Homazh| Për mikun dhe kolegun e paharruar, Kostaq Xoxa

Diel, 30 August 2020 21:29

Eden Babani, Bruksel

S’ kanë kaluar veç katër a pesë javë që fola me Kostaqin, pas një heshtjeje bajagi të gjatë, mbase prej dy muajsh a pak më shumë. Merita, e shoqja, më paralajmëroi se kishte filluar të prekej nga skleroza dhe mund të mos më njihte. Por, jo. Me të mësuar kush e kërkonte dhe me të marrë në dorë telefonin, u ftillua. Ku bëhesh, bre, në Tiranë apo në Bruksel? Ishte e papritura më e këndshme për mua në ato çaste. Në Bruksel, i dashur Koçi, u përgjigja. Flas me “vocërrak” (kështu i thoshte me të qeshur celularit), por mos u bëj merak se harxhoj. Dhe folëm goxha. I thashë se atë ditë pata publikuar shkrimin “Identitet kombëtar shqiptar apo identitete shqiptare me fraksione?”, ku pata shfrytëzuar fragmente nga letërkëmbimi mes meje dhe tij, në fillim të këtij shekulli.

* * *

Njohja ime me Koçin daton disa muaj pas rënies së përmendores së diktatorit Hoxha, kohë kur shpërtheu shtypi i lirë, pas afro gjysmë shekulli të censurës komuniste. Ai, një nga themeluesit e gazetës së Shoqatës së ish-të Përndjekurve Politikë, “Liria”, përkrah Uran Kostrecit, Uran Butkës dhe të ndjerit Vejsel Kulla. Unë, bashkëpunëtor i gazetës “Republika”. Me “Republikën”, vazhdova të bashkëpunoja deri që u lidha me “Lirinë”. Sebep u bë një takim me zotin Seit Petrela, veprimtar i palodhur në dobi të Shoqatës e të gazetës.

Një ditë, teksa zbrisja shkallëve të selisë së Partisë Republikane (asohere në Bulevardin e Madh, përbri Maternitetit), më takoi Seiti. Pse nuk bashkëpunon edhe me ne? – më pyeti. Pse jo? – iu përgjigja. – Po si? Ku? Hajde nesër te lagjja e Kazazëve, në rrugicën e ish-librarisë Flora, më tha. Të pres atje, në orën 10.

Kësisoj, redaksi e parë për mua si pjesë e saj, u bë ajo e “Lirisë”. I pari “mësues” i gazetarisë, u bë Kostaq Xoxa, ish-punëtor në Kriporen e Kavajës, ish-shofer kamioni e, më pas profesor matematike, por me njohuri të vyera gazetarie, trashëguar nga i ati, Zoi Xoxa, themeluesi i gazetës “Dielli” dhe deputet i Parlamentit të Mbretërisë gjatë viteve ’30 të shekullit të shkuar, një ndër themeluesit e gazetarisë moderne shqiptare.

* * *

Ndarja nga jeta a Kostaqit ishte goditja më e madhe që mora në këtë kohë të mallkuar pandemie, nga e cila s’dihet kur do të shpëtojmë dhe nëse do të më jepet rasti të vë një tufë lulesh në shtëpinë e tij të përjetësisë. Të mos harrojmë se koha dhe, sidomos mosha, bëjnë të vetën… Ama shuarja e Koçit, nuk mund të mos më hidhte në botën e kujtimeve që na lidhin ne të dy. Janë ndër më të bukurat e më të larmishmet kujtime të jetës sime, barabar me ato të rinisë.

Asohere, redaksia e “Lirisë” sapo të lindur ishte sistemuar në shtëpinë e Osman Kazazit, bash në dhomën e tij të gjumit. Përfytyroni një dhomë 4 me 4 a pak më shumë në katin e dytë të një shtëpie të lashtë tiranase, me një palë shkallë të drunjta së jashtmi, të cilat përfundonin në oborrin e shtëpisë, mu përbri një verande të sajuar me xhama, ndërmjet dy ndërtesave fqinje. Shkallët e drunjta kushedi-sesa-vjeçare, lëkundeshin sa të shkelje mbi to. Lëkundej e dridhej majtas e djathtas edhe parmaku bashkë me shkallët, thua se binte tërmet. E, megjithatë, Sabi, njëra nga motrat e Lalës, ngjitej pa u mbajtur në parmak me një tabaka filxhanësh plot me kafe, të paktën dy herë në ditë, derisa ne përgatisnim gazetën për botim.

