Departamenti Amerikan i Shtetit, përmes një raporti për klimën e investimeve në Shqipëri për vitin 2018 ka denoncuar të gjithë kapicën e vjedhjeve të Edi Ramës, të ambalazhuar me emrin koncesion apo Partneritet Publik Privat. Në këtë raport, DASH denoncon se qeveria shqiptare po përzë investitorët e huaj për të favorizuar rrethin oligarkik pranë tij. “Investitorët raportojnë shqetësime të vazhdueshme, pasi rregullatorët përdorin legjislacionin dhe rregulloret e vështira për t’u interpretuar, si mjete për të dekurajuar investitorët e huaj dhe për të favorizuar kompanitë e lidhura me politikën...Përdorimi në rritje i kontratave të partneritetit publik privat (PPP) ka ngushtuar mundësitë për konkurrencë, përfshirë edhe investitorët e huaj, në infrastrukturë dhe sektorë të tjerë. Analizat e dobëta kosto-përfitim dhe mungesa e ekspertizës teknike në hartimin dhe monitorimin e kontratave PPP janë shqetësime të vazhdueshme. Qeveria kishte nënshkruar më shumë se 200 kontrata PPP deri në fund të vitit 2017”.
Më konkretisht, korrupsioni, mungesa e transparencës në tendera dhe favorizimi i kompanive të lidhura me politikësh është pikërisht leximi që Departamenti Amerikan i Shtetit i bën atyre që Rama quan koncesion.
Por, tek ky raporti duhet qëmtuar dhe diçka tjetër. Raporti i DASH-it vjen si një paralajmërim apo ultimatum për qeverinë e Edi Ramës, korrupsioni i të cilit është skeduar tani nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës si një burim destabiliteti politik dhe ekonomik për Shqipërinë. Ai tanimë është kapur në flagrancë, më saktë cip mbi cip me vjedhjen.
Ky raport duhet parë i integruar me raportin për të drejtat e njeriut në Shqipëri, në prill të këtij viti, ku ka denoncuar se korrupsioni në Shqipëri është i përhapur në të gjitha nivelet e qeverisjes. Prandaj, këto raporte të njëpasnjëshme dhe kaq përplotësuese duhet parë si ato gjuajtjet paralajmëruese të luftanijeve, kur kalon një bllokadë. Kësisoj, këto të shtëna i kumbojnë në vesh Edi Ramës, i cili pandehte se vjedhjet mund t’i mbulonte me propagandë.
Të gjitha këto koncesione dhe PPP që vjedhin tash e 99-vjet në të ardhmen kanë prekur interesat gjeo-strategjike të SHBA-së në Ballkan, veçanërisht në relievin shqiptar. Tanimë, Rama është zyrtarisht i kapur në flagrancë nga SHBA, si peshku i madh i hajnive në Shqipëri.