Presidenti i SHBA Donald Trump ka tërhequr në mënyrë përfundimtare emërimin si ambasadore të re në Shqipëri të Kathleen Ann Kavalec, e cila ishte prej muajsh në pritje të konfirmimit.
Kavalec ishte caktuar si pasuese e Donald Lu në Tiranë, por konfirmimi i saj mbeti pezull për shkak të akuzave se ajo kishte komunikuar me ish-agjentin britanik Christopher Steele i cili krijoi Dosjen Trump për bashkëpunimin e kandidatit presidencial me Rusinë, si dhe i ofroi informacione një zyrtari të lartë të Departamentit të Drejtësisë para e pas zgjedhjeve presidenciale më 2016.
Kavalec, zyrtare prej një kohe të gjatë në Departamentin e Shtetit, ishte vartëse e Ndihmës Sekretares së Shtetit, Victoria Nuland.
Ajo ishte edhe përkrahëse e Presidenti Obama dhe e kandidates Demokrate Hillary Clinton, duke dhuruar edhe një donacion të vogël prej 250 dollarësh më 2012 për Obama Victory Fund dhe po aq në 2016 për Clinton.
Departamenti i Shtetit i devijoi në Shtëpinë e Bardhë pyetjet për Kavalec, duke thënë se nuk mund të flisnin për të.
Megjithatë, një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë tha për SaraACarter.com se Presidenti Trump e kishte tërhequr emërimin e saj.
‘Ajo është një zyrtare karriere e shërbimit të jashtëm që u emërua përmes procesit të karrierës. Presidenti e tërhoqi emërimin e saj’, tha zyrtari i Shtëpisë së Bardhë, duke vënë në dukje se ‘nuk ka mbetur pezull në Senat dhe nuk u konfirmua kurrë për postin’.
Megjithatë, siti i Departamentit të Shtetit vazhdon ta shfaqë Kavalec si të emëruar. Vetë Kavalec ishte e paarritshme për komente përmes kërkesës bërë Departamentit të Shtetit.