‘Misioni parësor i opozitës është shkërmoqja e qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama’, kështu deklaroi në emisionin ‘Opinion’ në News 24, kreu i grupit parlamentar i PD-së, Edmond Spaho.
Duke folur për zgjedhjet, Spaho tha se vrasësi dhe shkatërruesi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme është kryeministri Edi Rama. Sipas tij PD do të hyjë në zgjedhje, por me kushtin e vetëm që të ndalë përfundimisht zgjedhjet kriminale të Edi Ramës.
“Shqetësimi më i madh për Partinë Demokratike është standardi i zgjedhjeve. As mos të keni dyshim se PD do të hyjë në zgjedhje. Në Shqipëri në 6 vitet e fundit është votuar, por nuk ka patur zgjedhje normale. Ne do të punojmë fort që Shqipërisë ti garantohen zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Në Shqipëri, rezultatin e zgjedhjeve e përcakton krimi. Hoqëm Saimir Tahirin të parin, i cili jepte 20 milionë euro. Misioni i opozitës është shkërmoqja e qeverisjes së Edi Ramës. Partia Demokratike ka ngritur shtabe elektorale në bashki. Edi Rama është ideatori dhe zbatuesi i manipulimit të zgjedhjeve. Pse ju mendoni se kjo qeveri jep garanci për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, por Partia Demokratike nuk do të lejojmë që të kemi më zgjedhje farsë. Zgjedhjet parlamentare dhe ato vendore, është një opsion. Përpara se të arrijmë në zgjedhje vendore apo të përgjithshme së bashku, së pari duhet të garantojmë zgjedhje të lira. Mazhoranca ka uzurpuar kompetencat e të tjerëve. Kjo klikë duhet të çmontohet, dhe më pas do të hyhet në zgjedhje normale dhe të ndershme. “, tha ai.