimit do ta kemi të lehtë të kuptojmë nëse akti është selektiv apo gjithëpërfshirës, është politik apo ligjor, është  një mision apo një lëvizje elektorale, do të çohet deri në fund apo do të  fiket rrugës.

Qeveria t’ua lërë fjalën fakteve.

Opozita të flasë për faktet.

Është në të mirë të vendit  që OFL të mos dështojë.

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...