Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, priti sot ministrin italian të Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar, Enzo Moavero Milanesi.
Presidenti Meta vlerësoi vizitën e ministrit Milanesi në Shqipëri, si një shenjë e vëmendjes së madhe që Italia i kushton marrëdhënieve me Shqipërinë dhe zhvillimeve në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Në mënyrë të veçantë Presidenti Meta vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera e historike midis dy vendeve, si dhe mbështetjen e gjithanshme që Italia i ka dhënë Shqipërisë ndër vite, si dhe për integrimin në NATO dhe BE.
Duke u ndalur tek Marrëdhëniet e Partneritetit Strategjik, Presidenti Meta, nënvizoi nevojën e nxitjes dhe institucionalizimit të mëtejshëm të projekteve dypalëshe apo në kuadrin rajonal.
Ndërsa, duke iu referuar bashkëpunimit në kuadër të Trojkës së kryesisë së OSBE-së, Itali-Sllovaki-Shqipëri, 2018-2020, Presidenti Meta, vlerësoi koordinimin e mirë midis tre vendeve dhe angazhimin serioz për të adresuar sfidat, krizat dhe konfliktet që po kërcënojnë paqen dhe stabilitetin e hapësirës së OSBE-së.
Një vëmëndje të veçantë Presidenti Meta ia kushtoi edhe nevojës së nxitjes së mëtejshme të investitorëve italianë për të qenë sa më të pranishëm në tregun shqiptar, veçanërisht në sektorët strategjikë dhe me impakt zhvillimor të përbashkët.
Presidenti Meta shprehu mirënjohjen për mbështetjen dhe nënvizoi gjithashtu nevojën e rritjes së pranisë së investitorëve italianë, veçanërisht në sektorët strategjikë, përfshirë edhe energjetikën apo për eksplorimin e burimeve të reja të naftës dhe gazit.
Të dy bashkëbiseduesit një vëmendje të veçantë ia kushtuan edhe zhvillimeve më të fundit në rajonin e Ballkanin Perëndimor dhe ndanë të njëjtin mendim lidhur me nevojën e çuarjes përpara të arritjeve të deritanishëm dhe jo kthim prap