Jeta osh Qef dhe Animal Rescue Albania kanë shpërndarë dje një video me pamje makabre, ku dy të rinj, në një akt prej kriminelësh gjakftohtë, vrasin pa as më të voglën mëshirë një qen të lidhur e të pambrojtur, duke e qëlluar pa pushim në kokë deri sa kafsha e gjorë jep shpirt! Ky akt kriminal ka tërhequr vëmendjen e shumë qytetarëve, ndër ta edhe të zëvendëskryetarit të LSI-së Luan Rama, i cili ka reaguar publikisht me anë të statusit në fb duke u shprehur: “E tmerrshme çfarë kriminelësh rriten në këtë vend!!! Policia e Shtetit duhet të veprojë menjëherë që ta identifikojë e ta gjejë këtë kriminel, për ta vënë përballë drejtësisë e për ta ndëshkuar maksimalisht me forcën e ligjit!” Gjithashtu zoti Rama i është drejtua edhe me një apel Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ardi Veliut, duke i kërkuar atij që “Policia duhet t’a gjejë, t’a lidhë e t’a çojë përpara drejtësisë këtë kriminel! Sadistë të tillë nuk e meritojnë lirinë!”, - shprehet zëvendëskryetari i LSI-së.