Qeveria ka hedhur për konsultim, ligjin për ngritjen e “Korporatës së Investimeve Shqiptare”. Korporata krijohet si shoqëri tregtare, ndërsa përjashtohet nga rregullat e prokurimit publik.
Ky organ parashikohet të zhvillojë dhe menaxhojë pronat shtetërore dhe sipas rastit merr përsipër zbatimin e tyre, gjithashtu ngarkohet me detyrë të analizojë dhe shqyrtojë projekte të investimit të paraqitur nga institucione vendase ose të huaja, publike ose private.
Kjo nismë e qeverisë, pritet të ndezë një debat të gjerë me grupet e interesit por dhe me opozitën.
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, thotë se ky është një organizëm antikushtetues, i ngritur me synim grabitjen e pronës.
Tabaku: Ky është një ligj special për të grabitur pronën. Krijohet si një korporatë e cila do të ndajë pa tender, pa asnjë procedurë gare normale pronat qofshin këto publike, ose private.
Tabaku thotë se ngritjes së Korporatës, qeveria i ka paraprirë me nje VKM numër 708, i cili përcakton:
Tabaku: Të gjitha pronat publike, private, të njohura, të kthyera të pakompesuara, i ka futur në një fond që ja ka kaluar në administrim Korporatës së Investimeve Shqiptare. Është ngritur si një institucion që do të marrë dhe do të ndajë këto prona për interes të vetin tek personat që do të shfaqin interes. Nesër një nga përfituesit më të mëdhenj të tenderave në Shqipëri shkon dhe bën një ofertë të pakërkuar dhe qeveria ja jep pa tender dhe pa garë.
As në komunizëm, thotë Tabaku, prona publike nuk trajtohej në këtë formë.
Tabaku: Nuk ka ndodhur kurrë, as në kohën e Enver Hoxhës që prona private dhe publike të ndahet si plaçkë siç do të bëjë kjo agjenci.
Deputetja demokrate e angazhuar në çështjen e pronave thotë se që me ardhjen ne pushtet kjo qeveri ka ndërmarrë një sërë nismash që cënojnë pronën, duke nisur me reformën e pronës apo ligjin e investimeve strategjike./oranews