Nga Ilir Nikolla
Pas statistikës së vrasjeve në 4 muajt e parë të 2019-s nuk fshihet veç një përkeqësim i situatës së rendit publik në vend, por para së gjithash një vazhdimësi që funksionon brenda një kreshendoje që s’dihet se ku do të ndalet. 29 të vdekur në vrasje gjatë 4 muajve janë një shifër e frikshme që flet për daljen e situatës së rendit nga kontrolli, por para së gjithash, flet për një falimentim të plotë të tentativave për parandalimin e krimeve ndaj jetës.
Strukturat e shtetit flasin në mënyrë të turpshme për një etapë të larjes së hesapeve mes grupeve kriminale. Bile Edi Rama thotë “kokën hëngshin”, duke inkurajuar hapur një faida mes narkogrupeve.
Veçse e vërteta rrëfen se qeveria s’është kaq dorëjashtë dhe shoqëria s’mund të lihet në dorë të hakmarrjes së narkogrupeve, “dëmet anësore” të të cilave vlerësohet thuajse në 50 % të numrit të viktimave. Nëse Sandër Kimiku i Shqipërisë nuk kthen përgjigje dhe e trajton gjithçka sipas “vijës së partisë”, ekspertët ndërkombëtarë na paralajmërojnë mbi papërgjegjshmërinë në të cilën gjallojmë. Vincenzo Musacchio, President i Osservatorio Antimafia në Rajonin Molise në Itali, në një analizë të rrallë, vë theksin atje ku ne s’guxojmë, tek roli i mafias në numrin e të vrarëve në Shqipëri. “Mbi 200 persona të vrarë janë të lidhur me pistën mafioze, ndonëse vetëm pak raste janë zgjidhur vërtet me dënimin e fajtorëve. Për mbi 80% të vrasjeve nuk ka as të dyshuar” vë alarmin profesori italian i të drejtës penale.
Asnjë i hetuar, asnjë i dyshuar. Një hipotekë e vërtetë për mafian që të vijojë “faida”-n e vet. Prej këtij mesazhi vjen shifra e 29 të vdekurve nga vrasjet në 4 muajt e parë të 2019-s. Po të shtojmë plagosjet, grabitjet me armë dhe krime të tjera më të lehta, marrim me mend se askujt s’i shkon mendja të investojë në ekonominë tonë e gjithkujt i shkojnë nëpërmend mundësitë se si mund të lihet ky vend.
E gjitha ka lidhje në fakt me qeverimin, me qeverinë që thotë se është dorëjashtë (a thua e beson njeri këtë?) dhe prapë me qeverinë që thotë se s’do të bëjë asgjë dhe do ta lërë mafian të lajë hesapet, bashkë me jetët njerëzore që humben e po ashtu edhe me të pafajshmit që zënë 50 % të bilancit vdekjeprurës. Arsyeja pse pjesa më e madhe e vrasësve ende nuk është identifikuar, thotë eksperti Italian, është lidhja midis kriminalitetit të organizuar dhe politikës me struktura të policisë, drejtësisë dhe shërbimet e sigurisë.
Me fjalë të thjeshta, duhet që të trazohet uji qeveritar që thotë se do ta lëmë mafian të lajë hesapet e veta. Duket e ndërlikuar, por është i njëjti mesazh që na vjen edhe nga Gjermania, ku Ramës ju tregua dera, sepse s’i ka trazuar as ujërat e mafias, bile ka bërë gilivili me ujërat e rusofilëve e serbofilëve.
29 vrasjet në Shqipëri kanë lidhje me bllokimin e negociatave dhe me pasivitetin e Edi Ramës. Duhet ndalur larja e hesapeve të mafias dhe për këtë, lëvizja e parë duhet të jetë një lëvizje që lan hesapet me Edi Ramën.