Në krye të shkallëve mbuluar me një strehë llamarine që lëngonte ditë e natë nga era ose nga shiu, një shesh sa për të lënë dy a tri palë këpucë. Prej andej, drejt e në dhomë. Djathtas, një krevat dhe një komodinë, ku Lalë Osmani linte veglat e rrojës e ndonjë furçë dhëmbësh. Më tej, një lavaman e një muslluk. Përballë një banak i sajuar, dëng me gazeta e copa gazetash, me letra të shkruara me dorë nga bashkëpunëtorët, me letra kopjative e me lapsa. Mes asaj rrëmuje, dy makina shkrimi të reja fringo, dhuruar nga një bashkatdhetar i arratisur gjatë kohës së diktaturës. Tri a katër karrige përballë banakut, kompletonin mjedisin e redaksisë. Kur shtypnin Koçi e Vejseli, korrigjoja unë. Kur shtypja unë dhe njëri syresh, korrigjonte tjetri. Kryeredaktori, Uran Kostreci, rrinte më tepër në oborr, sepse pinte duhan pareshtur. Për të marrë “vizën” e botimit, artikujt e shtypur, ia çonte Koçi, i cili përfitonte nga rasti ta tymoste në shoqëri të Kostrecit, sepse “sa s’po i çahej hunda për një cigare”.

Shtypja e gazetës te Mihal Duri, ka qenë mesele më vete. Ende nuk kishte fituar Partia Demokratike dhe drejtuesit komunistë të shtypshkronjës na nxirrnin lloj-lloj pengesash, si fjala vjen, mungesa e plumbit a e qymyrit për të shkrirë e plumbin. Përkundrazi, radhitësit ishin përkrah nesh. Mblidhnin shkronjat e plumbta të përdoruara e na i jepnin për t’i shkrirë sërish në fonderinë e vogël të shtypshkronjës. Qymyrgurin e sajonin ku mundnin Sabi e Seiti dhe e bartnin në shtypshkronjë me karrocë dore.
Kësisoj, gazeta “Liria” nuk mungoi asnjëherë në pikat e shitjes, ku zinin radhë e prisnin që pa gdhirë ish-të burgosur e të internuar, familjarë të tyre, si edhe tërë gjindja antikomuniste e etur për demokraci.

* * *

Fitorja e Partisë Demokratike në zgjedhjet e marsit 1992, e shpërnguli redaksinë e gazetës “Liria” nga dhoma e Lalës, në një dhomë të katit të pestë të ish-selisë së PPSH-së, mu përballë postës qendrore. Pjesa tjetër e ndërtesës, ajo me hyrjen prapa Bankës, i mbeti pasardhëses së saj, Partisë Socialiste.

Edhe atje, nuk na u ndanë të ngjara e të pangjara.

Të ngjara, sepse Urani e Koçi nuk e pinin më duhanin në oborr, por venin e vinin nëpër korridorin e gjatë të katit të pestë me dritare të hapura kat e kat, ngase ishte pranverë. Të pangjara, sepse ndonëse kishim secili nga një tryezë pune, nga një karrige dhe nga një makinë shkrimi, njëra ndër katër karriget ishte me tri këmbë. I mbetej atij që vinte i fundit.

* * *

Pas ish-selisë së PPSH-së, erdhën ditë edhe më të mira. Shoqata mori në administrim një ndërtesë në Rrugën e Elbasanit, mu te ndahet rruga majtas, drejt Urës së Tabakëve, e djathtas, drejt Urës së Lanës. Gazetën e shtypnim në ish-shtypshkronjën 8 Nëntori, ku shtypeshin dikur Veprat e Enverit e dokumente të rëndësishme të Partisë. S’do mend, cilësia ishte më e mirë.

Në mjediset e reja të Shoqatës, redaksia jonë mori dy dhoma. Në njërën, më të madhen, u vendosëm ne, gazetarët. Secili në tryezë më vete, me makinën e vet të shkrimit e me gjithçka i duhej. Në tjetrën, kryeredaktori. U shtua edhe numri i gazetarëve. Thoma Çomora, ekonomist e gazetar me përvojë, dhe Mehmet Isai, ish-i burgosur politik, i bënë më të larmishme tematikat. Vetëm Koçit, iu shtua puna.

Përveç shkrimeve me emrin e vet si autor, përveç shtypjes së shkrimeve të bashkëpunëtorëve dhe ndreqjeve gjuhësore, për të cilat nuk lëshonte pe, iu desh t’i rikthehej profesionit të dikurshëm të shoferit. Redaksia jonë u pajis me një tip veture-furgon pesëvendëshe e me hapësirë të bollshme prapa për transport materialesh. Në rastin tonë, dengje gazetash. Vetura ishte dhuratë e Ambasadës së Koresë së Jugut.

