Një dekret presidencial kundër ndarjes së Kosovës

Premte, 11 Janar 2019 12:40

Nga Çim Peka

Qelbi i krizës totale; ekonomike, sociale, politike, parlamentare, në drejtësi madje edhe brenda vetë mazhorancës qeverisëse, prej kohësh ka dalë në shesh.

Por së fundmi ajo këputi edhe atë fill të hollë ekuilibri, që ishte mbajtur më shumë për meritë të një gjakftohtësie që buron nga 26 vite eksperiencë politike, prej presidentit Ilir Meta. Krizë ose më saktë, luftë të hapur edhe institucionale; Kryeministër-President.

Duket se mbrëmë për gjithë natën, sedra e acaruar keqas prej refuzimit ose një hall i madh; një kokëfutje në kushedi se kë çark, skutave të skenës ndërkombëtare e rajonale, e ka bërë Edi Ramën që të kapërcejë edhe stilin e hungërimave në rrjetin e ‘cicërimave’ dhe të kërcënojë e shantazhojë hapur si një gangster; jo Ilir Metën, por presidentin e Shqipërisë.

Por kush ishte ajo ‘pika e ujit’ që derdhi gotën e mbushur plotë, të cilën e përshkruan (kërcënon komisarë, gazetarë, prokurorë, gjyqtar, opozitarë e këdo) presidenti në kundërpërgjigjen e fortë që i dha sot kryeministrit?!

Është ajo plagë e shqiptarisë, që për më shumë se një shekull rrjedh gjak; Kosova!

Ajo plagë që kur u duk se u mbyll e u rigjenerua, po hapet sërish nga armiqtë e shqiptarëve, por këtë herë me ndihmën edhe të ‘kirurgëve’ shqiptarë në të dy anët e kufirit të një toke.

***

Refuzimi i kandidaturës së Edi Ramës për Ministër të Jashtëm nga ana e Presidentit të Republikës ngjalli e po vazhdon, reagime të shumta në të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptarë. Genti Cakaj, një emër tërësisht i panjohur në Shqipëri, zëvendës ministër i Jashtëm, u trumbetua nga Rama që në momentin e propozimit të tij, si një njeri brilant, intelektual, erudit etj. Nuk tha vetëm, se kemi të bëjmë me ‘Faik Konicën’ e ringjallur.

Por duke mos pasur në dispozicion as CV-në e tij (edhe sot e kësaj dite ajo mungon edhe në postin e zv. ministrit) është e vështirë të thuhet se kush është ky djalosh, qoftë edhe formalisht. Veçse është evidente, se kushdo që të jetë kapaciteti i tij, prapë së prapë një 28-vjeçar mbetet.

Edi Rama u mburr, se është njeriu më i lexuar që i kanë parë sytë dhe i kanë dëgjuar veshët. Kjo mund të jetë edhe e vërtetë, duke pasur parasysh tufën e injoranteve me të cilët ka rrethuar veten kryeministri ynë artist, sportist, shkrimtar dhe së fundit poçar.

Në ato pak dalje publike të këtij ‘gjeniu të lexuar’, vëren në fakt pikërisht kulmin e mediokritetit të maskuar me akademizëm librash shkollorë. Në një fjali me dhjetë fjalë të artikuluar në shqip të Gent Cakajt, shtatë janë huazime. Tipike e delirantëve, që kërkojnë të hiqen si koka të mëdha. E kundërta e shqiptarëve të mëdhenj, të cilët edhe pse njihnin në mënyrë perfekte shumë gjuhë të botës, (si Konica e Noli që Rama thotë se i ka mësues), por flisnin një shqipe të kulluar dhe madje e pasuruan atë, duke e spastruar nga huazimet nga gjuhë të tjera.

 Por debatet për intelektualizmin e këtij çunaku, në fakt nuk kanë asnjë vlerë për postin që i ka përzgjedhur Edi Rama, pasi mjafton të thuash se ai as nuk është diplomat, as nuk është shkolluar për diplomaci. Aq më tepër që është tërësisht i pa eksperiencë, në punët e shtetit. Kaq për të, si ‘1000 herë më i lexuar’.

