Nga Avokat Ledio Braho
Avokat Ledio Braho, ekspert i së Drejtës Ndërkombëtare, në intervistën për gazetën “Telegraf”, analizon pse Gjykata e Drejtësisë të Bashkimit Europian pezulloi Dhomën e Disiplinës të Drejtësisë në Poloni dhe, duke bërë analogjinë e Vetingut në Shqipëri me Dhomën e Disiplinës të Polonisë, pohon se organet e Vetingut në Shqipëri janë emëruar drejtpërdrejt nga mazhoranca e Parlamentit shqiptar, kësisoj, KPK dhe KPA cenojnë standartin e një gjykate të pavarur, të paanshme, sipas legjislacionit të Bashkimit Europian. Zoti Braho pohon se BE-ja ka dijeni për mënyrën e zbatimit të Reformës në Drejtësi në Shqipëri dhe thotë se ky eksperiment dështoi në Shqipëri, sepse dështoi të krijonte një sistem drejtësie të pavarur dhe të paanshme, të pakorruptuar. Zoti Braho pohon se vetingu në Shqipëri përdoret edhe si shantazh nga mazhoranca ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve. Zoti Braho, duke argumentuar se mazhoranca parlamentare ka kapur Drejtësinë shqiptare, thotë se treguesi i kapjes së Drejtësisë shqiptare nga mazhoranca e Rilindjes Socialiste është konflikti i saj me Presidentin e Republikës për vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese.
– Zoti Braho, Gjykata e Drejtësisë e Bashkimit Europian i ka kërkuar Polonisë që të ndërpresë veprimtarinë e saj Dhoma e Disiplinës, e cila u zgjodh nga Parlamenti polak që të hetojë gjyqtarët, (strukturë e ngjashme me Vetingun në Shqipëri) me arsyetimin se ky kontroll cënon pavarësinë e gjyqtarëve. Pyeta është: A nuk është ky rast analog edhe me veprimtarinë e Vetingut në Shqipëri, ku ky komision është votuar nga Parlamenti, sikurse në Poloni?
– Në vitin 2017 Polonia adoptoi një regjim të ri disiplinor për gjyqtarët e Gjykatës së Lartë (Sąd Najwyższy) dhe gjykatave të zakonshme. Në këtë mënyrë, brenda Gjykatës së Lartë u krijua Dhoma Disiplinore (Izba Dyscyplinarna). Dhoma Disiplinore, nën juridiksionin e saj, gjykon si shkallë e parë inter alia çështjet disiplinore ndaj gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë dhe në nivel apeli çështjet disiplinore ndaj gjyqtarëve të gjykatave të zakonshme.
Në kushtet kur duke aplikuar regjimin e ri disiplinor për gjyqtarët, Polonia dështoi të përmbushte detyrimet e saj ndaj legjislacionit europian, Komisioni Europian inicioi një procedurë në Gjykatën e Drejtësisë të Bashkimit Europian me pretendimin se regjimi i ri disiplinor nuk garanton pavarësinë dhe paanshmërinë e Dhomës Disiplinore që përbëhet vetëm nga gjyqtarë të zgjedhur nga Këshilli Kombëtar Gjyqësor (Krajowa Rada Sądoënictëa), organ ky që përbëhet nga 15 gjyqtarë të cilët të gjithë janë zgjedhur nga Dhoma e Ulët e Parlamentit (Sejm).
