Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas mbërriti në Tiranë në kuadër të një vizite që po zhvillon në rajon. Ai përsëriti se negociatat me Bashkimin Europian nuk do hapen automatikisht në vitin 2019. Vizita e Maas në Tiranë erdhi pas vizitës në Shkup.
“Nga programi i vizitës së tij mund të kuptosh situatën e ndryshme në të dy vendet,” shkruan Deutsche Welle.
Sipas agjencisë gjermane, ndërkohë që ministri i Jashtëm gjerman shëtiti nëpër Shkupin e vjetër me homologun maqedonas, në Shqipëri ai u shpreh i shqetësuar për krimin dhe korrupsionin.
Në Maqedoni problem mbetet zgjidhja e çështjes së emrit me Greqinë dhe referendumi i pritshëm. Kurse në Shqipëri u kërkuan më shumë reforma në fushën e sundimit të ligjit dhe gjyqësorit.
“Duhen reforma për të bindur ata që në BE mund të kenë akoma rezerva,” tha Maas.
Sipas Deutsche Welle, shqetësime ka në Francë, Holandë, por edhe në Bundestagun gjerman.
Maas e vlerësoi procesin e vetingut, verifikimin e gjykatësve dhe prokurorëve si “një hap gjigand”, që do të vendosë kritere përtej Shqipërisë, lidhur me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.