***

Debati i ndezur për mos dekretimin e tij në fakt nuk lidhet me Gent Cakajn nominalisht, por për çfarë përfaqëson ai në të vërtetë. Jo si intelekt, por si produkt. Dhe për produkt nuk flasim thjesht vetëm për sponsorizimin ndaj i tij disa vjeçar nga ana e Baton Haxhiut, por për konjukturën që e solli deri pranë këtij posti të lartë, në Republikën e Shqipërisë. E vërteta është, se në fakt rrëzimi i emrit të tij ishte rrëzimi i vetë konjukturës. Dhe pikërisht kjo e ka xhindosur edhe Ramën edhe Haxhiun, të cilët kanë marrë rolin e të fortit të lagjes dhe kërcënojnë këdo që nuk ju bindet.

 Ecim më tej me zhvillimet, brenda kësaj logjike. Hashim Thaçi është shprehur sistematikisht dhe hapur për ndryshimin e kufijve me Serbinë. Pra i pozicionuar, pro copëtimit të Kosovës. Madje e ka paraqitur, si ide dhe propozim të vetin. Në fakt ai është propozim i Vuçiç, por Thaçi është emëruar dhe deleguar që ta paraqesë si të tijin, në mënyrë që të ngjisë më shumë në procesin e shqyrtimit në kancelaritë perëndimore.

 Nga ana tjetër edhe Edi Rama është brenda kësaj skeme, si mbështetës i Thaçit dhe propozimit të tij, për ndarjen e Kosovës. Megjithëse për mjaft kohë ndoqi teorinë e ‘ambiguitetit’ duke mos u shprehur, ishte e qartë për këdo, që trinomi Vuçiç-Rama-Thaçi kishin vendosur të ndanin Kosovën. Secili, për interesa të vetat.

 Fillimisht, Sali Berisha ishte i pari, i cili doli hapur, kundër idesë së ndarjes së Kosovës (Thaçi e quan herë shkëmbim, herë korrigjim e herë marrëveshje historike). Reagimi i Thaçit ishte i turpshëm. Si i Batonit aktualisht. Ai fyeu dhe kërcënoi, Sali Berishën. Edhe Batoni fyeu dhe kërcënoi Ilir Metën. Reagimi i Thaçit ndaj Berishës, vetëm sa i ngriti adrenalinën këtij të fundit. Njësoj si me Metën sot, që i tregoi vendin dhe të vërtetën punëdhënësit të Batonit. Sali Berisha e quajti Thaçin argat të Beogradit. Ilir Meta shfaqet çdo orë e më i vendosur dhe i panegociueshmë; se sa të jetë ai President i Republikës nuk do të pranojë pazaret me territore, të treshes Vuçiç-Rama-Thaçi.

I shkreti Baton Haxhiu! Ka rënë në hall të madh dhe i fut hundët në këtë punë, sepse është i zhytur deri në grykë me këtë maskarallëk. I njohur dhe i akuzuar me fakte publikisht e botërisht prej më shumë se dy dekadash si bashkëpunëtor i shërbimit sekret serb; njeri i afërt në shoqëri dhe biznes me lidershipin e këtij shërbimi, ai asnjëherë nuk ka gjetur kurajo, ta përgënjeshtrojë këtë fakt. Edhe po të mos njihej botërisht si i tillë, shërbimet që ai bën e tregojnë qartë dhe nuk duan koment.

Ai është njeri i afërt me të tre; Vuçiç, Ramën e Thaçin. Këshilltar konfidencial, i këtyre dy të fundit. Ndoshta edhe shefi i tyre, pse jo?!

I vetmi person këtej dhe andej kufirit, që ka mbështetur dhe promovuar idenë e ndarjes së Kosovës së bashku me Treshen është Baton Haxhiu. Edhe pinjolli i tij, ministri i jashtëm në tentativë. Ditmir Bushati as nuk është ministri i Jashtëm më i mirë dhe as intelektuali më i madh, qoftë edhe mes Rilindjes. Por ka një meritë, që përkundër vullnetit të shefit të tij, ishte kundër shkëmbimit të territoreve; ndarjes së Kosovës. Dhe bash kjo, i hëngri kokën. Zelli i madh i Ramës për të mbështetur ndarjen e Kosovës, dhe inferioriteti i tij ndaj Bushatit, i ndërprenë karrierën si Ministër i Jashtëm, por nga ana tjetër i bënë nderin e jetës; e vunë atë në anën e drejtë të historisë dhe kjo, do e ndjekë nga pas gjithmonë.

