Nga Çlirim Gjata
Mësova nga shtypi sot, se KPK (shkalla e parë e vetingut) kishte konfirmuar në detyrë gjyqtaren që liroi nga burgimi i përjetshëm L. Berishën. Ndërsa pak kohë më parë, po kjo KPK shkarkoi nga detyra gjyqtarin që e kishte dënuar me burgim të përjetshëm L. Berishën. Ata që krijuan këtë lloj vetingu, paskan pasur humor të madh.
Hajt po të ishte një rast i shkëputur, por nuk mund të harrojmë edhe vendimin e Dajtit, ku nga pesë gjyqtarët e trupit gjykuyes, tre të shumicës i hoqën dënimet me burgim të përjetshëm dhe janë akoma në detyrë, ndërsa dy që qëndruan në pakicë për tu dënuar ky i fundit me dënime të përjetshme, u shkarkuan nga vetingu.
E sa raste të tjera ndeshim të mbajtjes së dy standarteve nga vetingu, pa fund. Një gjyqtar lirohet nga detyra se prindërit nuk justifikon paratë që i kishin dhënë hua djalit të tyre gjyqtar, ndërsa gjyqtarja tjetër mbahet në detyrë me gjithë huanë e prindërve të saj të pajustifikuar. Por për këto kemi folur shumë herë.
Një studenti im mu shpreh një ditë se, qëkur u bë reforma në drejtësi po lirohen të burgosurit me burgim të përjetshëm nga burgu. Kundërshtoje po deshe. Përceptimi luan goxha rol në këtë jetë.
Thuhet se për këto lirime po heton SPAK-u. Nuk e di nëse SPAK-u ka fuqi të hetojë qeverinë, sepse për lirimet para kohe të të burgosurve(të përjetshëm ose jo), administrata e varur nga qeveria ka 80% të detyrimeve ligjore. Pastaj vjen Gjykata, që nuk do të thotë se nuk ka përgjegjësi të lartë sidomos në rastet e burgimeve të përjetshme.
SPAK-u duhet të hetojë: kush i bëri transferimet nga njëri burg te tjetri të këtyre lloj të dënuarish, me ç`arsye bie fjala transferohen nga Peqini në Fushë Krujë kur familja që do i vijë në ndihmë është në Durrës?? Transferimet bëhen nga Dr. Burgjeve, që varet nga qeveria; si u përgatit dosja nga Shërbimi i Provës e cila varet po nga qeveria dhe Dr.Burgut përkatës, për sjellje të shkëlqyer të këtyre të dënuarve?? Ata janë dënuar për vrasje e trafiqe ndërkombëtare, por në burg janë sjellë në mënyrë të shkëlqyer – thotë qeveria! Kulmi arriti në atë rastin ku, i dënuari me burgim të përjetshëm u kap dhe u dënua për trafik lëndësh narkotike brënda në burg dhe tani Dr.Burgut i jep karakteristikë sjelljeje të shkëlqyer po në burg dhe e referon për lirim; pastaj vjen Bashkia (të gjitha bashkitë janë të qeverisë) me dosjen e sajë ku i referon po lirimin, se është nga një familje e mrekullueshme, se ka qënë rastësi ajo që ndodhi dhe betohet, se do ta mbajë nën sqetull këtë qerrata të dënuar me burgim të përjetshëm duke i gjetur dhe punë (të ndershmit e papunë le të ikin nga Shqipëria, se vendet e punës janë për të burgosurit e liruar).
Kur ju them, që këtu ka humor të madh! Po humor i zi veç.
E fundit vjen Gjykata, e cila nuk mund të veprojë pa u qepur dosjet si më lart. Por ka detyrimin e kontrollit të të gjitha atyre procedurave, qe vetëm sa i ceka shkarazi. Në arsyetimin e një prej këtyre vendimeve kam lexuar se, i dënuari mund të edukohet në mesin e shoqërisë. Çfarë logjike?! I/E nderuar gjyqtar, përse nuk e merr në shtëpinë tënde ta edukosh e reabilitosh të dënuarin, more ta bësh bir për shpirt po deshe, po na e le ne, shoqërisë, derr në thes, të vrasim vehten me të??
Por SPAK-u s`ka kohë të merret me këto. Ai ka kohë të arrestojë të vdekurit, por jo shefat e mëdhenj që iu doli zëri në përgjime për votat. Nuk ka kohë të hetojë lirimet e të dënuarve të përjetshëm, ministrat e lidhur me trafikun, aferan e Teatrit, tenderat e rrugëve 20 milion euro km, kush po ndërton kullat në Tiranë dhe si i bënë ato para, etj., etj.. Por kur bëhet fjalë për një media që i bie ndesh qeverisë, SPAK është gati. Vazhdon humori i reformës në drejtësi.
Që të kthehemi te vetingu. Për shkak të tij jemi pa Gjykatë Kushtetuese e pa atë të Lartë. Por nuk mund të ankohemni në rastin e të burgosurve të përjetshëm. A mund të flasë dikush për fatin e këtyre gjyqtarëve e prokurorëve, që kanë dënuar kriminelë me burgim të përjetshëm dhe tani janë në rrugë pa asnjë status, kur të përballen me këta të dënuar, të liruar tashmë nga kolegët e tyre të mbajtur në punë nga vetingu?!
Se përse u bë kjo reformë kështu; ishim mirë kur ishim keq.
Këto ndodhin kur në drejtësi fut duart kur do e si do kryeministri e shpura e tijë qeverisëse. Ndaj, vetingun e kalojnë vetën ata që do ky i fundit, ndaj dhe SPAK-u do mbetet të hetojë varrezave, prandaj reforma dhe vetingu, duhej të kishin filluar nga politika, ose të paktën paralel me të.
Në kushtet ku ndodhet drejtësia sot, kush përfiton dhe kush humbet? Nuk ka nevojë për shumë shpjegime. Faktet flasin vetë. KED dështoi në emërimin e anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese, pasi 9 kandidatura u rrëzuan. Kryeministri shpëtoi përsëri nga kontrolli kushtetues. Si përfundim, pa u larguar ky regjim, kjo qeveri, ky kryeministër, as mos të shpresojë kush se do të ketë reformë në drejtësi për qytetarët, kontroll kushtetues e ligjor mbi qeverinë, hetim dhe dënim të korrupsionit politik e administrativ.