Të kujdesshëm me Bashën, të pakujdesshëm me veten

Premte, 14 February 2020 14:23

Të jesh në opozitë nuk është e lehtë në asnjë vend të rruzullit, aq më tepër në Shqipëri; ku opozitarizmi nuk është tipari më i shquar i ADN-së politike të qytetarëve.

Pak rëndësi ka sa i pushtetshëm është sot kryeministri i vendit, në shtator të vitit 2011, kur të vetmin pozicion që gëzonte ishte ai i Kryetarit të Partisë Socialiste, shprehej me këto fjalë për grupimin që drejtonte:

‘Një opozitë që fatkeqësisht është e dobët në numër, e dobët në zë; për shkak se janë të pakët ata që e ndrynë dhe e përçojnë kurajon për të qenë vetvetja, pavarësisht rrethanave dhe kushteve’.

Paçka se këto rreshta na ndërmendin talentin e pandryshuar të Ramës për t’u viktimizuar, nëse do ta vendosnim opozitën e Ramës përballë Ramës në pushtet, me forcën e nënbotës, atë mediatike dhe ekonomike, filipikat e kreut të PS-së ndaj grupimit që drejton do të ishin edhe më të gjata. Për mos të folur mandej për institucionin e opozitës ndaj opozitës, që ka marrë trajta edhe më të ashpra, i cili nuk furnizohet vetëm nga media që janë tradicionalisht kundër së djathtës, por edhe nga ato që neutralitetin e trajtojnë si një çmim ndaj mecenantit të radhës.

Anipse askush nuk është i detyruar të mbrojë apriori opozitën apo Lulzim Bashën, në sportin kombëtar të sulmit ndaj kundërshtarëve të pushtetit, bien më shumë në sy kundërshtimet ndaj vetes së atyre që e kritikojnë atë sesa kundërshtimet që ata kanë ndaj kreut të saj.

Rasti më i fundit për të ilustruar sa është thënë më sipër, është ai i Reformës Zgjedhore dhe kërkesës së opozitës për qeveri transitore. Një kërkesë që i përket arsenalit me të cilin Basha ka adresuar çështjen e çlirimit të zgjedhjeve qysh në pranverën e vitit 2017, kur disa prej atyre që sot e kundërshtojnë, kanë derdhur lumenj boje nëpër gazeta, orë të tëra nëpër emisione dhe kanë konsumuar tastiera të panumërta kompjuteri, për ta rrokur në debatin publik dhe për ta bërë pjesë të agjendës politike në funksion të zgjidhjes së krizës së atëhershme.

Nxitimi për ta interpretuar si një gabim të Bashës, fsheh dashakeqësinë për ta parë problemin te opozita dhe jo te mazhoranca. Në fakt, mjafton një analizë sipërfaqësore, si dhe pak kujtesë historike, për të kuptuar se ideja për një qeveri transitore, apo kujdestare, është racionale, për sa kohë që arsyet pse rezultoi e pasuksesshme në vitin 2017 qëndronin të mungesa e vullnetit politik të kundërshtarit, si dhe, mbi të gjitha, kopsitja e krimit zgjedhor shumë kohë përpara implementimit të atij eksperimentit të parë.

Mirëpo ndryshe nga ai vit, në të cilin Basha dhe ata që mbështesnin qeverinë transitore kishin dyshime të arsyeshme për rrezikun e tjetërsimit të zgjedhjeve, kanë sot provat se zgjedhje me Ramën kryeministër nuk mund të ketë. Dy dosjet e bujshme 184 dhe 339, të cilat ekspozuan brenda dhe jashtë vendit shitblerjen e votës dhe përfshirjen e krimit të organizuar në procesin zgjedhor, si dhe votimet e 30 qershorit, të cilat provuan recidivitetin e Ramës në përzgjedhjen aspak të moralshme të kandidatëve në një garë pa kundërshtarë, legjitimojnë edhe më shumë kërkesën e opozitës.

I fort nga kjo përvojë, pas sakrificave në shërbim të interesit publik për të provuar shkatërrimin e zgjedhjeve nëpërmjet krimit dhe shit-blerjes së votës, me kushtet e Bundestagut që i kanë dhënë forcën e vetos në hartimin dhe miratimin e një Reforme Zgjedhore nëpërmjet të cilës edhe partnerët ndërkombëtarë do të duan të shpëtojnë nga andrallat e fund zgjedhjeve, Basha ka përgjegjësinë për të normalizuar një proces që normal nuk ka qenë prej kohësh. Dhe pas Dibrës, Durrësit dhe 30 qershorit, askush nuk mund të mohojë se nevoja për të instauruar një proces zgjedhor të ngjashëm me fqinjtë tanë lindorë, të zbatueshëm deri në arritjen e një pjekurie elektorale të partive dhe qytetarëve, është jetike.

Prandaj, përpara se të kujdesemi për qëndrimet e Bashës, të cilave koha iu ka dhënë të drejtë, duhet të mos tregohemi të pakujdesshëm ndaj vetes dhe të shkuarës së sonë; e të mos harrojnë se politika nuk është filozofi, dhe se Niçja, në këto treva, nuk është filozof.

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...