Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta ishte sot në Bashkinë e Kuçovës në kuadër të nismës së ndërmarrë bashkë me “Aleancën për Dhurimin e Gjakut”.
Pasi u takua me Kryetarin e Bashkisë, z.Selfo Kapllani dhe përfaqësues të tjerë vendorë, Presidenti Meta shprehu kënaqësinë për këtë seancë të dhurimit të gjakut si dhe mirënjohjen ndaj dhjetra qytetarëve të Kuçovës, të cilët iu bashkuan me vullnetarizëm kësaj kauze humane. “Gatishmëria juaj për t'ju bashkuar kësaj kauze tregon për një shpirt të madh e human të qytetarëve të Kuçovës. Nevoja për të dhuruar gjak është e përditëshme dhe kjo na vendos përpara detyrimit tonë qytetar për t’u bërë dhurues vullnetarë periodikë.
Dhurimi i sotëm nga ana e qytetarëve të Kuçovës do të shkojë për të ndihmuar të sëmurët talasemikë të Lushnjes e Beratit.
Unë ju falënderoj dhe ju përgëzoj për këtë ndjeshmëri të lartë shoqërore dhe për vullnetarizmin tuaj. Nuk mund të lejojmë që të ketë të sëmurë talasemikë, të cilët nuk marrin dot shërbimin e nevojshëm jetik për ta, për shkak të mungesës së gjakut.
Jam i bindur se me impenjimin e të gjitha institucioneve publike dhe private do të arrijmë të sigurojmë një dhurim gjaku të qëndrueshëm e të përhershëm.
Duhet të nxisim vullnetarizmin jo vetëm për dhurimin e gjakut, por edhe për kauza të tjera sociale.”, – u shpreh Presidenti i Republikës.
Kryebashkiaku i Kuçovës, Selfo Kapllani, e falënderoi Presidenti Meta për ndërmarrjen e kësaj kauze jetike, duke i ftuar qytetarët që t’i bashkohen asaj masivisht.