Nesho:Deklarata e Ramës tregon se ai e ka pranuar kërkesën për zgjerimin e Greqisë

Premte, 04 September 2020 11:37

 

Ish-ambasadori në OKB, Agim Nesho në një intervistë për gazetën ”Telegraf”, pohon se politika e Jashtme e kryeministrit Edi Rama është pa bosht dhe strategji të përcaktuar sa nga Anadolli, sa në Perëndim dhe nuk mund të dalë kundër politikave të Erdoganit, ndërkohë që qeverisjen kryeministri e ka bazuar vetëm në deklarata. Për deklaratat e kryeministrit grek se Greqia u zgjerua me 12 milie në kufirin me Shqipërinë, Nesho pohon se kjo deklaratë ka miratimin e qeverisë shqiptare.

Zoti Nesho, deklarata e kryeministrit Mitsotakis në parlamentin grek, se Greqia u zgjerua në 12 milje në kufirin e saj detar me Shqipërinë, a është konsum politik i brendshëm i Micotaqis, apo një realitet për ata?

 

Deklarata e kryeministrit Grek Mitsotakis në parlamentin e Greqisë është një deklaratë politike që tregon për strategjinë e shtetit Grek ndaj krizës në Mesdheun Lindor dhe ndaj reagimit të Turqisë, që kërkon hapësira të reja në këtë rajon. Kryeministri Mitsotakis u shpreh në parlament që ”Greqia nuk duhet të mbështetet në një politikë pasive për interesat detare” por të ndërtojë një strategji të re. Deri tani Greqia nuk mund të ushtronte të drejtën e saj prej 12 miljesh detare, të njohur nga Konventa e Montego Bay 1982 për arsye të kërcënimeve nga Turqia por edhe fuqive të mëdha botërore të cilat për efekt të shtrirjes masive të ishujve, nuk pranonin për Greqinë të drejtën e 12 miljeve. Sot situata gjeopolitike ka ndryshuar në favor të Greqisë, duke marrë parasysh tendencat e Turqisë për krijimin e hapësirave të reja neo-otomane, duke e pozicionuar Greqinë si kufiri i fundit i Bashkimit Europian. Kjo situatë e re gjeopolitike e favorizon Greqinë në strategjinë e re të saj.

A është një realitet i pranueshëm apo një dëshirë e shtetit fqinj?

Konventa për të drejtën e detit e përcakton qartë të drejtën e vendeve për shtrirjen e detit territorial deri në 12 milje vetëm në ato raste, kur nuk bie ndesh me të drejtat e një vendi tjetër. Pra ky realitet bëhet i mundshëm vetëm kur vendet e interesuara nuk shprehin rezerva.

Kjo deklaratë e kryeministrit Mitsotakis është produkt i një marrëveshjeje dypalëshe me Shqipërinë?

Sigurisht që deklarata e Kryeministrit grek bazohet në një mirëkuptim paraprak midis palëve përpara se të propozonte këtë zgjerim. Greqia me Italinë e mbylli marrëveshjen për zonën ekonomike ekskluzive, duke u bazuar në marrëveshjet e vitit 1977 për delimitimin e shelfit kontinental midis dy vendeve, marrëveshje e cila është bërë gjatë krizës së mëparshme Greqi-Turqi. Por kishte edhe rezervat e saj për të drejtat e peshkimit. Me Shqipërinë deri tani ne kemi një deklaratë të ish-ministrit të jashtëm grek Kotzias, i cili është shprehur që Shqipëria ka rënë dakort për t’i njohur Greqisë të drejtën e 12 miljeve. Mungesa e transparencës dhe bisedimet e fshehta, ku informacionet merren vetëm nga institucionet greke, e kanë vënë opinionin publik shqiptar në impasse të plotë. Deklarata e Kotzias që nuk u kundërshtua nga institucionet e qeverisë Shqiptare, përgjegjëse për bisedimet, si dhe deklarata e fundit e kryeministrit Rama tregojnë indirekt se Shqipëria e ka pranuar kërë kërkesë. Prandaj është me shumë rëndësi inisiativa institucionale e Presidentit të Republikës, Z. Ilir Meta, që kërkon të njihen bisedimet që qeveritarët shqiptarë kanë bërë me palën greke. Kufijtë territorialë të Shqipërisë si dhe të drejtat e saj sovrane nga zona ekonomike ekskluzive dhe shelfi kontinental nuk mund të jenë pronë e një individi apo grupi që përkohësisht janë në qeverisje.

Ne shqiptarët, si duhet ta kuptojmë në shqip deklaratën e Kryeministrit Rama, se Greqia është në të drejtën e saj, e cila bazohet në Të Drejtën Ndërkombëtare të Detit?

