Ish-ministri i Brendshëm Dritan Demiraj ashtu si edhe shumë politikanë të tjerë ka reaguar pas sulmit me armë që iu bë shtëpisë së gazetares investigative Klodiana Lalës.
Demiraj shprehu solidaritet me gazetaren dhe familjen e saj dhe shprehet se përpjekja për t’i mbyllur gojën mediave të pakta të pavarura dëshmon për gjendjen e rëndë të krimit.
Ai thotë se krimi është trimëruar nga mosndëshkimi.
Postimi i Demirajt në facebook:
Të dashur miq,
Ndjehem thellësisht i tronditur për ngjarjen e rëndë që i ka ndodhur gazetares profesioniste/investigative Klodiana Lala.
Solidaritet me Klodianën dhe familjen Lala.
Përpjekja për t’i mbyllur gojën gazetares dhe mediave të pakta të pavarura dëshmon për gjendjen e rëndë kriminale dhe të pakontrolluar të krimit në Shqipëri.
Krimi është trimëruar nga mosndëshkimi.
Duhet dorë e fortë! Kriminelët marrin guxim kur politikanët dhe zyrtarët e lartë të shtetit fyejnë gazetarët me terma si Kazan, etj.
Raportet e Freedom House apo Reporters Ëithout Borders e kanë paralajmëruar qeverinë shqiptare të ketë kujdes me intimidimet kundër medias, por mesa duket çdo gjë që paralajmërojnë të huajt bie në vesh të shurdhët.
Inkurajoj Policinë e Shtetit të kryeje të gjitha veprimet gjurmuese e zbuluese për të mos lënë të pandëshkuar këtë krim të rëndë.
DD, PhD. USA.