ANALIZA/ Strategjia e “suksesshme” e Ramës me Komitetin e Ekspertëve dhe problemi i vërtetë, Basha

E Enjte, 09 Prill 2020 17:44

Fitim Zekthi

Kur ka kaluar gati një muaj nga futja e vendit në gjendje të emergjencës natyrore, të futjes së njerëzve në izolim social për shkak të pandemisë së koronavirusit, mund të thuhet pa mëdyshje se Kryeministri Rama dhe qeveria e tij janë në një kaos të vërtetë. Ky kaos shihet te paqartësia e thellë mbi masat që duhen marrë, mbi ato që po merren, mbi mënyrën sesi ato duhet të merren. Ky kaos ka një shpjegim të thjeshtë.

I vënë përballë një gjendjeje të shkatërruar për shkak të dështimit sistemik shtatëvjeçar të ekonomisë së dobët, të varfërisë së njerëzve, të pafuqisë buxhetore, të një sistemi shëndetësor që mezi mbahet në këmbë, të korrupsionit etj., Kryeministri Rama duket se vendosi në qendër të strategjisë vetëm një gjë. Të dilte nga kjo situatë e rëndë e re që u shfaq pa dëme politike, të mbante gjallë ëndrrën për një mandat të tretë (por edhe të katërt apo të pestë) dhe madje të mund ta përdorte këtë krizë për të dalë si shpëtimtar i vendit.

Është në natyrën e politikanëve të dështuar dhe të atyre që jetojnë vetëm për politikën, të atyre që kanë për alfa dhe omega veten e tyre në pushtet dhe asgjë tjetër, që të përpiqen edhe në momentin më të keq, që të përdorin edhe fatkeqësinë më të madhe për të marrë përfitim politik dhe mundësisht për të triumfuar. Nuk po analizojmë ëndërrimet e Musolinit kur iu shkatërrua ushtria në Greqi në 1943-in pak para kapitullimit se si ai do të ringrihej më i fortë dhe se si ai mund të përdorte këtë krizë për një grupim forcash apo se si mendonte Hitleri për t’u ringritur më i fortë kur u rrethua armata (me gati 2 milionë ushtarë) e Fon Paulusit në Stalingrad.

Si pasojë e kësaj përpjekjeje, Rama është i zhytur në kaos, sepse i duhet jo vetëm të mbulojë dështimin, që tashmë del lakuriq, por edhe të bindë njerëzit se po bën gjënë më të mirë, më heroiken në mbrojtje të jetës së tyre në një kohë që po bën gjëra krejtësisht të gabuara.

Në ditën e tretë të shpalljes së izolimit social, 13 mars, Rama folI gati gjysmë në televizor. Pasi u përpoq të tregojë se i dhimbsen shumë njerëzit, se ai nuk donte kurrë të merrte masa si ndalimi i makinave apo vendosja e orareve për të dalë, pasi tha se ai ishte i fundit në botë që ua kërkonte këto njerëzve, pasi tha se ai u kërkonte 1 mijë herë falje, foli për strategjinë në përballjen me koronavirusin. Rama tha se “këtë virus do ta marrë deri 70% e popullsisë, se 80% e këtij 70% do ta kalojë pa simptoma, se pjesa tjetër do të kenë simptoma të qarta dhe vetëm pak, rreth 5% e 70%-it, do të kishin nevojë për mjekim spitalor dhe do të bëheshin keq. Në mënyrë që spitalet tona të mos mbyteshin me pacientë si Italia, atëherë, ne, tha Rama, do të luftojmë që të ngadalësojmë përhapjen e virusit dhe t’u japim kohë spitaleve.

Ndërkohë, dy ditë më parë, 7 prill, ministrja Manastirliu tha se “…ne synojmë dhe do t’ia dalim të ndërpresim zinxhirin e transmetimit të infeksionit”. Pra, nuk do ta marrin 70 %, siç tha Rama. Të ndërpresësh zinxhirin e transmetimit, do të thotë që askush nuk e transmeton dot virusin tek askush. Kjo mund të bëhet vetëm me karantinë burg, ku 2,5 milionë shqiptarë hyjnë secili në qeli më vete dhe e marrin ushqimin nga dera nga njerëz të sigurt. (A nuk thonë studimet se virusi rri edhe në ajër, a nuk thonë studimet se virusi jeton në sipërfaqe të qelqta apo prej metali edhe disa ditë?). Deri më sot ka folur për ndërprerje të zinxhirit vetëm Kina dhe asnjë vend tjetër.

