Kriza e Covid çon inflacionin e marsit në 2,1%, niveli më i lartë që nga gushti 2018

E Enjte, 09 Prill 2020 09:06

Rritja e çmimeve në disa artikuj ushqimore në fund muajit mars si pasojë e mbifurnizimeve që shkaktoi kriza e Covid -19, çoi inflacionin në muajin mars 2,1 % niveli më i lartë që nga gushti 2018.
INSTAT raportoi se një vit më parë ky ndryshim ishte 1,1 %. Ndryshimi mujor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin Mars 2020, krahasuar me Shkurt 2020, është 0,6 %.
Krahasuar me muajin mars 2019, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 4,6 %, pasuar nga grupet “Argëtim dhe kulturë” me 2,4 %, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 1,7 %, “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 0,9 %, “Pije alkoolike dhe duhan” me 0,8 %, “Hotele, kafene dhe restorante” me 0,7 %, “Shërbimi arsimor” me 0,2 %, etj.
Nga ana tjetër çmimet e grupit “Transporti” u ulën me 1,5 %, pasuar nga “Veshje dhe këpucë” dhe “Shëndeti” me 0,6 % secili, “Komunikimi” me 0,4 %.
Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “fruta” u rritën me 24,3 %, pasuar nga nëngrupet “zarzavate përfshirë patatet” me 8,2 %, “sheqer, reçel, mjaltë, çokollata, dhe ëmbëlsira” me 3,5 %, “peshk” me 2,6 %, “vajra dhe yndyrna” me 2,5 %, etj.
Ndryshimet mujore të grupeve kryesore: Krahasuar me muajin Shkurt 2020, çmimet e grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” u rritën me 1,8 %, pasuar nga grupet “Shëndeti” me 0,3 %, “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 0,2 %, “Pije alkoolike dhe duhan” me 0,1 %.
Nga ana tjetër çmimet e grupit “Transporti” u ulën me 2,2 %, pasuar nga grupet “Veshje dhe këpucë” me 0,5 %, “Komunikimi” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,1 % secili.
Sipas INSTAT Rritja vjetore e çmimeve në muajin mars është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +1,72 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me +0,34 pikë përqindje.
Çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” kanë kontribuar me +0,06 pikë përqindje.
Çmimet e grupit “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” kanë kontribuar me +0,05 pikë.
Çmimet e grupeve “Pije alkoolike dhe duhan” dhe “Hotele, kafene dhe restorante” kanë kontribuar me +0,03 pikë përqindje secili.
Çmimet e grupeve “Shërbimi arsimor” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” kanë kontribuar me +0,01 pikë përqindje secili.
Çmimet e grupit “Transporti” kanë kontribuar me -0,09 pikë përqindje.
Çmimet e grupeve “Veshje dhe këpucë” dhe “Shëndeti” kanë kontribuar me -0,02 pikë përqindje secili. Çmimet e grupit “Komunikimi” kanë kontribuar me -0,01 pikë përqindje.

Login to post comments