Në një vendim të vitit 2019, Gjykata e Drejtësisë e Bashkimit Europian, në bazë të një pyetjeje të referuar nga Gjykata e Lartë e Polonisë – Dhoma e Punës dhe Sigurimeve Shoqërore (Sąd Najwyższy – Izba Pracy i Ubezpieczeń Społecznych), konstatoi, inter alia, se legjislacioni i BE-së përjashtonte çështjet në lidhje me zbatimin e ligjit të BE-së nga juridiksioni ekskluziv i një gjykate e cila nuk është një gjykatë e pavarur dhe e paanshme. Kjo vendimmarrje është arsyetuar duke konsideruar rrethanat objektive në të cilat është formuar gjykata në fjalë, karakteristikat e saj dhe mekanizmin me të cilin janë emëruar anëtarët e saj, çka krijon dyshime legjitime te subjektet e së drejtës në lidhje me mosndikimin e gjykatës ndaj faktorëve të jashtëm, në veçanti, sa i përket ndikimit të drejtpërdrejtë ose të tërthortë të pushtetit legjislativ dhe atij ekzekutiv dhe neutralitetit të saj në lidhje me interesat para saj dhe, për rrjedhojë, mund të sjellë si rezultat që gjykata të mos konsiderohet e pavarur ose e paanshme duke sjellë si pasojë paragjykimin e besimit që drejtësia në një shoqëri demokratike duhet të frymëzojë te subjektet e së drejtës.
Më pas, vetë Gjykata e Lartë e Polonisë, duke iu referuar jurisprudencës së Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Europian, si dhe duke pasur parasysh rrethanat në të cilat ishte e formuar Dhoma Disiplinore, shtrirja e kompetencave të saj, përbërja e saj dhe përfshirja e Këshillit Gjyqësor Kombëtar në formimin e saj, arriti në përfundimin se Dhoma Disiplinore nuk mund të konsiderohet si gjykatë në kuptim legjislacionit të BE-së apo dhe atij polak.
Pavarësisht kësaj vendimmarrje, Dhoma Disiplinore vijoi të kryente funksionet e saj duke gjykuar çështjet disiplinore ndaj gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë dhe atyre të gjykatave të zakonshme. Në këto kushte, ishte Komisioni Europian ai që inicioi procedurën në Gjykatën e Drejtësisë së Bashkimit Europian e cila më datë 8 prill vendosi si masë sigurie pezullimin e funksionimit të Dhomës Disiplinore deri në marrjen e një vendimi përfundimtar.
Megjithëse duhet pritur vendimi përfundimtar i Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Europian, mutatis mutandis, duke iu referuar jurisprudencës së saj në lidhje me këtë çështje, arrijmë në përfundimin se emërimi i anëtarëve të KPK dhe KPA (dy organet e vetingut në Shqipëri) është pikërisht në të njëjtat kusJUhte si emërimi i anëtarëve të Dhomës Disiplinore të Gjykatës së Lartë në Poloni. Madje, nëse në rastin e Polonisë, ndërhyrja e legjislativit është e tërthortë pasi ky i fundit zgjedh Këshillin Kombëtar Gjyqësor të Polonisë dhe ky organ zgjedh gjyqtarët e Dhomës Disiplinore, në rastin e Shqipërisë ndërhryja është direkte, pasi si anëtarët e KPK, ashtu dhe ata të KPA, janë zgjedhur në mënyrë të drejtpërdrejtë nga Parlamenti dhe vetëm me vullnetin e maxhorancës qeverisëse pasi opozita e bojkotoi si proces. Ky është një tregues i mjaftueshëm për të arritur në përfundimin se KPK dhe KPA cënojnë standardin e një gjykate të pavarur dhe të paanshme sipas legjislacionit të BE dhe jurisprudencës së Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Europian.
– Cili është mendimi juaj për veprimtarinë e Vetingut në Shqipëri?
– Si fillim duhet sqaruar fakti se sistemi i drejtësisë në Shqipëri kishte një nevojë imediate për reformim në mënyrë që të luftohej korrupsioni dhe mungesa e theksuar e profesionalizmit. Por mënyra se si po kryhet ky proces që nga konceptimi i reformës në drejtësi e deri te zbatimi i saj, tregon se ka dështuar në rritjen e perceptimit të publikut në një sistem drejtësie të pavarur, të paanshëm, të pakorruptuar dhe profesional edhe pse kanë kaluar 3 vite nga nisja e punës së organeve të vetingut. Përkundrazi, sot sistemi i drejtësisë në Shqipëri pasqyron një vend anëtar të Këshillit të Europës dhe kandidat për anëtar në Bashkimin Europian që nuk ka Gjykatë Kushtetuese prej 3 vjetësh, nuk ka Gjykatë të Lartë funksionale dhe është në ngërç edhe sa i përket gjykatave të zakonshme
– Atëherë, pse Bashkimi Europian e mbështet vetingun në Shqipëri. Ndërkohë Dhomën e Disiplinës në Poloni e refuzoi, derisa iu drejtua Gjykatës së Drejtësisë të BE për ta pezulluar?