Mjeku Pëllumb Pipero tha në televizion rreth një javë më parë se me masat që ka marrë qeveria shqiptare, do të infektohen vetëm 30-40% e popullsisë. Nëse nuk ndërpritet zinxhiri, si është e mundur që virusin ta marrin vetëm 30%, kur institutet më prestigjioze në botë thonë se po nuk u ndërpre zinxhiri, atë do ta marrë të paktën 70%. Si do të rrijë ky virus vetëm te 30% e njerëzve?

Rama thotë se ai gjithçka e bën nga vendimi i Komitetit të Ekspertëve. Ata vendosin, tha ai, për gjithçka. Hajde merre vesh nëse Komiteti i Ekspertëve mendon si Rama, pra, që do të përhapet tej 70% dhe strategjia synon mospërmbytjen e spitaleve, mendon si Manastirliu që thotë do e ndërpresim apo si Pipero që thotë se do TA marrë gjysma e asaj që thotë Rama.

Më pas, Rama njoftoi masat më të ashpra pas atyre të Kinës deri sa po mbërrijmë deri te burgu. Gradualisht, izolimi u bë më i fortë. Nga ora 13:00 e së shtunës deri në 05:00 të së hënës nuk lejohet të dalë askush. Cili ekspert mendon të kombinojë karantinën e plotë, varianti i Kinës, me distancimin e quajtur social. Pra, cili ekspert, cili epidemiolog apo virolog mendon dhe i thotë Ramës se virusi gjatë javës duhet ndalur me distancim social dhe në fundjavë me karantinë. Nuk ka në faqe të dheut asnjë ekspert në botë, asnjë studim që të thotë se duhet bërë ky budallallëk me brirë. Vendet diktatoriale si Kina bëjnë karantinë të dhunshme gjithë javën dhe gjithë muajin dhe ato demokratike bëjnë distancim po gjithë javën. Pa dyshim që është Rama vetë që vendos dhe kjo bëhet vetëm për të shokuar popullatën duke i thënë asaj se gjendja është aq e rrezikshme sa më duhet çdo pushtet dhe më duhet besuar për gjithçka, sepse unë do ju shpëtoj. Këtu kemi sakralizim të pushtetit të Ramës përmes kërcënimit dhe dhunës në mënyrë që jo vetëm të fshihet dështimi, por të kalohet në anën e shpëtimtarit.

Sa u përket testimevem Shqipëria kryen rreth 90-100 të tilla në një ditë. Ky është një numër tmerrësisht i vogël po të shohësh Italinë, Maqedoninë, Turqinë, Greqinë, lëre më Izraelin apo Korenë e Jugut që kanë shifra të pamendueshme. Kryeministri Rama e ka shpjeguar vetë mekanizmin e testimeve. Ai tha në 3 prill se Shqipëria nuk kryen testime masive si Gjermania apo Italia, por kryen testime të njerëzve me simptoma të qarta dhe bën gjurmim epidemiologjik. Kjo do të thotë se përpiqet të gjejë të gjithë njerëzit, me të cilët ka kontaktuar një person të infektuar. Sipas Ramës kjo është metoda më e mirë, metodë e përdorur edhe nga Koreja e Jugut. Këtë argument e mbrojti më pas edhe ministrja Manastirliu.

Çështja është se metoda e Koresë së Jugut pati efikasitet duke u përdorur siç e bënë ata. Ata bënin gjurmim epidemiologjik të kontakteve, por edhe testonin në numra jashtëzakonisht të mëdhenj. Kjo metodë nuk ka efekt kurrë nëse nuk ka testime të gjera. Edhe sikur epidemiologët e terrenit të gjejnë të gjitha kontaktet e një personi të infektuar, ata nuk e dinë se cilën dorezë në dyqan apo cilën derë në farmaci ka prekur ky person ditët e fundit dhe sa njerëz e kanë prekur atë derë. Në Kore, për çdo të infektuar janë testuar 3 mijë të tjerë. Te ne, për çdo të infektuar janë testuar 5 të tjerë. Kjo është çmenduri.

Pra, testimi vetëm ngushtësisht i kontakteve (edhe po të gjenden) nuk të çeçon gjëkundi. Cili ekspert apo komitet teknik mund t’ia kërkojë Ramës këtë skemë? John Ioanidis, epidemiolog në Stanford, shkruante se në qoftë se nuk ka testime masive si sondazhet zgjedhore, atëherë nuk luftohet kurrë koronavisusi. (Në fakt, Rama, me sa duket, mendjen e ka edhe sot te sondazhet zgjedhore. Ato duket i bën, i porosit…). Revista më e vjetër mjekësore në botë dhe nga më prestigjiozet “The Lancet”, shkruante se të gjitha vendet që nuk përdorin testimet masive, do të dështojnë turpshëm. Drejtori i Kolegjit Imperial në Londër, Neil Ferguson, një nga shkencëtarët më të njohur në botë, thotë se zgjidhja janë vetëm testimet masive.

