Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi i ka kërkuar prokurorisë të mos heshtë por të hetojë ngjarjen e fundit që ka të bëjë me dhunimin e një vajze nga djali i një deputeti.
Përmes një deklarate por mediat, kryemadhi theksoi se Xhesila Maloku, edhe gjatë ditës së djeshme që ka dhënë intervistë për një televizion në vend, ka qenë nën kërcënimin dhe dhunën e djalit të deputetit Rrahja. Ajo i ka bërë apel policisë që të hetojë se kush ishin personat që e dërguan atë të jepte intervistë në atë televizion.
Më tej Kryemadhi i bëri thirrje ndërkombëtarëve që të marrin në mbrojtje vajzën e dhunuar.
Deklarata për mediat e Kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi
Jam sot këtu për të denoncuar edhe njëherë rastin dhe denoncimin e djeshëm të nënkomisarit të Policisë, Emiliano Nuhu. Rasti i Xhisela Malokut është një rast i cili jo vetëm shqetëson por tmerron familjet e shqiptarëve, por sidomos tmerron gratë dhe vajzat shqiptare. Është vërtet e tmerrshme edhe mënyra se si edhe sot e kësaj dite vazhdojnë institucionet e shtetit shqiptar për të fshehur krimin, dhunën dhe përdhunimin e një vajze të re. Është e tmerrshme se si vazhdojnë akoma institucionet e shtetit shqiptar për të terrorizuar, për të kërcënuar dhe për ta ridhunuar viktimën e ngjarjeve të mëparshme. Është sot e tmerrshme përsëri sesi mënyra e institucioneve të shtetit shqiptar tashmë të kapura nga krimi i organizuar e kanë kthyer në qesharak sistemin e shtetit shqiptar, kur nuk gjë tjetër veçse frikë dhe panik, sesa siguri dhe besim tek shqiptarët.
Do të ishte e rëndë që ngjarja të mos hetohej, prandaj i bëj thirrje Prokurorisë dhe të gjithë atyre segmenteve të Policisë së Shtetit, të cilat ndihen të pakapura dhe të painkriminuara jo vetëm në çështjen në fjalë, por në të gjithë situatën që është përfshirë sot Policia e Shtetit dhe situata e rendit në Shqipëri, që të marrin në mbrojtje me institucionet ndërkombëtare Xhisela Malokun, sepse vetëm në këtë mënyrë kjo çështje do të zbardhet përfundimisht. Tre herë ka denoncuar Xhisela Maloku në institucionet e policisë dhe tre herë ka tërhequr denoncimin e saj si rezultat i dhunës, i presionit dhe i pambrojtjes së saj nga institucionet e shtetit shqiptar. Tre herë ka denoncuar Xhisela Maloku, tre herë ajo është tërhequr e frikësuar dhe e dhunuar. Dhe më e tmerrshmja ishte rasti i djeshëm, kur i dha një intervistë në një nga televizionet e cila nuk dihet apo do të ishte një rast shumë i mirë për Prokurorinë dhe Policinë Shqiptare për të hetuar se kush ishin personat që e dërguan atë televizion, kush ishin personat që e shoqëruan në atë televizion, sepse shumë thjeshtë do të arrijnë tek personat, të cilët e kanë detyruar për ta dhunuar edhe njëherë psikologjikisht dhe moralisht Xhiselën.
Nuk më shqetëson ose nuk më bën çudi pjesëmarrja e Taulant Ballës në këtë ngjarje sespe përpara se ai të sqarojë pozicionin e tij në këtë histori, duhet të mbajë përgjegjësi si kryetar i grupit të deputetëve të PS dhe të thotë nëse qëndron apo jo që djali i një deputeti të Partisë Socialiste jo vetëm që ka kryer këtë dhunë dhe këtë krim , por edhe është i kërkuar dhe i ndjekur penalisht nga drejtësia shqiptare, Drejtësi e cila sot për hir të së vërtetës me reformën që është në duart e Edi Ramës është e kapur nga vetë djali i deputetit socialist, i cili është edhe ligji edhe Maliqi. Është ligji që vendos për veten e tij për të qenë i lirë dhe është Maliqi për ta përdorur kamxhikun e drejtësisë së Edi Ramës si ti dojë qejfi mbi Xhisela Malokun. Mjafton të kërkoni emrin e deputetit socialist, ta google-oni në internet dhe di të shikoni që është në ndjekje penale dhe është precedent penal. Dhe nga ana tjetër, një nga precedentët e tij është rasti i zgjedhjeve në 2017. Do t`ju bëja thirrje shoqatave të grave dhe shoqatave civile, të mos heshtin, por të lëvizin dhe të kërkojnë të vërtetën. Ashtu siç marrin pjesë në seminaret luksoze nëpër hotelet luksoze, le të jenë sot në krahë me Xhisela Malokun, për ta përkrahur atë, për t`i dhënë besim dhe besim për të denoncuar përdhunuesin, kriminelin dhe dhunuesin e saj.
I bëj thirrje shoqatave të grave, figurave publike të cilat i kemi dëgjuar shpesh në televizione dhe aktivitete të ndryshme, që flasin për projektet e tyre në mbrojtje të grave të dhunuara, që ja ku e kanë një rast flagrant. Të paktën të flasin për Xhiselën, ashtu sikurse nuk folën për gjyqtaren e vrarë. Të mbrojnë Xhiselën ashtu siç nuk kanë mbrojtur dhe shumë vajza apo gra të tjera, të cilat sot janë viktima të trafikimit dhe dhunës së bandave të krimit të organizuar. Është më se e qartë që situata dhe ngjarja apo denoncimi që bëri oficeri i policisë është një nga qindra dhe mijëra denoncime që bëjnë qytetarët shqiptarë në rajonet e policisë. Është një nga rastet që nuk ka përfunduar me snajper, me plumbin e snajperit në lule të ballit dhe me dhunimin e një vajze të re, duke e nxjerrë përballë një televizioni për të dhënë një intervistë, nën frikën apo dhe nën dhunën e presionit të tij.
Prandaj, i bëj thirrje të gjithë atyre prokurorëve të ndershëm dhe policive, që jo të distancohen, por të vazhdojnë më tej ta hetojnë këtë çështje dhe të kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve ndërkombëtare për të mbajtur në mbrojtje Xhisela Malokun. Sot, Xhisela ka më shumë nevojë për mburojë të sigurisë së saj jetësore se sa ka nevojë për deklarata morale. Ndërsa shoqëria shqiptare, sot ka nevojë për një reagim dhe një siguri më të madhe sepse sot jeta e qytetarëve shqiptarë, jeta e fëmijëve shqiptarë është në duart e ca kriminelëve, të cilët nën efektin e substancave narkotike, kryejnë krime dhe dhunë monstruoze. Disa fëmijë të llastuar apo disa njerëz të përkëdhelur nga fuqia apo pushteti i Edi Ramës, sot janë kthyer në kriminelët e fëmijëve të shqiptarëve.