Nuk më harrohet një shaka e asohershme e Meritës, bashkëshortes së Kostaqit.

Vesej Kullës iu desh të fliste në telefon me Koçin. Ishte natë, në mos mesnatë. Telefonin e mori Merita. Koçin desha, i tha Vejseli. Ja t’i flas, u përgjigj ajo. Mos ishit në gjumë? Jo, jo. Mos u bëj merak. Ai ka kohë që është ndarë nga unë. Është martuar me Lirinë… Vejseli s’donte t’u besonte veshëve. Koçi ndodhej në WC, ku po përgatiste një shkrim për të nesërmen. Ashtu ishin kohët. Një apartament me dy dhoma e një kuzhinë, madje edhe ai me mik. Në dhomën e gjumit, çifti. Në tjetrën Neli, vajza, tashmë e rritur e për t’u martuar . Në kuzhinë, Toni, i biri. Kujt t’i binte në qafë e ta linte pa gjumë?…

Nuk harroj as do episode që përsëriteshin dendur, sa herë udhëtoja jashtë Tirane me veturën-furgon. Para se të kthehej djathtas, Koçi më lutej të nxirrja krahun nga dritarja. Kur donte të kthehej majtas, nxirrte krahun e vet. Ishte mësuar me kamionë “Diesel” të kohës së Luftës. Harronte se drejtonte veturë moderne… Gjithsesi, Koçit, si shofer, nuk ia hante qeni shkopin.

* * *

Greva e urisë e Shoqatës së ish-të Përndjekurve Politikë e fundvitit 1994, i dha fund bashkëpunimit tonë përkohësisht, por aspak miqësisë sonë. Shoqata u përça. Unë iu bashkova shoqatës së re (Shoqata e ish-të Përndjekurve Politikë Demokratë), Koçi mbeti besnik i së parës. Në fillim të vitit 1995, unë themelova gazetën “Për Mëmëdhenë” e më pas gazetën “LiriaA”, të cilën Koçi e quante “Liria me Bisht”.

Një ditë kishte shkruar diçka me pseudonimin I.M. Qe një kritikë për ne. Unë e njihja stilin e Koçit. Pseudonimi ishte si të fshihej prapa gishtit. Edhe ai e njihte stilin tim dhe priste përgjigje. Në atë kohë, redaksia jonë ndodhej në Rrugën e Durrësit, mu përballë gjimnazit “Qemal Stafa”, në të njëjtën ndërtesë me Drejtorinë Përgjithshme për Rehabilitimin e ish-të Përndjekurve Politikë. Koçi vinte shpesh te ne, jo vetëm për të më takuar e për të pirë një kafe së bashku, por edhe për probleme të gazetës “Liria”, pronësi e Shoqatës së vjetër. I ndjeri Luan Myftiu, asohere kryeredaktor i “Lirisë”, s’para lëvizte poshtë e lart. Këso punësh ia linte Kostaqit, tek i cili kishte besim të patundur.

Iu përgjigja I.M-së me pseudonimin M.I. Koçit nuk iu durua. Biçikletës, e drejt e te ne. Më kërkoi në zyrë, nuk më gjeti. I thanë se isha në klub, në katin përdhes. Sa hyri te dera, filloi me zë të lartë e duke qeshur. Kërkoj M.I-un… M.I-iun, domethënë, miun. Të pranishmit sa s’po shqyenin sytë. E keni parë miun? Pastaj: E gjeta, e gjeta, tha rrëmbimthi siç e kishte zakon, dhe drejtoi gishtin drejt meje. U ul bashkë me ne, gjithë duke gajasur e duke dëftuar me gisht: Miu, miu!…

* * *

Viti i mbrapshtë 1997, mua më dha rrugët e emigracionit, kurse Koçi përfundoi te gazeta 55, e sapokrijuar. Sërish, fati më lidhi me “mësuesin” tim të parë e të fundit të gazetarisë. Më ftoi së largu, të bashkëpunoja me 55-n. Dhe unë nuk ngurova asnjë çast…

Takoheshim e rrinim së bashku, sa herë vija në Tiranë. Takoheshim në redaksi e pinim nga një kafe te klubet rreth e qark. Takoheshim edhe në klubet e përballë Arkivit të Shtetit, pranë shtëpisë së tij. Më shpesh, ia shtronim “Te Fadili”, ku shijonim raki Përmeti 21 gradë.

 

 

 

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...