Në fakt, e vërteta jonë është më ndryshe. Pa u shpallur ende gjendja e emergjencës, por kur koronavirusi ishte bërë alarm dhe Instituti i Shëndetit Publik bënte testime, një nga ekspertet më të mira, Silva Bino (dikur drejtoreshë e ISHP), tha se Shqipëria ka kapacitet të kryejë 60-100 testime në ditë. Në qoftë se do të kemi një emergjencë të madhe, tha ajo, “ne mund të arrijmë me sakrificë deri në maksimumi 500 testime në ditë”. Pra, Rama flet kot. Ai nuk bën testime se nuk mund t’i bëjë dot. Pra, këtu kemi një kontradiktë mes asaj që thotë Rama, ministrja Manastirliu dhe ekspertja Bino.

Të mërkurën e kaluar, ekspertja Silva Bino tha se Shqipëria e arriti pikun. Ndërkohë, eksperti Pëllumb Pipero tha se Shqipëria mund ta arrijë pikun këtë javë. Ministrja Manastirliu u shpreh dy ditë më parë se piku mund të arrihet në ditët në vijim. Kryeministri Rama u shpreh ditët e para të shpalljes së gjendjes së emergjencës se në javën e dytë dhe të tretë do të kemi pikun e infektimeve. Hajde e merre vesh tani se ku vendos Rama dhe ku vendos Komiteti i Ekspertëve.

Është e thjeshtë fare, nuk ka një komitet ekspertësh që vendos dhe që “urdhëron” Ramën. Ka vetëm një “ekspert” që urdhëron Ramën. Ai është Rama vetë. Dhe vetëm kështu mund të jetë. Në këtë situatë dështimi ekstrem të qeverisjes së tij dhe në këtë situatë pamundësie të plotë për ta përballur pandeminë me metodat dhe mënyrën se si bën Greqia apo Serbia, si bën Turqia apo Koreja, me mënyrën se si flasin institutet shkencore në botë apo me mënyrën se si flasin shkencëtarët e botës, atij i duhet të arnojë, të bëjë bashkë copëra masash dhe metodologjish, duke krijuar një masë apo një metodologji të re të vetën, që ka për qëllim vetëm pushtetin e tij politik. Që kjo të bëhet, ai duhet të jetë në krye të gjithçkaje dhe çdo kosto, çdo gabim, çdo dështim ai duhet ta transferojë te të tjerët.

Ky transferim është një proces psikologjik që motivon vetë Kryeministrin, e bind atë vetë në legjitimitetin e akteve të tij, i bën njerëzit (po të jetë e mundur) që të ndIhen fajtorë dhe të shohin tek ai një shpëtimtar. Në këtë humbellë ku ka rënë vendimmarrja e Kryeministrit Rama, në këtë shajni ku gjendet vetë Kryeministri, opozita do të jetë e para që do të sulmohet egërsisht, sepse ajo, duke qenë një organizëm politik me vetëdije të qartë, e kupton të gjithë këtë marrëzi të qeverisë dhe Kryeministrit. Basha është kthyer sot në problemin e vetëm të Ramës dhe të qeverisë dhe ai duhet dërrmuar, sulmuar, deligjitimuar me çdo mjet.

Njihen në shkencat sociale raste të shumta kur njerëz të ndryshëm që bëjnë gjëra të këqija apo shkatërrimtare, përpiqen t’ua hedhin fajin të tjerëve. Në mjaft prej këtyre rasteve, ndodh që personat që shfaqin sjellje problematike apo bëjnë akte të tilla, përpiqen që cilësitë që i kanë vetë ata, t’ua atribuojnë psikologëve, mësuesve apo edhe kritikëve të tyre, atyre që mundohen t’u thonë se ku është problemi dhe si ta rregullojnë atë. Raste të tilla gjen të përshkruara hollësisht që nga Sigmund Freud e Karl Jung dikur e deri te Martin Seligman apo Kurt Abraham më vonë. Këtë sjellje Freud e ka quajtur “transferim”.

Transferimi, duke e çuar fajin, autorësinë dhe përgjegjësinë te dikush tjetër, është një formë e pastër gënjeshtre. E gjithë kjo që bën Rama, në thelb është vetëm gënjeshtër e pastër.

Login to post comments