Bisedoi: Herion Mesi
Pas djegies së mandateve dhe pas refuzimit për t’u regjistruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, opozita i ka hyrë një rruge pa kthim, ku kusht i panegociueshëm për të është largimi i Edi Ramës si e vetmja mundësi për ti hapur rrugë zhvillimit normal të zgjedhjeve jo vetëm vendore por edhe parlamentare. Deklarata vjen nga nënkryetari i Partisë Demokratike Edmond Spaho, i cili në një prononcim për “Koha Jonë” shprehet se aksioni opozitar do vijë veçse në ngritje deri sa Rama të largohet.
“Arrestimet e gjeneral kimikut nuk na trembin. I kemi hyrë një rruge, e cila nuk ka kthim dhe kemi marrë në konsideratë çdo pasojë. Ata që duhet të tremben nga shpërthimi qytetar janë Rama dhe naxhoranca e tij”, deklaron Spaho.
Ndërsa lidhur me platformën për një marrëveshje Kushtetuese që do të diskutohet nesër në Presidencë, në takimin që do të zhvillohet mes aleatëve historikë të PD-së dhe kreut të Shtetit, nënkryetari i PD-së shprehet se kërkesat e partive aleate janë në të njëjtën linjë me marrëveshjen e nënshkruar para një jave, ku përcaktohet se nuk do ketë regjistrim për zgjedhje deri sa të plotësohen kushtet për zgjedhje të lira e të ndershme, midis të cilave dhe e panegociueshme është largimi i Ramës, dhe “që nuk do lejojmë mbajtjen e zgjedhjeve farse, si dhe që do bëjmë shpejt publik dokumentin për detyrat e qeverisë tranzitore”, thotë Spaho.
Ndërsa lidhur me propozimet e partive të vogla për reformën e ardhshme zgjedhore, Edmond Spaho shprehet se këto mendime janë të vlefshme dhe të mirëpritura, ndërsa thekson se edhe PD-ja do bëjë shpejt publike një platformë për zgjedhjet, e cila në thelb do përmbajë detyrat e qeverisë së tranzicionit për zgjedhjet.
PRONONCIMI I NËNKRYETARIT TË PD-SË PËR “KOHA JONË”
Z. Spaho, si e shihni kërkesën e sotme të aleatëve për takimin që pritet të zhvillohet nesër me Presidentin Meta?
Kërkesat e partive aleate janë në të njëjtën linjë me marrëveshjen që kemi nënshkruar para një jave, ku përcaktohet se nuk do ketë regjistrim për zgjedhje deri sa të plotësohen kushtet për zgjedhje të lira e të ndershme, midis të cilave dhe e panegociueshme është largimi i Ramës, që nuk do lejojmë mbajtjen e zgjedhjeve farse, si dhe që do bëjmë shpejt publik dokumentin për detyrat e qeverisë tranzitore.
A janë konsultuar me Ju, dmth me PD-në dhe LSI-së mbi pikat që do bisedohen në këtë takim? Cilat janë pritshmëritë e këtij takimi?
Aleatët kanë bërë publike mendimet e tyre për reformimin e sistemit politik, si dhe kushtet për zgjedhje të lira e të ndershme. Këto mendime janë të vlefshme dhe të mirëpritura. Sikurse kemi theksuar, edhe PD-ja do bëjë shpejt publike një platformë për zgjedhjet, e cila në thelb do përmbajë detyrat e qeverisë së tranzicionit për zgjedhjet.
A ka ndonjë hap konkret apo përpjekje nga aktorët, përfshirë dhe ata ndërkombëtarë për dialog “pas kuintave” që do të mundësojë uljen e palëve në një tryezë?
Në dijeninë time deri tani nuk ka pasur dialog dhe kusht i panegociueshëm për në është largimi i kryeministrit Rama.
Si do vijojë aksioni opozitar, duke qenë se kushdo që i “pret” rrugën Kryeministrit arrestohet?
Aksioni opozitar do vijë veçse në ngritje deri sa Rama të largohet. Arrestimet e gjeneral kimikut nuk na trembin. I kemi hyrë një rruge, e cila nuk ka kthim dhe kemi marrë në konsideratë çdo pasojë. Ata që duhet të tremben nga shpërthimi qytetar janë Rama dhe naxhoranca e tij.