Edhe 24 orë na ndajnë, nga një miting-manifestim, të shumëdiskutuar, që Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka thirrur ditën e hënë, në qendër të Tiranës.
– Ilir Meta ka të drejtë, por ky është një akt i paprecendent dhe i papranueshëm për një President Republike, – ka shumë ditë, që thonë analistët dhe mediat e Edi Ramës dhe ata të sektit të Rilindjes.
– Jam me Ilir Metën, ai ka të drejtë, por si mund të bëjë një akt të tillë Presidenti i Republikës, si mund të ndodhë kjo në një Republikë Parlamentare? – bërtet nga një studio televizive, të cilën e ka konceptuar vetë Edi Rama, një aktor-analist, siç thotë edhe vetë, shumë i njohur në Google.
Aktori në fjalë, improvizon kaq bukur, sa të kujton Koçin e famshëm të teto Ollgës, në komedinë e djeshme të realizmit socialist.
Pothuajse të njëjtën gjë, bën një kolegu im shumë i njohur, në emisionin e tij, ku edhe unë kam qenë shpesh i ftuar.
Kolegu moderator-analist, në fillim të emisionit përpara se të flasë me të ftuarit, e ka kthyer në zakon që të bëjë një monolog.
– Pse është tërbuar Ilir Meta? – pyet i shqetësuar analisti i njohur dhe përgjigjet po vetë, – Sepse në konferencën e donatorëve, Rama mori një mbështetje të shkëlqyer dhe duan t’i prishin festën. Kjo është një lojë e ndyrë politike! Meta ka dalë nga binarët e Kushtetutës! Kërkohet prishja dhe moshapja e negociatave!
-Por…Ilir Meta ka të drejtë për ato që thotë, – shprehet edhe kolegu i njohur.
E çuditshme! Sa të ngatërruar jemi bërë, në këtë vend kaq të vogël, ku jetojmë!
Ilir Meta paska të drejtë, por nuk i lejohet të thërrasë qytetarët, për të shpjeguar si po kapet Gjykata Kushtetuese, si janë kapur të gjithë pushtetet, si janë rrëmbyer kompetencat e Presidentit?!
Ilir Meta ka të drejtë, por nuk lejohet…?!
Është pohimi më absurd që kam dëgjuar ndonjëherë në jetën time.
Mos kujtoni se është naivitet. Kush mendon kështu gabohet. Është një përpjekje qesharake, për t’u kapur me thonjë e me dhëmbë, pas të ashtuquajturave korniza institucionale, kur vendi ka përfunduar në një regjim të plotë.
Ilir Meta ka të drejtë, por nuk lejohet… Çfarë turpi! Dhe i gjithë ky detashment analistësh, aktorësh, kontributorësh, militantësh mediatikë, harrojnë të thonë qoftë edhe një fjalë të vetme, për atë që ka ndodhur dhe po ndodh në këtë vend.
Kjo bandë e madhe, bën sikur nuk e sheh, që një njeri i vetëm i ka rrëmbyer të gjitha pushtetet dhe e ka kthyer këtë vend në një regjim të plotë, në një shtet autoritar. Ky detashment, asnjëherë nuk ka dashur të shohë, që Edi Rama e ka zhytur këtë vend në një korrupsion të thellë politik, duke përdorur mekanizmin e blerjes edhe të njerëzve më të parëndësishëm të të gjithë pushteteve.
Analistët e sektit të Rilindjes, çuditërisht nuk e shohin braktisjen masive dhe shpopullimin me përmasa tragjike, që nuk ndodh as në vendet ku ka luftëra.
Sa të ngatërruar jemi!
Kolegët e mi, më ekstremistët kundër Lulzim Bashës, tani heshtin, janë gati të bëhen fansa të tij dhe ta puthin edhe në ballë.
Ata tani janë shumë të gëzuar që lideri i opozitës, është kthyer në infermier dhe po bën zëdhënësin e koronavirusit.
Dje, një kolegu im, që vazhdimisht tregonte dhe tregon anektoda për Lulzim Bashën, sot e sheh atë si opozitar konstruktiv, vetëm se ai ka lënë mënjanë opozitën, pi kafe dhe ble shegë me gjyshe Verën, ha paçe koke, mund në futboll fantazmën e Edi Ramës, duke lënë në mes të katër rrugëve opozitën.
Ilir Meta ka të drejtë, por nuk lejohet…
Sa të ngatërruar që jemi!
60 vjet më parë, ne u përpoqëm të vrisnim zotin. A ju kujtohet? Mos mendoni se zotin donte ta vriste vetëm Enver Hoxha, vetëm diktatori. JO! Ju të vjetrit, besoj e kujtoni! Ne të gjithë, si popull, u lëshuam të bënim atë që deri atëherë nuk e kishte bërë askush, të vrisnim zotin.
Jemi mësuar të nënshtrohemi dhe ta duam diktaturën dhe diktatorin. Edhe atëherë kur mbërrijmë në fatalitet.
Ilir Meta i ka thirrur njerëzit në shesh. I ka thirrur kundër regjimit, kundër puçit institucional, i ka thirrur, siç thotë ai, për shtetin e së drejtës, që nuk është më.
Ilir Meta nuk është Krishti, ai është një politikan shqiptar, puro shqiptar, që të gjithë e njohim dhe na njeh. Dhe sot, ai na ka thirrur, sepse Rama i ka rrëmbyer të gjitha pushtetet dhe i ka bërë një.
Është koha ta dëgjojmë Ilir Metën edhe nëse nuk e duam atë dhe politikën që përfaqëson ai.
Këtë herë, Ilir Meta ka të drejtë dhe nuk kanë pikë rëndësie kornizat dhe çfarë përfaqëson ai.
TPZ.al/