Goditje ndaj sistemit demokratik por edhe ofendim ndaj familjes së Azem Hajdarit.
Kështu e ka cilësuar deputeti demokrat, Klevis Balliu dekorimin, Qytetar Nderi të Gafur Mazrekut nga këshilli bashkiak i Hasit.
I ftuar në intervistën e mbrëmjes në Ora News, Balliu tha se qeveria e Ramës me këtë akt i dha goditjen përfundimtare për ti shpallur luftë sistemit demokratik.
Balliu: Se është i tillë. Azem Hajdari nuk është thjesht një individ, ai përfaqëson një moment të jashtëzakonshëm të vënies së sistemit demokratik në vend. Është dëshmor i demokracisë në vend. Ishte atentatori, një bandit, një kriminel që sot u dekorua vetëm për një arsye, e cila është urrejtja e kësaj mazhorance ndaj opozitës dhe sistemit demokratik sepse të godasësh figurën e Azem Hajdarit do të thotë të godasësh sistemin demokratik.
Për të mos folur për faktin se është një ofendim i jashtëzakonshëm për familjen e Azem Hajdarit, për Fatmira Hajdarin, e cila u desh të rriste tre fëmijë pa burrin e saj, për fëmijët e z.Hajdari të cilët u rritën pa baba dhe për çdo shqiptar që do demokracinë dhe të drejtën e fjalës.
Ky dekorim tregoi degradimin final të Partisë Socialiste. Pasi kanabizuan një vend të tërë, pasi sot po bashkëqeverisin me banditë, kriminelë, familje mafioze, pasi duan të shembin çdo pjesë historike apo traditë të Shqipërisë, sot dhanë dhe goditjen përfundimtare për ti shpallur luftë sistemit demokratik njëherë e mirë, në emër të etërve të tyre shpirtërorë që janë Enver Hoxha, Sul Bushati, i ati i Ditmir Bushatit, Kristaq Rama, i ati i Edi Ramës.
Ndërhyrjen e kryeministri Rama me urdhrin ndaj prefektit të Kukësit për të mos firmosur dekorimin, ai e cilëson një lojë të shëmtuar.
Balliu: Një lojë e shëmtuar e kryeministrtit Edi Rama. Kemi tre ditë që e denoncojmë dhe nuk kemi një deklaratë. Në PS, as militanti më i thjeshtë nuk shkon dot në shtëpinë e vet pa marrë leje tek Edi Rama dhe jo më të propozojë dekorimin.
Deputeti demokrat rezervoi një përgjigje edhe për kritikët e opozitës se nuk po kryen fuksionin e saj.
Balliu: Vera sapo ka filluar. Nëse ka ndonjë që ka kritika është i mirëpritur në vijë në PD.Opozitë nga Instagrami dhe Facebooku nuk bëhet në asnjë vend të botës. Opozitë bëhet në PD, në partitë që janë në opozitë me mazhorancën, bëhet me qytetarët.