Gjatë një interviste për Televizionin Fax News, deputeti i Partisë Demokratike Flamur Noka deklaroi se Edi Rama nuk është pushtetar por është sot një nga sundimtarët autokrat më të mëdhënj që ka njohur Ballkani.
Duke folur për vendimin e grupit parlamentar të PD-së për djegien e mandateve, Noka tha se ka qenë gjithmonë pro këtij vendimi.
“Kemi bërë gjithmonë përpjekjet e mundshme si opozitë dhe pas kësaj iu drejtuam qytetarëve dhe me datë 16 ata folën dhe mandatin që na e kishin dhënë na e hoqën, sepse na thanë se nuk mund të jeni në një institucion me bandat ju që jeni përfaqësuesit tanë dhe ne këtë e zbatuam. Ne nuk mund të bëjmë gjë tjetër veçse të zbatojmë versionin e tyre. Vendimi që kemi marrë sot është verdikti që na kanë ofruar qytetarët sepse nuk ka mbetur rrugë dhe zgjedhje tjetër”.
Flamur Noka tha ndër të tjera se “në Shqipëri nuk funksionon më asnjë institucion, në Shqipëri sundohet dhe sundimtari sundon çdo hallkë”, tha ai.
Sipas tij deri me datë 16 kishte hapësira për marrëveshje dhe zgjidhje politike, me datë 16 koha për zgjidhje politike mori fund.
I pyetur nëse beson se LSI-ja do të marrë të njëjtin vendim si PD-ja për djegien e mandateve, Noka tha se kjo është e padiskutueshme duke shtuar se një vendim të tillë besonte se do ta merrte në mbledhjen e sotme të grupit.
Noka deklaroi se vendimi i sotëm është zhvilluar në mënyrë unanime nga të gjithë dhe pa asnjë hezitim. Ai paralajmëroi ata që tentojnë të përfitojnë mandatin e deputetit pas largimit të atyre aktual se do të ballafaqohen dhe do të kenë probleme me popullin.
Noka tha gjithashtu: “Kur shkuam të interesoheshim për qytetarët e ndaluar pqër shkak se morën pjesë në protestë, ata u përpoqën të na tallin, dhe ajo që është më e tmerrshme është se e gjithë kupola e Policisë së Tiranës ishte shtruar duke festuar me shishet e wiskit përpara duke refuzuar kategorikisht të na jepnin shpjegime. Madje kur ne mbërritëm aty disa prej tyre tentuan edhe të tallen me deputetëtët e opozitës dukë përdorur edhe dhunë fizike me shtyrje dhe fyerje”.