Kryetari i Grupit Parlamentar të LSI, Petrit Vasili ka dalë sot në një konferencë për shtyp dhe ka cekur edhe një herë akuzat e rënda që Zëri i Amerikës ka lëshuar drejt Ramës dhe Qeverisë për sa i përket rekrutimeve në administratën shtetërore.
Vasili është shprehur se përgjimet janë provë e pakundërshtueshme e shkeljes së ligjit. Ai u bëri thirrje qytetarëve të hapin sytë, pasi kjo qeveri nuk njeh zbatimin e ligjit.
“Kjo qeveri gjykon t’i shpallë luftë edhe Zërit të Amerikës që ka vënë përballë publikut fakte për emërimet politike në burgje. Përgjimet e publikuara nga VOA janë provë e pakundërshtueshme. Kryeministri Edi Rama mban në zyrë emërimet.
Thirrja ime është e përsëritur për një ligj që nuk funksionon dhe është kapur nga kryeministri. U them vetëm kaq: Qytetarë hapni sytë. Kjo qeveri dhe këta ministra nuk njohin ligj. Këta nuk kanë trup edhe para provave që i thonë po vetë.”- tha ndër të tjera Kryetari i Grupit Parlamentar të LSI, Petrit Vasili.