Uashingtoni luan me Ballkanin teksa flakët e COVID përfshijnë botën

Hënë, 06 Prill 2020 13:21

Nga JamesPardew
Çfarë interesi i mundshëm amerikan shërbehet nga diplomacia e sotme e administratës Trump që po destabilizon Kosovën, një vend i vogël dhe vurnerabël Ballkanik pro-Amerikan, gjatë një pandemie shëndetësore globale? Dhe pse do ta bënte këtë ekipi i Trump-it kur Sh.B.A e ndaloi Serbinë - me forcë - nga kryerja e gjenocidit në Kosovë në vitin 1999?
Kjo është shumë turbulluese pasi Sh.B.A ishte lojtari kryesor në fitimin e pavarësisë për Kosovën dhe që nga ajo kohë Kosova ka qenë vendi më pro-Amerikan në Evropë pas pavarësisë. E megjithatë, diplomacia e sotme amerikane po favorizon Serbinë, aleatin më të afërt të Rusisë në rajon.

I dërguari i Trump, Richard Grenell, ka intimiduar Kosovën në pranimin e kërkesave serbe, si pjesë e një "negociate" për të normalizuar marrëdhëniet midis dy vendeve.
Grenell udhëheq përpjekjen e tanishme diplomatike të SH.B.A. në Kosovë; ai mban gjithashtu postet e Ambasadorit të Sh.B.A në Gjermani dhe ushtrues i detyrës së Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare. Kjo është një gamë absurde detyrash për dikë me përvojë të kufizuar diplomatike dhe asnjë përvojë në inteligjencë.

Grenell raportohet se ishte një zhgënjim i plotë si ambasador në Gjermani, nëse standardi është një marrëdhënie bashkëpunuese me ndoshta aleatin më të rëndësishëm demokratik të Amerikës në Evropë. Zyrtarët gjermanë nuk mund të presin që Grenell të vazhdojë më tej.

Ambasadori amerikan në OKB Susan Rice e quajti Grenell "një nga njerëzit më të këqij, më të pandershëm që kam hasur ndonjëherë."

Serbia sot udhëhiqet nga Presidenti Aleksandar Vucic, një nacionalist serb që po përdor urrejtjen etnike si një mjet politik për të fituar mbështetjen politike vendase - ashtu siç bëri Sllobodan Millosheviç në vitet 1990. Sot, liderët serbë në Beograd vazhdojnë të nxisin ndarjen dhe armiqësinë në Bosnje dhe Kosovë. Vladimir Putin është i lumtur që ndihmon Beogradin në çdo gjë që minon unitetin e Evropës Perëndimore dhe Shteteve të Bashkuara.

Ajo që Trump dhe Grenell janë duke bërë tani në Kosovë, shkatërron në themel politikat e suksesshme amerikane në rajon.

Një parim amerikan që solli paqe në rajon deri në vitin 2008 ishte koncepti që kufijtë ishin fikse dhe se zgjidhjet politike duhet të gjenden brenda kufijve të kombeve të prekura. Marrëveshja e Ohrit që parandaloi luftën në Maqedoni tregon qartë se "nuk ka zgjidhje territoriale për çështjet etnike." Të drejtat, jo territori, janë zgjidhja për këto probleme.

Udhëheqja amerikane e një koalicioni të fortë partnerësh ndërkombëtarë përdorën diplomaci dhe forcë ushtarake të fortë për t'i dhënë fund gjenocidit serb në Bosnjë, për të ndaluar një katastrofë tjetër brutale humanitare në Kosovë dhe për të parandaluar një luftë civile në Maqedoni nga 1995 deri në 2008 pasi ish-Jugosllavia u shpërbë. Përpjekja e udhëhequr nga amerikanët në ish-Jugosllavi ishte një sukses i madh i politikës së jashtme për Sh.B.A-në në vitet e para pas rënies së regjimit Sovjetik.

Sot, Kosova është një shtet sovran demokratik, i njohur nga 97 kombe. Por Serbia ka përdorur ndikimin e saj për të bllokuar anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe institucionet e tjera ndërkombëtare. Si reagim, Kosova vendosi një tarifë 100 përqind për mallrat serbe që hyjnë në vend. Grenell është duke e shtyrë Kosovën të eliminojë tarifat për të lëvizur përpara me negociatat e ngecura.

Meqenëse sanksionet dhe tarifat ndërkombëtare janë politika të favorizuara të administratës Trump, kundërshtimi i Trump ndaj tarifave të ligjshme të importit të vëna nga Kosova si mjete ndërkombëtare shkon pëtej ironisë.

