Për të gjithë ata gjyqtarë e prokurorë të cilët nuk kalojnë provën e Vetting-ut ka një tjetër mundësi për t’u rikthyer sërish në sallën e gjyqit, kësaj radhe si avokatë.
Këtë mundësi “ngelsave” të vettingut ua dha mazhoranca përmes ndryshimeve në ligjin për avokatinë, ndonëse në 2 maj gjatë prezantimit të draftit, kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja ishte shprehur kundër.
“Ne i nxjerrim nga dera, s’i lëmë të hynë nga dritarja”.
Ndërsa dy muaj pas këtij propozimi, kreu i Komisionit të Ligjeve ka një tjetër qëndrim.
“Ky është profesion i lirë, punojnë mbi 10 mijë veta”.
Drafti ka marrë kundërshti edhe nga deputetë të mazhorancës.
“Pse të bëhet avokatia streha e gjyqtarëve të korruptuar“, thotë deputeti Bashkim Fino.
“Profesion i lirë, nëse është i paaftë do jetë edhe si avokat i tillë. Ne nuk mund të bëjmë dot gjykatën, nëse e dënon gjykata po”.
Shumica kaloi në Komisionin e Ligjeve edhe ndryshimet në draftin për Shkollën e Magjistraturës, por për miratimin e tij në Kuvend nevojitet edhe konsensusi me opozitën.