‘Perëndimi po mban në këmbë narko-shtetin shqiptar’/ Analiza e Lubonjës për gazetën holandeze

Tuesday, 24 Mars 2020 20:58

Është thjesht një mit që Shqipëria po shkon drejt demokracisë perëndimore. Kështu shkruan analisti Fatos Lubonja në një koment për gazetën holandeze, "Volkskrant".

Nga Fatos Lubonja

Në pranverën e vitit 2019, partitë opozitare shqiptare u larguan nga parlamenti. Bashkëpunimi mes krimit të organizuar dhe Partisë Socialiste në pushtet ishte i qartë. Ata nuk donin të ishin më fasada demokratike e një narko-shteti. ‘The Independent’ e quajti Shqipërinë ‘Kolumbia e Europës’. Protestat dhe mosbindja civile duhej të kishin alarmuar opinionin publik në vend dhe politikanët perëndimorë. Por Brukseli dënoi opozitën dhe mbështeti qartësisht qeverinë. Argumenti kryesor: Ju keni bërë progres drejt standardeve tona, ata nuk duhej të dilnin nga parlamenti. Dhe tani është Holanda që po ashtu bie dakord që BE të nisë negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë.

 
 

Përse kjo mbështetje për qeverinë autokratike dhe të korruptuar të Shqipërisë, e cila bashkëpunon gjithnjë e më shumë me krimin e organizuar? Sepse Bashkimi Europian dhe SHBA preferojnë ‘stabilitetin’ përpara demokracisë. Dhe mbi rrezikun e rritjes së ndikimit rus ose turk në rajon. Për SHBA është e rëndësishme që qeveria shqiptare pranoi një grup muxhahedinësh iranianë si refugjatë.

 

Shkaku kryesor i ndihmës qëndron diku tjetër. Tranzicioni nga vendet komuniste drejt modelit perëndimor ishte bazuar në dy paradigma të thjeshta: ‘fundi i historisë’ i Fukujamës dhe ‘vendet e përçara’ e Hantingtonit.

Elitat e orientuara drejt Perëndimit në vendet lindore duhej të udhëhiqnin (në kontrast me mentalitetin perëndimor të popujve të tyre dhe për këtë arsye të quajtura si vende të përçara nga Hantigtoni) popullin e tyre drejt ‘Tokës së premetuar’ që Perëndimi e kishte arritur tashmë (Fukujama). Ky i ashtuquajtur ‘tranzicion’ do të sillte zgjerimin e Perëndimit sipas një modeli që do të pushtonte botën.

Udhëzuesi i popullit

Elitat politike perëndimore do të mbikëqyrnin vendet e Europës Lindore në këto 30 vite tranzicion. Elitat lindore- legjitimimi i pushtetit të tyre- shërbenin si udhëzuese të popujve të tyre. Ato garonin se kush do i plotësonte më mirë kërkesat e Perëndimit. Disa vende tani janë pjesë e BE; Ballkani Perëndimor, pjesa e fundit e karvanit, thuhet se po inkurajohet. Me Trump, Brexit dhe lëvizjet drejt sovranitetit në vendet e BE, Perëndimi nuk ka arritur me të vërtetë në tokën e premtuar.

Me zhvillimet autokratike në Hungari dhe Poloni, dhe me Shqipërinë, Serbinë, Malin e Zi, Bosnjen, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut në dhomën e pritjes; perspektiva është e zymtë. Ekonomia shqiptare ka qenë gjithmonë e dobët, informale dhe kriminale- dhe në vitet e fundit gjithmonë e më shumë e financuar nga krimi i organizuar.

Shpërthimi masiv i ndërtimeve në Tiranë nuk është asgjë veçse pastrim parash nga të ardhurat e krimit të organizuar shqiptar në Europë. Politika shqiptare i ka promovuar gjithmonë e më shumë këto interesa. Ajo është bërë gjithmonë e më shumë autokratike dhe demokracia e kufizuar. Trafikantët dhe vrasësit ishin në gjendje të futen në parlament. Që ata do të zgjidheshin edhe kryebashkiakë në shumë qytete, as nuk ishte menduar se do ishte e mundur në vitet ’90.

Shumë shqiptarë kanë braktisur vendin në vitet e fundit. Sipas agjencisë kërkimore Gallup (2017), 56 përqind e njerëzve duan të emigrojnë. Në vitin 2100, Shqipëria që ka tani 2.87 milionë banorë, do ketë vetëm 512 mijë të tillë.

Progres?

Shqipëria nuk është në tranzicion drejt anëtarësimit në BE. Një regjim autokratik po vendoset gjithmonë e më shumë. Pse euroburokratët këmbëngulin se Shqipëria ka bërë përparim? Neo-liberalizmi u prezantua në Perëndim, si dhe në vende të tilla si Shqipëria, dhe ai dështoi. Dallimi mes vendeve perëndimore dhe lindore është shtrirja e kësaj sëmundje dhe lidhja me sistemin e tyre imunitar. Në Perëndim, neo-liberalizmi dhe globalizmi kanë pjellë ‘post-demokracinë’ (Colin Crouch), në të cilën politikanët janë administratorë të thjeshtë të interesave ekonomike të disave, me shumicën e mbetur pa përfaqësim politik.

Vende si Shqipëria janë shembulli më dramatik i kësaj post-demokracie. Diktatura kaloi direkt në një post-demokraci, pa e provuar demokracinë. Ata ‘pak’ në Shqipëri janë kryesisht eksponentë të krimit të organizuar që kanë rrëmbyer shtetin, duke i bërë institucionet e tij asgjë më shumë sesa vegla për zgjerimin e fuqisë së tyre ekonomike. Mbështetja e SHBA dhe BE për narko-shtetin shqiptar buron nga refuzimi i tyre për të pranuar dështimin e neoliberalizmit dhe globalizimit. Miti i tranzicionit duhet të ruhet, sepse vende si Shqipëria janë ‘të ndryshme’ për shkak të kaluarës së tyre komuniste. Ato do i kapërcejnë këto dallime me ndihmën e BE.

Euroburokratët, njësoj si elitat e korruptuara të Ballkanit Perëndimor, dëshirojnë të vazhdojnë historinë e vjetëruar të tranzicionit për të ruajtur pushtetin e tyre. Ato paralajmërojnë publikun për lëvizjet populiste të majta dhe të djathta (apo për vendet që konsiderohen armike gjeopolitikisht si Rusia). Por është vetë BE dhe SHBA që kanë ndihmuar post-demokracisë- qoftë njerëzore apo çnjerëzore- në Europë.

Artikulli në origjinal:

https://www.volkskrant.nl/columns-opinie/het-westen-houdt-de-albanese-narcostaat-overeind~b2509011/?utm_campaign=shared_earned&utm_medium=social&utm_source=copylink&fbclid=IwAR3PKAXjzgpQEAn7yyJJTlNOrXyGg-vtsWy38vW3MO2pFqPG0_quHtjfqWg&referer=https%3A%2F%2Fl.facebook.com%2F

Modifikuar më Tuesday, 24 Mars 2020 21:27
Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...