Një ditë më parë Gjykata e Katanias liroi nga qelia të ashtuquajturin ‘financier’ të grupit të Habilajve, Nezar Seitin, ndërsa sot Prokuroria e Durrësit ka pushuar hetimet mbi ligjshmërinë e ekstradimit të tij drejt Italisë.
Sipas ‘Balkanweb’, hetimet janë pushuar që në fund të muajit qershor, ndërkohë që vendimi është miratuar dhe nga Gjykata e Durrësit.
Sipas Prokurorisë së Durrësit, parregullsitë e tre institucioneve për ekstradimin e Seitit, konkretisht Prokuroria, Gjykata dhe Drejtoria e marrëdhënieve Juridiksionale nuk përbëjnë vepër penale, por vetëm masë disiplinore.
Një nga arsyet se përse opozita e ka kundërshtuar aq fort ekstradimin e Seitit, është për shkak se emri i tij ishte shënuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në një njëjtin procedim me ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, që dyshohet se ka ndihmuar grupin e Habilajve në kultivimin dhe trafikimin e narkotikeve.
Për më tepër, fakti që Seiti kishte një çështje të hapur në Shqipëri nuk e lejonte esktradimin e tij drejt shtetit fqinj, por Prokuroria veproi kundër rregullave.