Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet sot në seancë plenare, dy ditë pasi hapja e negociatave të Shqipërisë me BE dështoi. Por kjo datë, 28 qershori, është paralajmëruar nga opozita si dita kur për qeverinë e Ramës afatti mbaroi, përfundoi numërimi mbrapsht. Në protestën që PD zhvilloi në Kuvend më 31 maj 2018, deputeti Flamur Noka mbajti një fjalim në foltore ku deklaroi se "pas 28 qershorit, shqiptarët do ta përmbysin dhe Shqipëria do të ecë në rrugën europiane.
Noka tha: "Edi Rama bën gjithçka fasadë dhe vetëm fasadë dhe nuk e do integrimin. E vetmja forcë politike që e ka demostruar plotësisht se e do integrimin jemi ne, dhe aleatët tanë. Edi Rama nuk e njeh rrugën europiane, por vetëm rrugën e krimit dhe të kanabizimit. Ne do të bëjmë gjithçka siç kemi bërë këto vite për ta parandaluar: Ndal rrugën e kanabizimit, ndal krimin.Do ta bëjmë dhe këtë muaj, por pas këtij muaji, nëse do të vijë e të na shesë dëngla do t’i themi se numërimi mbrapsht për ty ka filluar dhe nuk do të jetë më i gjatë, po numërim shkurtër se qytetarët pas datës 28 qershor nuk do të pranojnë që të ardhmen e tyre ta marrin në dorë bandat e krimit të organizuar me në krye Edi Ramën! Pas 28 qershorit, shqiptarët do ta përmbysin dhe Shqipëria do të ecë në rrugën europiane!" deklaroi Noka