Për të bërë presion ndaj Prishtinës për të hequr embargon, SH.B.A-ja pezulloi ndihmën aq shumë të nevojshme për Kosovën. Disa zyrtarë në Uashington madje ngritën mundësinë e heqjes së kontigjentit të vogël të trupave amerikane në Kosovë që kanë qenë thelbësore për sigurinë e Ballkanit që nga viti 1999. Ky ishte një faktor kryesor që bëri që qeveria e Kosovës e kryeministrit Albin Kurti të binte teksa virusi COVID-19 u përhap në rajon. Kosova tani drejtohet nga një qeveri e dobët kujdestare.

Grenell duket se preferon qëndrimin e politikanit të vjetër kosovar dhe Presidentit aktual Hashim Thaçi, i cili ka favorizuar një marrëveshje me Beogradin, madje një marrëveshje që përfshinte një shkëmbim territoresh midis Kosovës dhe Beogradit.

Unë e këshillova Thaçin në një bisedë personale në Uashington më shumë se një vit më parë, se marrëveshja për shkëmbimin e territoreve ishte një mashtrim serb që nuk të çonte askund, dhe se ai nuk mund t'i besonte administratës Trump për asnjë negociatë me Beogradin. Ai i ka injoruar këshillat e mia.

Shumë pyetje e rrethojnë misionin e Grenell në Kosovë. Pse dikush me përvojë kaq të kufizuar dhe me një portofol kaq të rëndësishëm kombëtar do të angazhohej në negociata midis dy kundërshtarëve të dobët në Ballkan? Pse Grenell po mban një qëndrim pro-serb në bisedime? Pse SH.B.A po destabilizon një vend pro-Amerikan në një kohë kaq vulnerabël?

Këtu ka diçka që mban erë.

Si një entuziast i përkushtuar dhe luftarak i Trump, Grenell thjesht mund të jetë i dëshpëruar për të kënaqur shefin e tij.

Por unë dyshoj se ekziston diçka më shqetësuese, veçanërisht pasi unë mbetem thellësisht dyshues për marrëdhëniet e Trump me Vladimir Putin. Unë dyshoj - pa prova - që Putini i paraqiti Trump-it pikëpamjet e tij pro-serbe, theksoi se shqiptarët janë muslimanë dhe më pas i kërkoiTrump-it ndihmë në negociata.

Ashtu si me emërimet e tjera të konceptuara keqasi, Trump bëri shërbëtorin e tij besnik, Grenell-in agresiv dhe antagonist, njeriun kyç në Kosovë. Kjo do të ishte një dhuratë e lehtë për Putinin që kënaqet duke shkaktuar telashe - të çfarëdo lloji - në Evropë.

Të kesh një diplomaci të frymëzuar nga Trump-i të angazhuar në ish-Jugosllavi është si të lejosh një fëmijë dy-vjeçar të luajë me një qiri të ndezur pranë një mullari me barë të thatë.

Misioni i Grenell në Kosovë rrezikon të sjellëdestabilitetnë Ballkan dhe nuk i shërben interesit kombëtar amerikan. Politika e tanishme e Sh.B.A-së për Kosovën është paaftësia diplomatike në nivelin më të ulët, e ndoshta e keqpërdorur.

Teksa COVID-19 vërshon nëpër Shtetet e Bashkuara dhe Evropë, Grenell nuk duhet tëveprojë si i çoroditur në Ballkan, ku atij i mungojnë njohuritë, përvoja dhe aftësia diplomatike për të përmirësuar situatën.

Përkundrazi, SH.B.A. duhet të promovojë një qeveri të qëndrueshme të Kosovës për të trajtuar krizën e pandemisë shëndetësore. Marrëdhënia Kosovë-Serbi është një problem afatgjatë që meriton vëmendje serioze dhe profesionale diplomatike, dhe jo një politikë të njëanshme gjysmë të pjekur, e cila shkon në interes të Serbisë dhe Rusisë.

James W. Pardew është ish ambasador i SHBA në Bullgari dhe oficer karriere i inteligjencës së ushtrisë. Ai ka shërbyer si zëvendës ndihmës sekretar i përgjithshëm i NATO-s dhe është autor i librit "Paqebërësit: Udhëheqja Amerikane dhe Fundi i Gjenocidit në Ballkan".

Modifikuar më Hënë, 06 Prill 2020 18:00
Login to post comments