Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka marrë pjesë në homazhet në nderim të themeluesit të PD-së dhe liderit të dhjetorit Azem Hajdari, në 20-vjetorin e vrasjes së tij.
Basha tha se Azem Hajdari ishte simbol i kurajës për liri dhe jeta e tij e shkurtër por e plotë duhet të frymëzojë brezat.
“Sot e kujtojmë Azem Hajdarin dhe mikun e tij të pandarë Besim Ceren në 20-vjetorin që na mori njeriun por na dha legjendën e tribunit dhe heroit të demokracisë, të pavdekshmit Azem Hajdari. E kujtojmë sot Azemin si njeri, si prind, si bashkëshort, si shok, si mik, si qytetar. E kujtojmë dhe respektojmë sot Azemin si lider si simbol të kurajës për liri, dinjitet dhe të drejta njerëzore. Sot më shumë se kurrë, jeta e shkurtër por e plotë e Azemit duhet të na frymëzojë”, u shpreh kreu i PD-së.