Ka disa kohë që ish ministri i brendshëm, Saimir Tahir, po jep shenja “lodhjeje” në lidhje me procesin e stërzgjatur ndaj tij, që është spostuar nga Italia, kujtojmë që Prokuroria e Katanias e mbylli çështjen ndaj tij, ndërsa në Shqipëri vijojnë telashet dhe ndërlikimet me Prokurorinë shqiptare.
Nëse është e vërtetë, që në Prokurorinë shqiptare, sot qeveria Rama ka një ndikim të rëndësishëm, natyrshëm, edhe për ata që nuk janë të thelluar në këto çështje, lind pyetja se përse, ndaj Saimir Tahirit ka një pothuajse persekutim të personalizuar, ndërsa ndaj ish ministrave të kapur me presh në dorë, si Damian Gjiknuri dhe drejtorët e tij, nuk ka ende kurrëfarë procedimi dhe ata jetojnë jetën e tyre të qetë.
Mirëpo nisur edhe nga deklarimet e kohëve më të fundit të Saimir Tahirit, duket hapur se atij po i soset durimi dhe se nuk do të rrijë gjatë pa kërkuar të drejtat e tij politike, në Partinë Socialiste dhe në jetën e tij të mohuar publike.
Ky edhe është ankthi i fshehtë i Ramës në lidhje me Saimir Tahirin, që ka rezistuar në mënyrë stoike në lidhje më padrejtësinë relative dhe në raport me të tjerët. Sepse ai, kryeministri dhe të tjerë e dinë, se atij po i soset durimi dhe mund të hapë kutinë e Pandorës…