Kryetarja e Komisionit Parlamentar të Politikës së Jashtme, Mimi Kodheli, ka mbyllur befasisht mbledhjen e këtij komisioni sot, duke mos lejuar opozitën t’i drejtohej ministrit Ditmir Bushati për shkaqet e shtyrjes së negociatave të vendit me BE-në.
PD dhe LSI e konsideruan si të paprecedentë këtë akt dhe e denoncuan para mediave.
Deputeti i Partisë Demokratike Tritan Shehu, ishte shprehur se “Ishte një ngjarje e paprecedentë ne historinë e parlamentit. Kryetarja e komisionit ndërpret mbledhjen për të shpëtuar qeverinë nga të pavërtetat e mëdha që po bëjnë. Fatkeqësisht Shqipëria pësoi një dështim të madh për shkak të kësaj qeverie. Kërkuam dorëheqjen e qeverisë sepse ra integrimi evropian. Ministri me leksione teorike u mundua ta fshehë të vertetën dhe kryetarja e komisionit u mundua ta shpëtojë nga mbytja ku ka rënë. Kemi të bëjmë me një përpjekje për të tejkaluar ketë moment tragjik për vendin krijuar nga kjo qeveri”.
Deputetja e LSI, ish-ministrja e Integrimit Klajda Gjosha e argumentoi këtë manovër me frikën e qeverisë për t’u përballur me opozitën për dështimin e saj. “Jemi të detyruar të bëjmë këtë dalje për mediat si konferencë për shtyp, bashkë me nënkryetarin tjetër të PD, për një arsye të paprecedentë të mbylljes së Komisionit të Jashtëm me një dëgjesë me ministrin për Europën. Kjo gjë nuk mund të ndodh asnjëherë dhe në asnjë vend sepse frika tashmë nga e vërteta dhe frika për tu përballur si me anëtarët e opozitës por dhe me të vërtetën besoj që është e dukshme për të gjithë qytetarët shqiptar dhe nuk është normale. Sepse në fakt ti mashtrosh ata që negociatat janë çelur, kur jo vetëm që nuk janë çelur por Shqipëria duhe të kalojë tashmë në kushte të përcaktuara qartë nga konkluzionet e Këshillit Europian. Tashmë këto janë detyra të mbartura jo vetëm mbi qeverinë shqiptare por janë detyra që rëndojnë mbi shpatullat e çdo qytetari shqiptar për një proces të zvarritur prej vitesh’, tha Gjosha.