Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka uruar Presidentin e Konfederatës Zvicerane, Alain Berset, për ditën e themelimit të Zvicrës.
Me një letër të drejtuar sot homologut zviceran, Meta shpreh kënaqësinë për marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve.
‘Vlerësoj lart ndihmën që Zvicra i ka dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve, që nga viti 1992 e në vijim, si përmes asistencës teknike, ashtu edhe nëpërmjet donacioneve apo investimeve të drejtpërdrejta’, shkruan Presidenti Ilir Meta në letrën e tij, që e lexoni të plotë më poshtë.
I nderuar Zoti President,
Më lejoni që me rast Ditës së Themelimit të Konfederatës Zvicerane, të shpreh në emrin tim dhe të popullit shqiptar, urimet më të mira e të sinqerta për Ju dhe të gjithë qytetarët e Zvicrës.
Shpreh kënaqësinë për nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve e të bashkëpunimit midis dy vendeve tona, si në aspektin politik ashtu edhe në atë ekonomik e kulturor. Në dy dekadat e fundit këto marrëdhënie janë zhvilluar në mënyrë të qëndrueshme, duke krijuar një bazament shumë të qëndrueshëm për të ardhmen e bashkëpunimit tonë.
Vlerësoj lart ndihmën që Zvicra i ka dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve, që nga viti 1992 e në vijim, si përmes asistencës teknike, ashtu edhe nëpërmjet donacioneve apo investimeve të drejtpërdrejta. Mbështetja zvicerane, veçanërisht për qeverisjen demokratike, decentralizimin dhe rritjen e kapaciteteve lokale, apo në fushën e arsimit profesional, ka qenë domethënëse dhe ka ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik e social të vendit.
Përfitoj nga rasti gjithashtu të shpreh mirënjohjen edhe për mbështetjen dhe mundësitë që Zvicra i ka krijuar komunitetit shqiptar për t’u integruar dhe bërë pjesë e shoqërisë së saj.
Ky komunitet është bërë sot një urë e fuqishme miqësie e bashkëpunimi dhe i ka dhënë një përmbajtje edhe më të madhe marrëdhënieve midis dy vendeve tona.
Me urimet më të mira për zhvillimin dhe përparimin e mëtejshëm të Zvicrës dhe qytetarëve të saj, ju lutem pranoni, Zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë.
Ilir Meta
__________
Shkëlqesisë së Tij,
Zotit Alain Berset
President i Konfederatës Zvicerane
BERNË