Teknologjia, 5G-ja dhe Shqipëria

Hënë, 22 June 2020 15:55

BUJAR LESKAJ & RINALD MUÇA
Atëherë, ashtu si edhe tani, teknologjia është çelësi i mbijetesës sonë”. Me këto fjalë e hap librin e tij “Pale Blue Dot” Carl Sagan, pionieri i popullarizimit të shkencës në shekullin XX, frymëzuar nga një foto e Tokës, shkrepur afro 6 miliardë km larg saj prej sondës hapësinore Voyager 1, në vitin 1990. Nën efektin e kontekstit historik të kohës, Sagan shihte te teknologjia dhe mëma e saj, shkenca, një faktor unifikues botëror pas ndasive ideologjike të Luftës së Ftohtë. Dhe ngjarjet që rrodhën pas rënies së Murit të Berlinit i dhanë të drejtë. Interneti dhe teknologjitë e lidhura me të njohën një rritje të pazakontë në vitet ’90, veçanërisht në gjysmën e dytë të tyre e në vijim, rritje e cila, amplifikuar nga teknologjitë jokabllore dhe veçanërisht telefonat smart, e bënë botën më të vogël, më të integruar vertikalisht e horizontalisht në prodhim e industri, më homogjene në politikë e kulturë, më të ndërvarur në tregtinë e produkteve dhe ideve e pa dyshim unike në historinë njerëzore, sepse ëndrrën e kahershme të perandorive për të sunduar botën përmes shpatës, fesë apo parasë, tashmë e realizoi vetvetishëm teknologjia. Bota nisi të shndërrohej në “një fshat të madh”, siç do të shpreheshin ithtarët e globalizimit, e në proces u krijuan miliona vende pune, duke riorientuar ekonomitë e vendeve të zhvilluara e ato në zhvillim, rritur eficiencën e të bërit biznes dhe pse jo, bërë më shumë miq dixhitalë sesa realë.

Por shkenca, e veçanërisht bija aplikative e saj, teknologjia, ka ecur krah për krah pushtetit politik e fuqisë ushtarake përgjatë historisë njerëzore. “… eksplorimi rrallëherë motivohet vetëm nga kurioziteti, – shkruan një tjetër astrofizikan i njohur, Neil deGrasse Tyson, në librin e tij “Açessory to War”. – Përtej vellos shkencore, ekspeditat gjithnjë janë financuar nga individë të uritur për dominancë politike, kulturore, ekonomike apo ushtarake”. Testament historik i këtij fakti është anija HMS Beagle, një brigë luftarake e Flotës Mbretërore, në të cilën Charles Darwin katalogoi krahas gurëve, guaskave e fluturave, edhe idetë e tij për Teorinë e Evolucionit, ndërkohë që kapiteni i anijes, Robert FitzRoy, katalogonte vendet se ku Anglia do të ngrinte postën e ardhshme ushtarake apo misionin e radhës fetar për të dominuar popullsinë indigjene.

Historiani hebre, Yuval Noah Harari, argumentimi logjik dhe stili i të shkruarit të të cilit lënë pak vend për debat, e ka teknologjinë një temë qendrore të tezave të tij dhe sheh tek ajo një kërcënim real për demokracinë dhe ideologjinë liberale (mjafton të kujtojmë që “Facebook” nuk është as 20 vjeç, ndërkohë që në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, në SHBA u përdor nga Cambridge Analytica për të ndikuar votën e mbi 50 milionë amerikanëve) dhe se teknologjia, me prirjen që ka për të rritur shpejtësinë procesuese, transmetuese dhe centralizuese të informacionit, mund arrijë të survejojë në kohë reale dhe njohë një individ edhe më mirë nga sa e njeh ai veten, duke ndikuar zgjedhjet e tij ekonomike, politike, artistike e deri romantike.

Po ku gjendet Shqipëria në këtë vorbull zhvillimi teknologjik dhe diskursesh për përdorimin e saj? Si një vend i vogël, me popullsi relativisht të re në moshë, në një pozicion gjeografik të favorshëm për të shërbyer si nyje voluminoze dhe e sofistikuar tregtare dhe ofruese shërbimesh të larmishme, që nga turizmi, shërbimet financiare, përpunimi, transporti etj., përdorimi i teknologjisë në prodhim, infrastrukturë dhe komunikim do të krijonte një avantazh të shpejtë konkurrues, potenciali i të cilit vetëm do të rritej eksponencialisht me kohën. Përmes zhvillimit teknologjik, Koreja e Jugut arriti që brenda 30 vitesh të kalonte nga një vend, PBB-ja e të cilit barazohej me atë të Ruandës, në një vend të G-20s dhe që do të jetë një nga 10 vendet kryesuese të ekonomisë botërore në 2050-ën. Me vetëm 1,3 milionë banorë, ish-republikë sovjetike, Estonia, shpikësja e “Skype”-t, shoqëria më dixhitalisht e avancuar sot në botë, është një tjetër shembull për t’u ndjekur.