Në Kosovë dhe në Shqipëri për këtë çështje ka dy grupime; disporcionale në fakt. Nga njëra anë janë mbështetësit e ndarjes së Kosovës; Thaçi, Rama, Haxhiu, dhe ky djali Cakaj, nga ana tjetër janë kundërshtarët e ndarjes së Kosovës: Ramush Haradinaj, qeveria e tij, gati gjithë klasa politike e Kosovës, edhe vetë partia e Thaçit; në Shqipëri, Sali Berisha, Ilir Meta, Lulzim Basha, opozita. Edhe analistët dhe mediat kryesore këtu e andej kufirit, përveç Haxhiut që ngeli duke kaluar Morinën natë për natë për të kapur të gjitha studion, janë në unison kundër.

Shqipëria ka një rol të veçantë në negociatat e ardhshme midis Kosovës dhe Serbisë, si mbështetëse dhe garante e qëndrimeve të Kosovës. Ja detyron-përcakton, edhe Kushtetuta. Nga ana tjetër ndryshe nga Kosova, Shqipëria është anëtare e NATO-s, OKB, OSBE, Këshillit të Europës, vend kandidat për në BE dhe qëndrimi i saj ka peshë specifike në këtë rast, në të gjitha kancelaritë perëndimore. Edi Ramës, Vuçiç dhe Thaçit u duhet një ministër i Jashtëm i Shqipërisë, i cili shtyn përpara idenë e tyre të ndarjes nga Brukseli në Berlin, nga Parisi në Londër, nga Roma në Washington.

Shto këtu edhe argumentin që mund të përdorë edhe vetë Vuçiç nëpër kancelaritë perëndimore; E shihni, edhe një ministër i Jashtëm i Shqipërisë nga Kosova është, pro!!

Prandaj refuzimi i Ilir Metës, nuk ishte thjesht ndaj një emri (pavarësisht arsyeve ligjore), por refuzim ndaj një ideje. Refuzim i pa negociueshëm, ndaj ndarjes së Kosovës. Kundërshtim ndaj planit ogurzi për shqiptarinë, të Ramës dhe Thaçit. Shumë personalitete me peshë kanë folur, kundër ndarjes së Kosovës.

Ka folur i pari Sali Berisha, atëherë kur nuk guxonte askush të artikulohej për këtë temë. Dhe ndërhyrja e fortë e tij, e ndryshoi rrjedhën e ngjarjeve. Ka folur Ramush Haradinaj, ka folur edhe Meta. Por e folura e Metës këtë radhë ishte e ndryshme nga të gjithë. Nuk ishte kundërshtim me Twitter, as me FB, as me intervistë dhe as me deklaratë me shkrim. Ka folur me një akt zyrtar, siç është Dekreti i Presidentit. Dekreti i tij, nuk ishte dekret kundër një kandidature, por ishte Dekret kundër ndarjes së Kosovës.

Me budallallëkun dhe ligësinë e tij, Edi Rama, pa dashje ra në kurthin që ngriti vetë. I dha mundësinë Presidentit të Republikës, që të rrëzonte këtë herë edhe zyrtarisht e institucionalisht, idenë e ndarjes së Kosovës; e Dekreto refuzimin e atij plani. Edi Rama pa dashje i ngriti topin, dhe Ilir Meta e zhyti fort. Aq fort, sa që i nxori tërësisht jashtë faze tregtarët e territoreve.

Aq shumë i shkundi me këtë akt, sa që minjtë e UDB-së dhe Sigurimit të Shtetit në të dy anët e kufirit dolën nga budrumet e tyre të pisët dhe kërcënuan hapur Presidentin e Republikës së Shqipërisë. Pak orë më vonë u shpreh, edhe Sali Berisha. Siç di dhe mund, vetëm ai. Mbrëmë në darkë, Lulzim Basha deklaroi, se ideja e ndarjes së Kosovës ishte ide e Sllobodan Millosheviçit. Sot sërish Ilir Meta ja bëri të qartë Edi Ramës, se po bën një gabim fatal. Jo thjesht me kërcënimet ndaj Presidentit, por me rrugën dhe çorbën që ka zgjedhur të hajë, për çështjen e Kosovës.

Beteja e madhe ka filluar dhe zarat e Edi Ramës e Baton Haxhiut janë thjesht gurë shahu. Le ta luajnë deri në fund, meqenëse Ramës i pëlqen shahu!

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...