RTSH e Besës dhe grabitjet milionëshe në arsim

Saturday, 21 Mars 2020 16:56

Nga Luçiano Boçi
Tek njoftonte transmetimin e ‘leksioneve’, siç i quan orët mësimore të shkollës së mesme, në RTSH, Ministrja Shahini nuk e fshihte dot ngazëllimin, për gjoja shpikjen e saj më të fundit të revolucionit teknologjik arsimor. A thua kishte gjetur formulën e vaksinës për COVID-19 dhe jo që thjesht po parashtronte një mënyrë alternative të komunikimit shkollor, të njohur prej vitesh. Pothuaj të gjitha shtetet evropiane, kanë prej vitesh kanalet e tyre në televizionet publike dedikuar shkollës, universitetit dhe edukimit. Ato janë gjithë kohore dhe nuk aktivizohen vetëm në situata specifike si kjo që po kalojmë. Në këtë pikë duket që ministria nuk ka asnjë meritë, përkundrejt faktit që është thjesht RTSH-ja ajo që ka përmbushur një detyrim ligjor, të përcaktuar në kushtet që i takon të plotësojë me përfundimin e procesit të digjitalizimit
Madje Besa duhet ta mësojë pak, me qëllim që ta ruajë entuziazmin për ndonjë rast tjetër, që dhënia ‘revolucionare’ teknologjike e ‘leksioneve’ nëpërmjet TVSH, në Shqipëri daton gati që nga viti 1986-1987, kohë kur regjimi i atëhershëm filloi disi tolerancën në drejtim të mësimit të gjuhëve të huaja. Falë iniciativës së pedagogëve të Fakultetit të Histori-filologjisë,TVSH nisi transmetimin e metodës Folloë Me, nëpërmjet shpjegimeve dhe videove interaktive. Për kohën ishte një ngjarje e madhe, por kufizimi i aparateve TV nuk i mundësonte akses të gjithë atyre që dëshironin të mësonin anglisht. Me gjithë vëmendjen e madhe dhe faktin që metoda ishte e strukturuar për transmetime të tilla, është e vështirë të thuash që shumica e atyre që e ndoqën kështu e mësuan anglishten. Në fund të fundit ishte dhe mbeti një mënyrë alternative. Aq më tepër në rastin konkret të tanishëm, ku zhvillimet teknologjike kanë krijuar hapësira të reja pa fund, TV-ja mbetet një opsion minor dhe disi arkaik.
Dhe po t’i shtosh këtu nxitimin e krijimit të ‘leksioneve’ që transmetohen, pa standarde didaktike dhe pedagogjike të përcaktuara mirë, për një edukim në distancë efikas, tullumbacja e Besës rryshket shumë. Pa folur pa trajnimin e munguar të mësuesit. Pa folur këtu, për pamundësinë ekonomike të familjeve në zonat rurale. Pa folur këtu, por mbulimin e sinjalit dhe të aparateve digjitale. Pa folur këtu, për nxënësit e moshave të ndryshme, përqendrimi i të cilëve kërkon mentorim të veçantë. Pa folur, për masat e munguara dhe përcaktimin e një strategjie që duhej të përpunohej nga Instituti i dikurshëm i Zhvillimit të arsimit, i shkrirë në Agjencinë e sigurimit të cilësisë së arsimit parauniversitar. Pa folur, këtu për licencimin e munguar të platformës që merr përsipër anën teknike. Gjithmonë pa rrëzuar meritën e krijuesit të saj, i cili suksesin e mëvonshëm do e ketë të garantuar, nëse Ministria nuk luan me atë fabulën e kalit që kalon lumin. Pas kësaj tullumbacja e rryshkur e Besës shfryhet fare. Mësimi nuk mund të jetë një formalitet dhe të bëhet sikur, pasi gjurma që le dija është më e thellë se gjurma e çdo virusi.
Por e keqja nuk është thjeshtë në këtë pikë. Ato japin një efekt krejt minimal të pranueshëm deri diku. Çështja është se transmetimi në RTSH dhe urdhëri qesharak për video-selfie dhe mënyra të tjera që shmangin krijimin e klasave online, nëpërmjet platformave serioze si Edmondo, Google classroom etj, nxorën sheshit mashtrimin e madh të Ramës për angazhimin e qeverisë së tij në futjen e teknologjisë në procesin mësimdhënës. Projekti i modernizimit të sistemit arsimor në Shqipëri përmes e-edukimit parashikonte fillimisht krijimin e 120 klasave inteligjente në 60 gjimnaze, 43 në zonat e mëdha urbane dhe 17 në zonat rurale. Projekti ishte vazhdim i 2013 i PD-së, por Rama mori një kredi tjetër dhe siç e dëshmojnë shifrat ka harxhuar 3.5 milion euro më shumë, pa asnjë rezultat. Rama, u shfaq entuziast në gjimnazin ‘Sami Frashëri’ në vitin 2015, kur deklaroi se deri në vitin 2018 çdo klasë gjimnazi në Shqipëri do të pajisej me tablete, nëpërmjet të cilave do mësonin shumë lëndë. Dhe ja ku jemi sot dhe ‘klasat inteligjente’ kanë avulluar bashkë tabletat e skaduara që nuk u përdorën pothuaj asnjëherë, sikurse laboratorët imagjinarë. Dhe pasi kanë harxhuar 3.5 milion euro Besa, Nikolla, Rama i japin lajmin e bukur gjimnazistëve dhe specifikisht maturantëve, se gjetja e tyre gjeniale për ta është RTSH-ja, chatimi ose sefliet. Tullumbacja e Besës është kështu flamuri i turpit i një qeverie që marshon me mashtrim drejt mashtrimeve të reja. Nëse projekti do ishte zbatuar dhe paratë nuk do ishin grabitur, shkollat e mesme, sipas premtimit të Ramës, nuk do gjendeshin përballë një situate të tillë që tentohet të kalohet me ca transmetime televizive kaotike dhe angazhime me detyrim, apo me iniciativë personale.