Fatkeqësisht kryeministri Rama e ka bazuar qeverisjen e tij vetëm në deklarata. Personalizimi i politikës së jashtme, mungesa e ekspertizës nga institucionet dhe specialistët kanë sjellë për vendin dëme të konsiderueshme. Vetëm deklaratat e tij për çështjen Becheti i kanë sjellë dëm qytetarëve shqiptarë mbi 110 milionë euro, që fëmijët e tyre do t’i paguajnë në breza. Kryeministri duhet të flasë i fundit, pasi të analizohen dhe vlerësohen interesat ekonomike dhe politike të shtetit të tij. Ai përpara se të bëjë deklarata të këtij lloji, duhet të ishte konsultuar me institucionet kryesore të shtetit, të dëgjonte mendimet dhe sugjerimet e ekspertëve më të mirë në këtë fushë, si Profesor Zaganjori, Vladimir Bejo, Profesor Krisafi, e shumë të tjerë, dhe pastaj të shprehej. Shteti nuk funksionon me retorikë dhe politizimi i marrëdhënieve shtetërore, siç ndodhi me marrëveshjen e detit me Greqinë në vitin 2009, nuk i shërben interesave shtetërore. Ka edhe analistë të tjerë që mendojnë që deklarata e nxituar e kryeministrit është bërë me qëllim për të mos pranuar 12 miljet që ai vetë ka pranuar në bisedimet Bushati-Kotzias, duke e justifikuar këtë me presionin e brendshëm. Lëvizja e politikës së jashtme të tij pa bosht dhe strategji të përcaktuar sa në Anadoll, sa në Perëndim, krijojnë dyshimin e arsyeshëm që ai nuk mund të dalë kundër politikave të Erdogan.

Zoti Ambasador, a mundet që cilado qeveri, në çfarëdo kohe tjetër të mëpasshme, të bëjë, të nëshkruajë marrëveshje dyshtetërore me Greqinë për kufijtë detarë, të jetë në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të 2009-s? A besoni se në negociatat që qeveria e kryeministrit Rama bën me Greqinë, ka prapaskena të fshehta politike dhe diplomatike, të cilat kryeministri Rama nuk informon as Presidentin e Republikës dhe as Parlamentin?

Marrëveshja e detit e vitit 2009 nuk është pranuar nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, dhe si e tillë nuk është ratifikuar nga pala shqiptare dhe nuk është në fuqi. Asnjë qeveri e ardhshme shqiptare nuk mundet të dalë në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, madje duhet ta marrë për bazë në negociatat e ardhshme për këtë çështje. Marrëveshja e re për delimitimin e zonave detare me Greqinë është e nevojshme dhe duhet të bëhet në mbrojtje të interesave të vendit tonë. Kjo marrëveshje që është politizuar aq shumë dhe ka errësuar arsyen shtetërore nga shpërthimi i ndjenjave nacionaliste në dy shtetet, është një nevojë e domosdoshme për të dy shtetet. Gjithmonë duhet të kemi parasysh që Greqia është një vend mik, anëtar i BE dhe NATO-s, dhe ju ka dhënë strehë mbi 700 mijë shqiptarëve. Por në radhë të parë duhet të shohim interesat e vendit tonë, për të cilat nuk duhet të bëjmë asnjë kompromis. Konventa për të drejtën e detit e përcakton qartë të drejtën e vendeve për shtrirjen e detit territorial deri në 12 milje vetëm në ato raste, kur nuk bie ndesh me të drejtat e një vendi tjetër. Pra ky realitet bëhet i mundshëm vetëm kur vendet e interesuara nuk shprehin rezerva

Zoti Nesho, vetë Greqia nuk pranon të negociojë me Turqinë, për shumë zona detare, por i përgjigjet Turqisë se pretendimet për kufijtë detarë t’i drejtohet Gjykatës përkatëse Ndërkombëtare. Atëhere, përse qeveria jonë nuk kërkon që pretendimet e Greqisë të zgjerohet në 12 milje në kufijtë detarë me Shqipërinë t’i drejtohet Gjykatës Ndërkombëtare?

Sigurisht kur ka mosmarrëveshje midis palëve ato mund t’i drejtohen institucioneve ndërkombëtare gjygjësore, pasi kanë ezauruar të gjitha mjetet për zgjidhjen diplomatike të saj. Çdo zgjidhje gjyqësore do të kishte nevojë për pëlqimin paraprak të shteteve para se t’i drejtohen asaj procedure. Greqia ka zgjedhur si opsion Tribunalin Ndërkombëtar për të Drejtën e Detit në Hamburg, për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve lidhur me interpretimin, apo zbatimin e Konventës për të Drejtën e Detit. Por përpara se t’i drejtohemi këtyre organeve, ne duhet të kemi pikëpamjet tona, të cilat duhet t’i parashtrohen palëve të interesuara. Dhe mbi të gjitha duhet të ndërtojmë një strategji kombëtare.

Modifikuar më Premte, 04 September 2020 16:15
Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...