Nga fjala e kryetarit të opozitës, Lulzim Basha, në takimin me Shoqatat e Bizneseve dhe Sipërmarrësit për prezantimin e shtyllave kryesore te programit ekonomik të Partisë Demokratike.
Çfarë synon reforma jonë fiskale? Cilat janë arsyet e masave që ne do të ndërmarrim?
Së pari, duam të ndërtojmë një sistem tatimor të thjeshtë, që do të japë fryte si për tatimpaguesin, ashtu edhe për interesin publik, administratën.
Së dyti, duam të vendosim në piedestal qytetarin, tatimpaguesin dhe ta kthejmë inspektorin tatimor në shërbëtor të vërtetë të tij.
Së treti,duam të lëmë sa më shumë para në xhepin e njerëzve, duke besuar fort së këto para kanë më shumë vlerë, nëse administrohen nga vetë njerëzit dhe sipërmarrësit, sesa nga burokratët e administratave.
Së katërti, duam të shkurtojmë duart e gjata të inspektorëve dhe kontrollorëve. Po ashtu, kjo reformë fiskale synon të ulë kostot e vetëdeklarimit nga ana e tatimpaguesit. Konkretisht, për Biznesin e Vogël, brenda 100 ditëve të para, do të realizohet:
Rritja e kufirit të regjistrimit për TVSH nga 2 milionë lekë xhiro vjetore në 14 milionë lekë ose 140 mijë dollarë. Qëllimi është krijimi i një kufiri të vetëm prej 14 milionë lekësh si për TVSH, ashtu edhe për Tatimin mbi të Ardhurat.
Kalimi i tatimit mbi biznesin e vogël në tatim lokal, me kuota fikse sa 0,5% xhiros vjetore. Gjithashtu, pagimi i kuotave fikse nga Biznesi i Vogël do të shoqerohet me marrjen e një pulle fiskale, ngjitja në vitrinëe së cilës, do t’i thotë stop kontrolleve e inspektimeve korruptive e abuzive.
Dhe e fundit, por jo më pak e rëndësishme. Uljen e kontributit të sigurimeve shoqërore nga rreth 24% në 18% për të vetëpunësuarit, ndërsa për të punesuarit 9%.