Në vijim të vizitës zyrtare në Egjipt, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, u prit në një takim të veçantë nga Kryetari i Parlamentit të Egjiptit, Dr. Ali Abdel-Aal Sayed Ahmed.
Presidenti Meta shprehu kënaqësinë për takimin me Dr.Sayed Ahmed dhe nënvizoi interesin e madh për t’i nxitur më tej lidhjet e hershme historike e kulturore midis dy vendeve.
Duke iu referuar në mënyrë të veçantë rolit që kanë parlamentet e të dy vendeve në këtë “fillim të ri” të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Egjiptit, Presidenti Meta theksoi nevojën e fuqizimit dhe rritjes së bashkëpunimit midis Grupeve të Miqësisë të parlamenteve respektive.
“Jemi në kohën e duhur për t’i dhënë një hov të ri marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Egjiptit.”, – u shpreh Presidenti Meta.
Edhe gjatë këtij takimi, Kreu i Shtetit, nënvizoi rolin që dy vendet luajnë në rajonet respektive dhe mundësitë e mëdha për rritjen e bashkëpunimit ekonomik e tregtar.
Presidenti Meta vlerësoi gjithashtu rolin e rëndësishëm që Egjipti luan në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, në rajonin e Mesdheut dhe në arenën ndërkombëtare.
Nga ana e tij Kryetari i Parlamentit egjiptian, Dr.Sayed Ahmed, e konsideroi historike vizitën e Presidentit Meta në Egjipt dhe shumë të rëndësishme për të forcuar më tej edhe lidhjet ndërparlamentare mes dy vendeve.
Në takim merrnin pjesë përfaqësues të grupeve parlamentare dhe anëtarë të Grupit të Miqësisë me Shqipërinë, deputetë të Parlamentit të Egjiptit me origjinë shqiptare si dhe Kryetarja e Komisionit të Politikës së Jashtme të Kuvendit të Shqipërisë, zonja Mimi Kodheli.