Por realiteti shqiptar është ende larg përdorimit efektiv të teknologjisë. Nga auditimet e performancës dhe ato të teknologjisë së informacionit në KLSH, zhvilluar gjatë 2-3 viteve të fundit atje ku ne kemi mandatin ligjor, në sektorin publik (aktiviteti i të cilit përfaqëson afro 30% të PBB-së vjetore), konstatohet se vëmendja që i kushtohet teknologjisë në të gjitha dimensionet e saj nuk është ajo e duhura. Në institucione kyç, si: Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike e Postare etj., mungojnë strategjitë dhe planet e veprimit për zhvillimin dhe implementimin e duhur të teknologjive të reja të informacionit. Nga auditimi mbi përdorimin e internetit në administratën publike konstatohen mungesë procedurash për administrimin e incidenteve në platformat kompjuterike dhe rrjetat e tyre; përdorim jo i përshtatshëm (për qëllime pune) i trafikut të internetit dhe mungesë kontrollesh ndaj përdoruesve, duke rritur riskun e cenimit të të dhënave.

Nëse i referohemi përdorimit të teknologjisë në sektorin privat, nisur nga pjesa që zënë sektorë të ndryshëm në PBB, konstatohet se peshën më të madhe e kanë aktivitetet që mbështeten në punën me dorë ose teknologji bazike, si: bujqësia dhe peshkimi, tregtia dhe transporti, hoteleria dhe shërbimet ushqimore dhe sigurisht ndërtimi e industria fason. Aktivitetet që kërkojnë një përdorim më të gjerë e bashkëkohor të teknologjisë, si: informacioni e komunikacioni, aktivitetet financiare e të sigurimit, kërkimi shkencor etj., arrijnë deri në 10- 12% të PBB-së dhe, nën optikën tonë, përdorimi i teknologjisë për të bërë parashikime realiste e vjelë përfitime, edhe në këto industri mbetet ende i ulët dhe larg përdorimit efektiv, sikurse në vendet e zhvilluara apo në zhvillim të botës. Ndoshta nuk është e rastit që edhe në ekonominë informale, aktivitetet ilegale brenda e jashtë vendit fokusojnë veprimtari me pak ose aspak teknologji.

Por atë që shqiptarët e përdorin pak në prodhim e kompensojnë me mbikonsum, duke shfrytëzuar teknologjinë për argëtim dhe informim/komunikim. Për shembull, në Shqipëri, numri i përdoruesve aktivë të shërbimeve celulare në vitin 2018 ishte rreth 2,7 milionë (nga 2,85 milionë banorë që ka Shqipëria), duke gjeneruar rreth 6 miliardë minuta në vit dhe trendi është në rritje. Me kalimin e infrastrukturës celulare nga rrjeti 4G në atë 5G, jo vetëm përdorimi, por krejt ekonomia mund të riorganizohet rreth teknologjisë, si shtyllë kurrizore e saj. Teknologjia 5G premton inteligjencë artificiale, mjete autonome transporti, civile dhe ushtarake, qytete smart, ku semaforët aktivizohen sipas fluksit dinamik të makinave dhe ndriçimi ndjek perëndimin e diellit, spitale ku operacionet kryhen përmes robotit të drejtuar nga një mjek 10.000 km larg dhe qeveri që mund të kontrollojnë në kohë reale temperaturën dhe presionin e gjakut të qytetarëve të vet. Një teknologji e tillë nuk është thjesht një motor ekonomik, që do të rrisë me qindra apo mijëra “kuaj fuqi” forcën tërheqëse drejt prosperitetit. Në duart e gabuara, ajo mund të shndërrohet në një instrument orwellian kontrolli.