– Bashkimi Europian, që në nisje të konceptimit të reformës në drejtësi, ishte në dijeni të plotë që një reformë e strukturuar në mënyrë të tillë do të dështonte pasi kishte dështuar më parë edhe në vende si Serbia, Bosnje dhe Hercegovina apo dhe Kroacia që u anëtarësua në Bashkimin Europian duke e lënë pa zbatuar një reformë të tillë. Arsyeja se pse procese të tilla dështuan në këto vende kishte të bënte pikërisht me ndërhyrjen e politikës për të shfrytëzuar mekanizmat e reformës për kapjen e sistemit të drejtësisë.
Rasti i Polonisë ndryshon nga Shqipëria për shkak të faktit se Polonia është anëtare e Bashkimit Europian dhe legjislacioni i Bashkimit Euriopian është i detyrueshëm për t’u zbatuar nga institucionet e Polonisë e po ashtu edhe nga gjyktatat e saj. Pra është pikërisht ky legjislacion që garanton pavarësinë dhe paanësinë e pushtetit gjyqësor në Poloni dhe juridiksionin e Gjykatës së Drejtësisë të Bashkimit Europian për të gjykuar përputhjen e legjislacionit vendas me atë të BE-së. Ndërkohë në rastin e Shqipërisë, duke mos qenë anëtare e Bashkimit Europian, mungon një mekanizëm i tillë çka sjell si pasojë edhe aplikimin e një standardi të ndryshëm në reformën e drejtësisë në Shqipëri nga ajo në Poloni.
– Bashkimi Europian, madje kërkoi nga Maqedonia e Veriut para disa muajsh, që të ndërpriste Reformën në Drejtësi sipas modelit që po zbatohet këtu. Mos vallë vetë BE zbaton në Shqipëri dy standarde? Apo në Shqipëri bëjnë eksperimente?
– Bashkimi Europian e ka mbështetur që në fillim reformën në drejtësi në vendin tonë madje duke marrë një rol tepër aktiv, për këtë arsye besoj që e ka edhe të gjithë informacionin në lidhje me produktin e kësaj reforme deri tani. Pavarësisht kësaj, e ka të pamundur politikisht që sot ta denoncojë zbatimin e kësaj reforme edhe pse ka sjellë efekt të kundërt me pritshmërinë fillestare. Eksperimenti ka dështuar me sukses dhe normalisht që nuk do aplikohet askund tjetër, për më tepër që tani janë ndërgjegjësuar që reforma të tilla të ndërmarra nga maxhorancat qeverisëse cënojnë demokracitë edhe në vende të Bashkimit Europian si rasti i Polonisë.
– A është pasojë e Vetingut, që Shqipëria është 3 vjet pa Gjykatë Kushtetuese, tashmë pa Gjykatë të Lartë dhe me mungesa të mëdha në shkallët e Gjykatave dhe prokurorisë?
