‘Bularati’/ Idrizi: Urgjente, të mblidhet Këshilli i Sigurisë

Premte, 09 November 2018 14:09

Kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi ka reaguar pas thirrjeve nacionaliste dhe antishqiptare dje në Bularat të Gjirokastrës gjatë varrimit të ekstremistit grek Kostandino Kacifas. Shpëtim Idrizi ka kërkuar nga Presidenti të mblidhet urgjentisht Këshilli i Sigurisë Kombëtare, pasi sipas tij dje ne jug të vendit ra së funksionuari shteti.

Kreu i PDIU i ka konsideruar si të turpshme veprimet e nacionalistëve grekë me thirrjet për Vorio Epirin, ndërsa sipas tij politika shqiptare hesht dhe nuk vepron.

“Kemi heshtur deri tani duke u munduar shumë të respektojmë kodin e të vdekurit.

Kemi heshtur gjithë këto ditë për keqpërdorimin që I është bërë një akti terrorist, që do ndëshkohej nga policia e çdo vendi të botës, të një njeriu që e përdorën në jetë dhe e përdorën edhe në vdekje.

Kemi heshtur këto ditë dhe nuk jua rikujtuam atë që e kemi thënë me vite me zë të fortë: Varrezat e ushtarëve grekë të rënë si pushtues në Shqipëri dhe bërja e tyre Varrezë Historike me ceremonial shtetëror, do të bëhej vend pelegrinazhi dhe pikënisje incidentesh, për të avancuar pretendimet territoriale të Vorio-Epirit.

Kemi parë me shqetësim dhe indinjatë stinën e marrëveshjeve nën tavolinë, politikën pa dinjitet e resiprocitet të politikës shqiptare, me servilizëm e vasalitet, përballë shtetit grek. Shteti Grek që mban prej 78 vitesh ligjin e turpshëm të Luftës me Shqipërinë, nuk njeh genocidin e shqiptarëve të Çamërisë dhe ende nuk njeh as shtetin e Kosovës.

Fatkeqësisht koha na dha të drejtë e sot ne nuk mund të heshtim më. Dje, u gjendëm përballë shfaqjes së turpshme për shtetin shqiptar e për cilindo shqiptar, atë të cënimit të integritetit territorial të vendit.

Dje në territorin e Shqipërisë shteti shqiptar pushoi së ekzistuari dhe ne u detyruam të shihnim shfaqjen e thirrjet nacionaliste të ithtarëve të Vorio-Epirit: “Sëpatë dhe zjarr ndaj qenëve Shqiptarë”, “Gjaku na thërret të djegim Shqiptarin”, “Vorio–Epiri është Greqi”.

Thirrje raciste u shoqëruan me veprime të dhunshme ndaj gazetarëve shqiptarë si dhe me bllokimin e rrugëve nacionale. Turp për ata deputetë shqiptarë e grekë, që u bashkuan në nderimin e një terroristi të keqpërdorur. Thirrjet e atyre që guxuan të revokonin dje Vorio-Epirin, sot po i përgjigjemi ne: Ka vetëm një Epir dhe është ai I Pirros së Epirit, krahina shekullore e Çamërisë.

PDIU dhe Shoqata Patriotike Çamëria kërkojnë sot me forcë të mblidhet Këshilli i Sigurisë Kombëtare, për të vënë urgjentisht në alarm institucionet e Sigurisë Kombëtare, SHISH, SHIU, Ministrinë e Brendshme dhe Ministrinë e Mbrojtjes, por dhe për financimet sekrete greke për një pjesë të mediave, OJF-ve dhe bizneseve. Ju kujtojmë shqiptarëve që Këshilli I Sigurisë Kombëtare është mbledhur herën e fundit për çështjen e Balilit.

Është e papranueshme dhe indinjuese për çdo shqiptar që të shohim rënien e shtetit në jugun e Shqipërisë. Ngjarje të tilla Shqiptarët I kanë parë në vitin 1914, në vitin 1940, në vitin 1997, por kurrë nuk mund të pranojnë ti shohin të përsëritura në vitin 2018.

I drejtohem sot shtetit shqiptar që: Nëse nuk e vendosni dot autoritetin e Shtetit për garantimin e integritetit territorial të Shqipërisë, detyrë që rrjedh nga Kushtetuta e vendit, na thoni se do ta mbrojnm vetë ne shqiptarët”-tha Idrizi.

Login to post comments