Mësimi në distancë dhe Universitet
Por Besa nuk ndalet në ‘gjenialitetin’ e saj, së bashku me Ramën. Pasi i tha studentëve se ato mund të studionin sipas idesë së saj, nëpërmjet bibliotekës online, e cila që pas krijimit nuk është se ka ndikuar aq në procesin akademik, dje doli përsëri dhe nëpërmjet urdhrave jo shkresorë i kërkon universiteteve, pa pritur e pa kujtuar, të angazhojnë stafet në dhënien e leksioneve online. Gjithçka erdhi si rezultat i presionit të Universiteteve jopublike, një pjesë e të cilave kanë ditë që aplikojnë një mësimdhënie të tillë, por jashtë rregullimeve ligjore sipas parimit të dalë ku të dalë.
Për të qenë në rregull madje, ata i nisën dhe një propozim real Ramës, por i cili nuk u mor në konsideratë. Përgjigja ishte thjesht heshtja dhe dhënia e lejes dhe urdhrit nëpërmjet videos së Besës që Universitet publike duhet ta bëjnë një gjë të tillë. Deri këtu gjithçka duket mirë. Besa është e lumtur në profanizmin e saj dhe të gjithëve u mbyllet goja sipas thënies: mësimi po ecën mirë. Rama dhe Besa s’kanë më as turp se larjen e duarve për çdo problem e kanë shndërruar në ritual. Tërheqja e Besës nga Biblioteka dhe kërkesa e saj për online megjithatë bie erë.
Së pari, Besa e përdorur keq nga Kryeministri, duhet ta dijë shumë mirë se Ligji i arsimit të lartë, për të mos thënë e ndalon, e pengon formën e studimit në distancë. Në neni 69 dy janë format e studimeve a) studime me kohë të plotë; b)studime me kohë të zgjatur.
Studimi në distancë u refuzua në 2015, megjithëse u insistua dhe u kërkua në debatin në Komisionin e Edukimit. Në këtë pikë përtej videove në FCB, Rama dhe Besa duhet të sillen në mënyrë institucionale, duke i krijuar universiteteve hapësirën e tyre ligjore me anë të akteve që ligjërojnë studimin në distancë. Pra duke ndryshuar një ligj, i cili mbrohet me fanatizëm deri në një paarsye ekstreme. Madje, ajo të jetë një pikë e rëndësishme e akreditimit institucional të tyre. Emergjenca nuk është fare justifikim. Studimi në distancë mbetet një nga sfidat kryesore të këtij fillim shekulli dhe pasqyrë e trendit teknologjik bashkëkohor dhe Universitet shqiptare duhet të përfshihen pa frikë e pa drojë në këtë garë.
Së dyti, Besa duhet ta dijë se Universitetet publike, të shndërruar tashmë në magazina ky hyjnë e dalin studentë me diploma, për të cilat paguhet sa qimet e kokës, e që në shumicën e rasteve emigrojnë, janë zero të investuar nga qeveria, për sa i takon modernizimit të mësimdhënies në distancë dhe të mjeteve të domosdoshme. Për të mos folur për studentët mundësitë ekonomike të cilëve i pengojnë ato të kenë akses në mjete dhe infrastrukturë.
Kjo mungesë kapacitetesh dhe pengesa ligjore, ka bërë që Universitetet shqiptare të mos zhvillojnë platformat e tyre të online, të mos ofrojnë kurse të tilla, qoftë me pagesë ose free dhe stafet akademike të jenë krejt të papërgatitura në këtë drejtim. Një leksion në auditor dihet mirë që ka ndryshime thelbësore me një që zhvillohet online, pasi shtrati i zhvillimit, procedimet akademike dhe qëllimsia ndryshojnë shumë nga njëri-tjetri. Nuk po flas për pritjen e kësaj mënyre të re që studentët duhet ta zhvillojnë me kohën.
Skype, Google classroom, Zoom meeting etj mund të shërbejnë, me përkushtimin e pedagogëve dhe vëmendjen vullnetare të studentëve, për përballimin disi të situatës, por ato nuk janë dritaret ku Besa dhe Rama mund të shpëtojnë paaftësinë dhe papërgjegjshmërinë e tyre.
Më shumë se arsimin këta të dy shqetësimin e kanë tek propaganda. Duket qartë që si kudo jemi në epokën e propagandës dhe në fund, të jeni të bindur që Besa do festojë suksesin e rradhës të kryerjes me sukses të plotë të mësimit dhe të studimit me një video tjetër, megjithëse ajo dhe Rama e dinë që ato thjesht po luajnë me dijen.
Dhe sikurse Besa dhe Rama bëjnë sikur, pedagogët e studentët do bëjnë sikur, si nxënësit e mësuesit në pjesën më të madhe po bëjnë sikur. Virusi do mundet, por injoranca rrezik të triumfojë.

 

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...