Kurthi i harresës

E Enjte, 26 Mars 2020 16:42

Nga Qemal SAKAJEVA

Kisha vite që ngjarjet në Kosovë nuk i ndiqja me aq shumë intensitet sa debatin turravrap parlamentar të së mërkurës, 25 mars 2020, i thirrur në një ndër kohërat më të këqia (rreziku për copëtimin e territorit dhe kërcënimi me vdekje i COVID-19). E ndoqa me sy në ekran që nga fjala e parë  e seancës  tepër të gjatë për debatin e mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë Kurti, kërkuar nga LDK (me  gjysmën e pushtetit në qeveri e kudo), dhe deri në fund kur qeveria Kurti u rrëzua me 82 votë pro, 32 kundër, 1 abstenim. Që në mesnatën e asaj dite, koalicioni i arritur me shumë vështirësi gjatë 4 muajve me “po” e “jo” të ndërsjella Vetëvendosje - LDK, Republika e Kosovës është pa qeverinë e dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit 2019.

Diskutimet e panumërta kishin shumë egërsi njerëzore dhe infeksion politik, ngjashëm siç me mujshi qe thirrur seanca me ndërgojëza  COVID-19 lidhur në fytyrën e çdonjërit,  në distancë  sociale mes tyre e solucione dezinfektuese që i spërkatnin, enkas  për të mbrojtur jetët e deputetëve, por  të bëhej se as e çanin kryet për fatin e Kosovës në një udhëkryq të vështirë.

Politika në Kosovë është fundosur thellë në kurthin e harresës. Harresa edhe vjen. Ajo është si dregëza e plagës. Nëse ndodh që ngjarja shlyhet nga kujtesa, shenja mbetet në trup, mendja e shpirt. Më e keqja e çdo harrese është ajo që e lodh arsyetimin e shëndoshë dhe turbullon gjykimin për të ardhmen. Harresat i ndeshim përditë në Shqipëri. Por në Kosovë, harresa ka mbërritur siç duket më shpejt nga sa ka mundur njeriu ta mendjë!

Kaq vjet nga lufta e tmerrshme dhe pak vjet nga pavarësimi shumë i vështirë, shqiptarët në liri po përballen me  të tjera probleme. Për një imtë mendja të thotë: a mos është fshirë nga mendjet kolonializmi serb, përderisa  edhe breznia e 30-vjeçarëve nuk kupton, nuk flet e nuk shkruan më asnjë fjalë në serbisht? Madje, edhe intelektualë shumë të njohur, theksojnë me habi se, “po m’doket vetja sikur nuk kam folë kurrë serbisht”! Nëse harrohet që Serbia nuk zbret më në Kosovë, sepse e ndal Bondsteel e KFOR-i, a ka gjë tjetër që përvidhet nëndheshëm, për t’u derdhur në jazin e mullirit serb? Po, ka: bosnjëzimi i Kosovës troket frikshëm dhe, kjo e keqe mund të kaplojë vendin ngaqë, sipas thënies popullore “qeni i keq e ngrehë (e sjell) ujkun në torishtë (kasolle)”. “Korrigjimi i kufirit” është ujku dhëmbmprehtë  që ka hapur gojën për të copëtuar trupin e Kosovës. Më e paimagjinueshmja është se, vetë presidenti Hashim Thaçi, qysh gati dy vite më parë, e ka shpallur publikisht e botërisht, e ka mbrojtur me përsëritje të pafundme deklarimesh , madje pa pasur frikë nga askush në Kosovë e ka shpallur veten edhe autor të kësaj ideje të kundërshtuar fuqishëm. Pas kritikave të ashpra shqiptare, pas daljes kundër kësaj ideje sidomos nga Gjermania, por edhe ndonjë shtet tjetër, Thaçi dhe Vuçiç heshtën, dhe pati mjaft zëra që thanë se ideja vdiq. Por jo, ajo rri symbyllur në sirtar për  t’u zgjuar në kohën e duhur. Dhe kjo qarkullon gjithandej si një marrëveshje e arritur mes presidentit Aleksandër Vuçiç dhe presidentit Hashim Thaçi, për t’u vënë mbi tavolinën e bisedimeve e të firmoset si fakt i kryer.

A mund të ndalohet kjo sëpatë që rri mbi tokën e Kosovës?

Po, mund. Dhe s’ka rrugë tjetër përveçse, në këtë kohë të vështirë me koronavirus vrasës e korrigjim kufijsh për coptim, partitë  politike kryesore të Kosovës, por dhe të tjerat që kanë pak vota, duhet të bashkohen rreth të dy çështjeve, sepse populli po kërkon  të mbrohen kufijtë e vendit  nga rreziku serb dhe jetët e njerëzve nga  koronavirusi.  Për këtë fuqi mbrojtëse, Kosova e ka modelin te vetja: pas vitit 1990 e deri sa ndërroi jetë, Ibrahim Rugova, si asnjë figurë politike e shteteve të  Ballkanit, kreu një përpjekje titanike për ta vendosur çlirimin e Kosovës mbi tavolinat vendmmarrëse të botës, sidomos në Uashington e Bruksel, por dhe në Vatikan. E jashtëzakonshme ishte gjithashtu vendosmëria e tij duke u shprehur kudo, gjithmonë e para secilit udhëheqës të botës, se zgjidhja e vetme,  si kompromisi më i madh i Kosovës, ishte pavarësia. Presidenti Rugova arriti të kishte ndikim vetëm sepse rreth çështjes bashkoi të gjithë popullin dhe kahjet politike.

Kjo sot nuk është më e tillë dhe,  prej përçarjes së hatashme për pushtet dhe pasurim, rreziku ka mbërritur te dera.

Nëse për një numër forcash politike, ardhja në pushtet e Vetëvendosjes me Albin Kurtin kryeministër nuk duhet të ndodhte, rrëzimi i qeverisë Kurti nga gjysma tjetër e saj vetëm  pas  51 ditësh,  ishte ndëshkim i  Kosovës në kohë shumë të gabuar. Shkarkimi i papritur i ish-ministrit të brendshëm Agim Veliu  nga Podujeva u soll si shkak që çoi në rrëzimin si furtunë të qeverisë Kurti, njëlloj siç Gabriel Princip i “Dora e Zezë” serbe që vrau në Sarajevë arkidukën Franc  Ferdinand dhe gruan e tij Sofia, më 28 qershor 1914, e thonë si shkak të nisjes së  Luftës së Parë Botërore! Por Marko Gjuriç i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në qeverinë serbe, bëri një deklaratë shmangëse: “Ne nuk jemi të interesuar për intrigat e tyre”. Politkanët e Kosovës, a mos kanë harruar për çfarë është e interesuar Serbia?

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...