Në një botë që po shkon sërish drejt bipolaritetit, por tashmë ekonomik, Kina po konsolidon modelin e saj të biznesit të orientuar, kapitalizmit komunist. Gjigantët kinezë si “Tencent”, “Huawei”, “ZTE”, të subvencionuar nga qeveria e tyre, ofrojnë teknologji 5G me çmime deri në 40% më të ulëta se konkurrentët e tyre perëndimorë. Produktet kineze, sikurse ato japoneze në vitet ’80, tashmë po bëjnë hopin e madh, nga sasia pa cilësi, te cilësia me çmim nën kosto. Në këto kushte, nxitur dhe nga niveli i ulët i të ardhurave si për individin, ashtu edhe për qeverinë, shqiptarët e kanë të vështirë t’i rezistojnë joshjes për të flirtuar teknologjikisht me kinezët. U desh ndërhyrja e vazhdueshme amerikane dhjetorin e kaluar për të na kujtuar se si vend anëtar i NATO-s, prioriteti ynë nuk duhet të jetë thjesht teknologjia 5G, por siguria 5G. Mjafton të kujtojmë që një numër i madh adoleshentësh shqiptarë përdorin aplikacionin “TikTok”, të cilin qeveria amerikane e konsideron një burim spiunazhi për grupime të caktuara kineze apo që Partia Komuniste Kineze mund të detyrojë çdo operator ekonomik kinez të zbulojë të dhënat konfidenciale që zotëron, duke e ekspozuar ekonominë e një vendi apo rajoni ndaj vendimeve të Byrosë Politike të Pekinit, për të filluar të imagjinojmë rrezikun që na kanoset ne dhe partnerëve tanë ekonomikë e politikë, sot e në të ardhmen, nga modeli i kapitalizmit komunist.

Në këto kushte, duke i paraprirë vendimit të qeverisë për të nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me qeverinë e SHBA-së në dhjetor 2019, KLSH-ja, nga auditimi i performancës realizuar në AKEP, finalizuar me vendimin nr. 188, dt. 31.12.2019 të kryetarit të saj, rekomandoi me forcë që:

a) AKEP të kryejë një analizë paraprake lidhur me pasojat dhe efektet që do të sjellë implementimi i teknologjisë 5G në vendin tonë. Implementimi i teknologjisë së gjeneratës së 5- të (5G) në Shqipëri kërkon domosdoshmërisht të kryhet duke u bazuar në një planveprim kombëtar, të detajuar qartë dhe gjithëpërfshirës, me qëllim mbrojtjen e padiskutueshme nga aksesi i paautorizuar, tjetërsimi, keqpërdorimi apo mosdisponueshmëria e një aseti të çmuar për konsumatorin shqiptar, siç është informacioni.

Implementimi i kësaj teknologjie duhet të ketë si detyrim kryesor respektimin e obligimeve tona në fushën e sigurisë si vend anëtar i NATO-s dhe partner strategjik i SHBA-së.

b) KLSH-ja rekomandon ngritjen e një Komiteti Kombëtar për vlerësimin e investimeve strategjike në vendin tonë, sikurse është rasti i teknologjisë 5G. Në këtë Komitet duhet të ketë përfaqësues jo vetëm të fushës ekonomike, por edhe të fushave të sigurisë, informatike, mbrojtjes etj. Për këtë duhet miratuar një bazë e posaçme ligjore nga Kuvendi i Shqipërisë. Detyrat e këtij Komiteti duhet të përfshijnë ndër të tjera.

” vlerësimin nëse ofruesit e teknologjisë 5G janë subjekt i kontrollit nga një qeveri e huaj, pa një proces të pavarur gjyqësor;

” vlerësimin nëse furnitorët e rrjetit dhe ofruesit e shërbimit financohen në mënyrë transparente, duke përdorur praktikat më të mira në prokurim, investim dhe kontraktim;

vlerësimin nëse ofruesit e shërbimit kanë pronësi, partneritet dhe struktura qeverisëse koorporative transparente;

” vlerësimin nëse ofruesit janë shembull i inovacionit dhe respektit për zbatimin e ligjit dhe të drejtave të pronësisë intelektuale dhe; vlerësimin e riskut dhe sigurisë që ofruesit dhe teknologjitë e rrjetit krijojnë një mjedis të sigurt, pavarësi nga ndikimi qeveritar dhe pajtueshmëri me standardet e industrisë.

” Aksioma e punës së këtij Komiteti duhet të jetë respektimi i statusit tonë si vend anëtar i NATO-s, konsideruar si investimi më i madh strategjik në fushën e sigurisë kombëtare që Shqipëria ka arritur në ekzistencën e vet si shtet.

Gjetjet e rekomandimet e këtij auditimi u prezantuan nga autorët e këtij shkrimi edhe në samitin mbi Cyber Security, organizuar në Senatin Amerikan në dt. 03.02.2020, sikurse edhe në takimin me kolegët amerikanë të Zyrës së Llogaridhënies Qeveritare në Uashington, duke dëshmuar edhe një herë se ku i ankoron KLSH-ja vlerat dhe vizionin e saj të sotëm dhe të ardhshëm.

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...