– Pa dashur të jap opinion në lidhje me shkarkimet e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese apo atyre të Gjykatës së Lartë (nëse kanë qenë vendimmarrje të drejta apo jo sa i përket themelit të tyre), mënyra e konceptimit të vetingut si një proces top-down (nga lartë poshtë) ka sjellë mosfunksionimin e këtyre gjykatave prej 3 vjetësh. Për Gjykatën Kushtetuese që është i vetmi organ që zgjidh mosmarrëveshjet kushtetuese dhe bën interpretimin përfundimtar të Kushtetutës si dhe që vendos për pajtueshmërinë e ligjeve e akteve normative me Kushtetutën duhet të ishte ndjekur formulë tjetër në mënyrë që për çdo shkarkim të gjyqtarëve të saj të kryhej në mënyrë të menjëhershme dhe emërimi i gjyqtarit zëvendësues. Në këtë mënyrë do të shmangej kriza e thellë kushtetuese, institucionale apo dhe zgjedhore që ka mbërthyer demokracinë në vend prej më shumë se dy vitesh tashmë. Është pikërisht ky strukturim i gabuar i vetingut që ka sjellë për pasojë edhe mungesën e Gjykatës Kushtetuese si dhe për rrjedhojë cënimin e demokracisë në vend.
Zgjidhja më e mirë do të ishte që vetingu të iniciohej nga nivelet e shkallëve të para ku është dhe mundësia për zëvendësimin e personave të shkarkuar me magjistratë të rinj të emëruar nga KLGj dhe KLP pas mbarimit me sukses të Shkollës së Magjistraturës. Vetëm një konceptim i reformës në këtë mënyrë nuk do të pasohej me ngërç, kaos dhe mosfunksionim të sistemit të drejtësisë, pasoja këto që pushteti gjyqësor po i vuan prej 3 vitesh e nuk dihet për sa do vijojnë ende.
– A mendoni se Vetingu, si institucion, ka pavarësi nga pushteti ekzekutiv dhe legjislativ?
– Gjykata Kushtetuese e ka trajtuar më shumë se një herë parimin e pavarësisë së gjykatave ku duhet të përfshihen dhe organet e vetingut. Sipas Gjykatës Kushtetuese pavarësia e gjyqësorit kuptohet si pavarësi substanciale, që do të thotë “liri e gjykatave për të dhënë vendime, të cilat nuk bazohen në interesat e ndonjë dege tjetër të pushtetit”; pavarësi strukturale që lidhet me parashikimin në Kushtetutë apo në ligj të ekzistencës së institucionit, të mënyrës së formimit të përbërjes së tij; pavarësi organizative që përfshin strukturimin e brendshëm administrativ të gjykatave; pavarësi financiare që nënkupton autonomi në hartimin e buxhetit nga vetë institucioni dhe miratimin nga legjislativi, si një zë i veçantë i buxhetit të shtetit, fonde të përshtatshme e të mjaftueshme për të realizuar qëllimin dhe detyrat e institucionit e sovranitet në lidhje me administrimin e fondeve të akorduara; si dhe pavarësi personale, që kërkon emërim në bazë të kritereve objektive, imunitet, garanci ekonomike, garanci për karrierën, sistem të transferimit dhe një sistem disiplinor.Pavarësia e gjyqësorit ka dy komponentë realë të saj që janë: paanshmëria dhe pavarësia e gjyqtarit dhe e gjykatës. Paanshmëria i referohet një qëndrimi subjektiv të gjyqtarit në lidhje me çështjen dhe me palët pjesëmarrëse në të, ndërsa pavarësia, e cila duhet të bazohet në ekzistencën e disa kushteve dhe të garancive objektive nënkupton jo vetëm një qëndrim të caktuar ndaj ushtrimit të funksionit gjyqësor, por dhe një pozitë ose marrëdhënie në raport me të tjerët, veçanërisht me pushtetin ekzekutiv.
Pavarësia nuk është qëllim në vetvete ose një mënyrë për të siguruar pozicionin profesional të gjyqtarëve për të mirën e tyre, por është një mjet për të arritur qëllimet e një shoqërie të drejtë dhe të përparuar. Për këtë arsye, pavarësia shoqërohet me mjete për të siguruar, që gjyqtarët dhe gjyqësori në tërësi, të veprojnë në përputhje me parimet dhe interesat legjitime të një shoqërie demokratike.
