Pronarët e bizneseve të vogla e të mesme protestojnë sot kundër skemës së re të TVSH-së. Ata refuzojnë të paguajnë Tatim mbi Vlerën e Shtuar, skemë në të cilën u futën që prej 1 prillit. Javën që shkoi pati protesta në disa qytete, por nga Tirana vjen një thirrje e organizuar për protestë masive të martën, nga ora 11:00 deri në orën 12:00.
Me bizneset do të jetë edhe opozita, e cila prej ditësh ka bërë thirrje për mospagimin e TVSH-së si një formë të mosbindjes civile. Kreu i opozitës vazhdon të jetë i bindur se pas përfshirjes në skemën e TVSH-së edhe të biznesit të vogël qëndron një projekt i ri koncensioni. Akuzën e çon direkt në familjen e kryeministrit. Sipas Bashës, përfitimi i qeverisë në buxhet nga vendosja e kësaj takse është mininimal, ndërsa kostoja për bizneset dhe qytetarët është e madhe.
Protesta e biznesve është e treta e madhe që po zhvillohet brenda 10 ditësh, pas asaj kundër pagesës në “Rrugën e Kombit” dhe bllokimit të rrugëve në 4 pikat kryesore të vendit.