Snajperë te Xhamia/ Forumi Musliman – Ramës: Mjaft e dhunuat, kjo është sjellje poshtëruese

Hënë, 18 Mars 2019 17:05

Forumi Musliman i Shqipërisë, ka reaguar lidhur me strehimin e Policisë gjatë protestës së opozitës në ambientet e xhamisë së re të Tiranës. Në reagimin e tyre FMSH shprehet se ky veprim është dhunim i objektit të kultit, ndërsa bën thirrje që një gjë e tillë të mos përsëritet më.

Opozita ka zhvilluar ditën e shtunë një protestën para Kryeministrisë që më pas do të zhvendosej edhe para Kuvendit të Shqipërisë, ku edhe do të kishte përplasje mes protestuesve dhe policisë. (Lexo këtu)

Pas kësaj proteste ka reaguar edhe Forumi Musliman i Shqipërisë, i cili shprehet se strehimi dhe jo vetëm i forcave të policisë brenda ambienteve të xhamisë re të Tiranës, është në kundërshtim me ligjin dhe njëherësh është dhunim dhe shkelje e rëndë e parimeve të paprekshmërisë së objekteve të kultit.

Nga ana tjetër në reagimin e FMSH, thuhet: “Forumi Musliman i Shqipërisë i kërkon Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, që t’i kërkojë zyrtarisht Ministrisë së Brendshme, që të mos e përsërisë më këtë sjellje poshtëruese për objektet e kultit, për xhaminë dhe për besimtarët myslimanë.”

Reagimi i plotë i Forumit Musliman të Shqipërisë

Gjatë ditëve të dy protestave të fundit të zhvilluara para godinës së Kuvendit të Shqipërisë, forca të shumta të policisë së shtetit janë futur, strehuar dhe kanë qëndruar në ambientet, në oborrin dhe në rrethimin e Xhamisë së Re që po ndërtohet.
Forumi Musliman i Shqipërisë e konsideron këtë akt, si shkelje të rëndë të parimeve të paprekshmërisë së objekte të kultit, si thyerje të papranueshme të laicitetit dhe si ndërhyrje të dënueshme të policisë së shtetit dhe të vetë shtetit jo thjesht në objekte, që administrohen nga Komuniteti Mysliman dhe janë pronë e patëhuajësueshme e besimtarëve, por si ndërhyrje të drejpërdrejtë në punët e Komunitetit Mysliman dhe në çështjet e fesë.

Objekti i çdo xhamie, si edhe objekti i çdo kishe apo i çdo sinagoge, nuk mund të dhunohet kurrë në një mënyrë kaq brutale nga policia e shtetit dhe nga vetë shteti, duke shkatërruar plotësisht çdo kufi ndarës mes shtetit dhe fesë.

Nuk do të guxonin kurrë në asnjë vend demokratik, që forcat e policisë të përdornin si bazë, apo si vendstrehim, apo si vendfshehje oborrin, bodrumet apo ambientet e tjera të një kishe, një xhamie apo sinagoge. Forumi Musliman i Shqipërisë i bën thirrje qeverisë shqiptare të mos dhunojë objektet e kultit dhe Xhaminë e Re të Tiranës si deri më tani.

Forumi Musliman i Shqipërisë i kërkon Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, që t’i kërkojë zyrtarisht Ministrisë së Brendshme, që të mos e përsërisë më këtë sjellje poshtëruese për objektet e kultit, për xhaminë dhe për besimtarët myslimanë. Ky është një qëndrim i përsëritur të cilin ne e kemi denoncuar edhe më herët pranë të gjithë organeve përkatëse dhe e kemi përcjellur si shqetësim edhe në “Raportin e Islamofobisë 2018”, që ua kemi shpërndarë të gjithë organeve qeverisëse dhe shoqërisë civile e faktorit ndërkombëtar të pranishëm në vend.

Është në themel të vlerave të demokracisë dhe të qytetërimit demokratik, që këto institucione janë të paprekshme, të mbrojtura dhe nuk mund të dhunohen kurrë në këtë mënyrë. Mbetemi shpresë plotë se mediat, shoqëria civile dhe qytetarët shqiptarë do të jenë me ne në këtë qëndrim dhe nuk do të legjitimojnë këtë sjellje të policisë. Mbetemi po ashtu shpresë-plotë, se vetë policia nuk do të përdporë më Xhaminë e re si një vendstrehim apo një vendfshehje duke e dhunuar atë.

Login to post comments