Vizita e Metës në Berlin është përqendruar në lobimin për hapjen e negociatave. Ai është takuar sot me një tjetër zyrtar që është kritik ndaj Shqipërisë, Thorsten Frei.
Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka marrë pjesë në Takimin e 23-të Ndërkombëtar të Berlinit, i organizuar nga Bundestagu gjerman. Gjatë fjalës që mbajti përpara të pranishmëve, presidenti bëri thirrje për hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian.
“Ne lutemi që ky vendim të jetë pozitiv si për ne, ashtu edhe për fqinjin tonë Maqedoninë”, tha ndër të tjera ai.
Por një fakt interesant është se Meta shkoi në takimin e Bundestagut si i ftuar nderi, në të njëjtin institucion ku kryeministri Edi Rama u kritikua ashpër nga deputetët. Rama u kritikua për sulmet ndaj deputetit gjerman Gunther Krichbaum.
Vizita e Metës në Berlin është përqëndruar në lobimin për hapjen e negociatave. Ai është takuar sot me një tjetër zyrtar që është kritik ndaj Shqipërisë, Thorsten Frei.
“Hapja e negociatave me BE nuk ka të bëjë vetëm me anëtarësimin, por është rruga e duhur”, mësohet të jetë shprehur Meta në takimin me Frei.
Thorsten Frei është reporteri i Grupit të CDU-së për Shqipërinë në Bundestag dhe është shprehur kundër hapjes së negociatave pas zbatimin e plotë të vetting-ut. Ai gjithashtu e cilësoi çështjen ‘Tahiri’, si kusht për negociatat.
Lobimet e Metës në Bundestagun gjerman, që është edhe institucioni që do të marrë vendimin për negociatat me Shqipërinë, kanë mbetur shpresa e vetme për kryeministrin Edi Rama për të marrë një përgjigje pozitive në samitin që do të zhvillohet pas dy javësh