Edhe pse jemi në një periudhë pushimesh, për politikën duket se ndodh ndryshe.
Selia blu nuk i ka ndalur sulmet ndaj kryeministrit Rama edhe këto ditë.
Teksa kryeministri publikoi sot disa të dhëna nga raporti i S&P për gjendjen e ekonomisë, deputetja e PD Grida Duma i është përgjigjur me disa të dhëna të tjera që tregojnë të kundërtën.
DEKLARATA E DEPUTETES GRIDA DUMA
Eurobarometri, matësi i Bashkimit Europian për ecurinë e vendeve europiane dhe të Ballkanit Perëndimor, po konfirmon vit pas viti përkeqësinim e treguesve të zhvillimit të Shqipërisë.
Tre problemet më të mëdha për shqiptarët janë ekonomia, papunësia dhe korrupsioni.
Eurobarometri i 2018 për Shqipërinë, fakton që 1 milion 750 mijë shqiptarë deklarojnë që gjendja e tyre ekonomike është plotësisht e keqe.
Vetëm në një vit, pra midis 2017 dhe 2018, janë shtuar 245 mijë shqiptarë më shumë, që deklarojnë se gjendja e tyre ekonomike është shumë e keqe.
Po ashtu Eurobarometri tregon se për 67% të shqiptarëve papunësia është problemi më i madh i tyre.
Në një vit të vetëm janë 315 mijë shqiptarë që e deklarojnë gjendjen e tyre shumë më keq.
Këto nuk janë shifra, por jetë njerëzish që përkeqësohen, jo në dhjetë e njëqind, por me qindra mijëra.
Një tjetër raport i rëndësishëm, Barometri për Ballkanin shpjegon jo vetëm në shifra përkeqësimin e gjendjes, por tregon si shifrat pasqyrojnë mjerimin jetesën e keqe, varfërimin social e mendor.
Barometri Ballkanik tregon se kriza ekonomike, korrupsioni dhe e papunësia e lartë po rrënon jetët e shqiptarëve.
- · 51% e shqiptarëve deklarojnë se janë të përjashtuar nga shoqëria se nuk gjejnë dot punë.
- · 48% e shqiptarëve deklarojnë që problemin më të madh me korrupsionin e kanë në shëndetësi, spitale dhe ilaçe
- · 85% e shqiptarëve besojnë që gjithë pasuria e vendit i ka shkuar pak të pasurve dhe që diferenca mes të pasurve dhe të varfërve është rritur dhjetëra herë brenda një viti.
Është e qartë që me këtë model qeverisje ku favorizohet oligarku, personat e lidhur me qeverinë dhe ku i afti bëhet më i pamundur dhe i varfri më i varfër, të vërtetat që i dinë të gjithë shqiptarët për Shqipërinë i fakton dhe Bashkimi Europian.
Por shqiptarët fatmirësisht vijojnë të besojnë se hyrja në BE është zgjidhja. Madje besimi se BE është shpëtimi është rritur me 2% brenda një viti, dhe 90% e shqiptarëve kanë këtë qëndrim.
Për shqiptarët me këtë qeverisje nuk ka shpresë; nuk ka shpresë nëse vijon rilindja e dështimeve.
Është jetike të ndalojmë qeverisjen kundër njerëzve, kundër mirëqenies.
Është jetike një tjetër qeverisje, përndryshe rrezikojmë të ndodhë skenari më i keq për shqiptarët, ai që parashikon BERZH.
Në këtë skenar, theksohet se nëse vazhdohet me këto shifra në rënie, shqiptarët do të arrijnë mesataren europiane në vitin 2220.
Është jetike të ndalojmë qeverisjen kundër shqiptarëve, kundër mirëqenies që shtyn të ardhmen me qindra vite.