Kryetari i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, e ka akuzuar Kryeministrin Rama se është një elif matrak për sa i përket ligjeve dhe shtetit.
Vasili thotë se nëse bëhet e mundur ndryshimi i ligjit, atëherë Kryeministri duhet ndryshuar patjetër. Së fundmi, Vasili i quan “budallallëqe” deklaratat e Kryeministrit Rama për garën e hapur për ligjin e teatrit.
Postimi i plotë
Po ndryshuan ligjin e teatrit do ndryshojnë edhe Kryeministrin. Deklarojnë publikisht këta të Rilindjes se dashkan të ndryshojnë ligjin e teatrit dhe do bëjnë garë të hapur.
Ky Kryeministri, ju kam thënë kaq herë,që është shkollëpakët dhe e tallin të vetët. Ata i mësojnë një vjershë dhe ky e thotë përmendësh, se vetë është elif matrak dhe nuk ja thotë hiç për shtet, e ligje, e rregulla.
Ja çfarë ka deklaruar e recituar Kryeministri si papagall për garën e hapur për ligjin e teatrit:
“Çfarë gare, kur aty është një tokë private, që kërkon ta shfrytëzojë. Aty është një sipërfaqe e pashfrytëzueshme, parking me makina të vjetra. Privati do të ndërtojë, ndërsa ne fitojmë Teatrin e ri. Çfarë gare do të bësh kur je i kondicionuar nga fakti që do të përfshish në këtë zhvillim prona që i zotëron dikush që ka emër dhe mbiemër.”
Këto budallallëqe deklaroi ky Kryeministri për garën e hapur.
Po ndryshuan ligjin këta të Rilindjes, duhet të ndryshojnë edhe Kryeministrin, që ja futi kot dhe gajasi dynjanë me shkollepakëtinë e vet.
Edhe ndryshimi i ligjit, edhe Kryeministri nuk rrijnë dot.