Deputeti i Partisë Demokratike Gent Strazimiri i është përgjigjur ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati, duke thënë se Bushati është i frikësuar nga fushata antimafie e ministrit të Brendshëm italian Matteo Salvini, pasi sipas tij do të prekë kryeministrin, ish-ministrin Tahiri, ministrin Xhafaj etj.
“Pse Ditmir Bushati është kaq i shqetësuar për fushatën antimafia të Matteo Salvinit?
Ai është ai i frikësuar se kjo do të prekë Edi Ramën, Sajmir Tahirin, Fatmir Xhafën dhe kompani? Ata nuk janë Shqipëria, por turpi dhe mallkimi i shqiptarëve të ndershëm. Fatkeqësisht, shteti shqiptar është marrë peng nga një narkoqeveri”, shkruan Strazimiri në Twitter.
Ky postim i deputetit demokrat erdhi pas postimit të ministrit Bushati, i cili reagoi mbi një status të kreut të PD-së Lulzim Basha që përgëzonte ministrin e brendshëm të Italisë për luftën që i ka shpallur mafies. Ai thoshte se shpresonte që llogaria në Twitter e Bashës të ishte hakeruar, pasi nuk gjente shpjegim tjetër.