Pyetja që lind është nëse organet e vetingut i plotësojë këto elementë apo jo, pasi mosplotësimi i qoftë dhe njërit prej këtyre elementeve sjell cënimin e pavarësisë së këtyre organeve. Fakti që të gjithë anëtarët e këtyre organeve janë zgjedhur nga legjislativi vetëm me vullnetin e maxhorancës qeverisëse e po ashtu edhe që maxhoranca ka mbajtur flamurin e vetingut e po ashtu publikisht e ka përdorur këtë proces si mjet shantazhi ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve tregon më së miri që nuk jemi në kushtet e një vendimmarrje të pavarur. Këtu duhet të shtojmë edhe faktin që një pjesë e anëtarëve të këtyre organeve janë zgjedhur edhe në kundërshtim me kushtet formale e parashikuara në legjislacionin në fuqi, çka i bën vendimmarrjet e tyre si jo të marra në kushtet e një gjykate të krijuar me ligj.
– A është e kapur Drejtësia e reformuar, derisa drejtues edhe në institucionet e reja të krijuara nga Reforma në Drejtësi, sikurse KED është personi që ka 7 vjet anëtar i Gjykatës së Lartë me mandat të skaduar dhe kryetarët e institucioneve u përzgjodhën ata që hartuan reformën në drejtësi?
– Pa dashur që të trajtoj çdo organ në mënyrë individuale, pasi është e mjaftueshme që të theksohet se të gjithë organet e drejtësisë, si ato që kanë qenë e që janë rrënuar për shkak të vettingut (që e analizuam më sipër se përse nuk mund të konsiderohet i pavarur) e po ashtu edhe ato që janë krijuar rishtazi nga reforma në drejtësi janë emëruar gjatë kohës së një qeverisjeje, apo emrat që janë pozicionuar në një sërë organesh janë parashikuar në publik që pa u iniciuar procedurat e emërimit (vetëm duke iu referuar kritereve), po ashtu shumë organe janë zgjedhur mes një numri minimal kandidaturash apo në disa raste dhe nën numrin minimal (edhe në rastet që ka pasur numër të konsiderueshëm kandidaturash, pjesa dërrmuese janë skualifikuar ose shkarkuar nëpërmjet procedurës së vettingut), janë organe të kapura.
Megjithatë, treguesi më i qartë i vullnetit për kapje të sistemit të drejtësisë nga maxhoranca, është konflikti i kësaj të fundit me Presidentin e Republikës për vakancat në Gjykatën Kushtetuese. Draft opinioni i Komisionit të Venecias foli qartë për veprimtarinë e drejtë të Presidentit dhe procedurën antikushtetuese të KED dhe Parlamentit, e po ashtu e njëjta linjë u ndoq edhe për iniciativën ligjore për shmangien e Presidentit nga betimi i gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
– Shumë gjyqtarë dhe prokurorë, të cilët vetingu i përjashtoi nga Gjyqësori, i janë drejtuar Gjykatës së Strasburgut, pasi mendojnë se vendimi ndaj tyre është i pabazuar në ligj. Nëse këta fitojnë të drejtën, a duhet të ndërpritet veprimtaria e Vetingut?
– Ky është një element që do të vendoset nga Gjykata, nëse duhet të vijojë apo jo si proces, por ajo se çka është e sigurtë është që duhet të rregullohen pasojat për të gjithë ata magjistratë që janë shkarkuar si pasojë e një procesi të parregullt ligjor ku përfshihen edhe parime si ai i gjykatës së krijuar me ligj apo i pavarësisë dhe paanësisë së organeve të vetingut.
-Sipas jush, cila është rrugëzgjidhja nga kolapsi i krijuar në drejtësi si pasojë e keqzbatimit të Reformës në Drejtësi?
– Në kushtet aktuale, për të tejkaluar ngërçin dhe kapjen ku është përfshirë sistemi drejtësisë, ka vetëm një zgjidhje, propozimi i disa alternativave për amendime të Kushtetutës dhe ligjeve të paketës së reformës në drejtësi dhe përzgjedhja e alternativës së duhur me referendum popullor, pasi në fund fare qëllimi kryesor i reformës në drejtësi është rritja e perceptimit të publikut në sistemin e drejtësisë.