KPK mbi ligjin: Komisionerët shkelin Kushtetutën dhe falsifikojnë pa u ndëshkuar

Tuesday, 21 May 2019 16:28

Kontrollorët nuk u kontrolluan dhe nuk kontrollohen. Komisionerët e institucioneve të vetingut u rekrutuan dhe u emëruan pa transparencë dhe pa kaluar asnjë kontroll të mirëfilltë për profesionalizmin, integritetin dhe aftësitë e tyre për të përmbushur procesin më të rëndësishëm në historinë e drejtësisë shqiptare: kontrollin e figurës së të gjithë trupës magjistrale—proces me pasoja jo vetëm për vendin, por edhe për të drejtat dhe fatet individuale të qindra njerëzve.

Si rezultat, shumica e komisionerëve që morën detyrën të vlerësonin dhe gjykonin të tjerët, nuk kishin gjykuar asnjë herë të vetme në jetën e tyre, e shumica nuk kishte shkelur kurrë në ndonjë sallë gjykate apo zyrë prokurorie. Madje një pjesë nuk kishin qenë kurrë më parë në ndonjë pozitë vendim-marrëse të çfarëdo lloji dhe nivel.

Pasojat e kësaj qasjeje të papërgjegjshme në procesin e vetingut po bëhen të qarta çdo ditë. Tashmë është zbuluar se disa nga komisionerët janë emëruar në shkelje të kritereve kushtetuese e ligjore për përzgjedhjen e tyre, dhe kanë probleme pasurore dhe të integritetit të figurës. Ndërkohë, vetingu është bërë me standarde të dyfishta: rreptësi ekstreme ndaj individëve pa lidhje politike dhe tolerim në kufij antiligjorë për ata që i shërbejnë qeverisë.

Exit.al po sjell një tjetër skandal në punën e KPK-së, që dëshmon se komisionerë të vetingut shkelin Kushtetutën, ligjet, kryejnë vepra penale dhe pastaj as nuk japin llogari dhe as nuk ndëshkohen.

Bëhet fjalë për procesin e kontrollit të figurës të ish Gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese Fatmir Hoxha, i cili ka nxjerrë në pah dy probleme serioze të veprimtarisë së trupave të vetingut: së pari, shkeljen e standardeve profesionale dhe ligjore nga komisionerët e vetingut, duke shkelur të drejtat kushtetuese dhe ligjore të subjekteve të vetingut; së dyti, refuzimin e KPK-së për të mbajtur përgjegjësi pas identifikimit të shkeljeve të këtyre standardeve profesionale dhe ligjore.

Zoti Hoxha u shkarkua nga ana e KPK-së në maj 2018, vendim që u konfirmua më vonë nga nga Kolegji i Apelimit. Rasti i zotit Hoxha është një nga rastet më të shquara të zbatimit të standardit të dyfishtë nga KPK-ja.

Sikurse kemi shkruar më parë, rasti i tij është një nga rastet e shkarkimit për arsye minimale të mosjustifikimit me fatura të një shume të vogël parash të siguruar para shumë vitesh, ndërkohë që e njëjta KPK ka konfirmuar rastet me shkelje shumë herë më të rënda dhe flagrante të të njëjtës natyrë, sikurse është rasti i Donika Prelës apo Xhezair Zaganjorit.

Pas vendimit të përjashtimit, Zoti Hoxha u ankua pranë KPK-së në lidhje me aspekte të caktuara të vendimit. KPK e mori në shqyrtim kërkesën dhe më 25 qershor 2018 e pranoi atë me anë të Vendimit Nr. 18/1.

Por ky vendim, përtej përmbajtjes së tij, ka nxjerrë në pah shkelje të hapura proceduriale, ligjore dhe kushtetuese të komisionerëve që e kanë marrë atë.

Në hyrje të Vendimit 18/1 të KPK-së thuhet se ai është marrë nga një trupë prej tre gjyqtarësh:

“Trupa gjyqësore e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit e përbërë nga tre anëtarë, Xhensila Pine në cilësinë e kryesueses, Valbona Sanxhaktari në cilësinë e anëtares dhe Alma Faskaj, në cilësinë e relatores, mori në gjykim në dhomë këshillimi ankesën e Zotit Hoxha”.

Në fund, vendimi mban emrat e të treja komisionereve të mësipërme, por është firmosur vetëm nga dy prej tyre, Zonjat Sanxhaktari dhe Pine, dhe sekretarja gjyqësore, por jo nga relatorja e çështjes, Zonja Faskaj.

Nisur nga ky fakt, Zoti Hoxha është interesuar dhe ka zbuluar se ndonëse vendimi i referohet një trupe gjykuese ku ka marrë pjesë Zonja Faskaj, ajo në fakt nuk ka qenë e pranishme dhe nuk ka marrë pjesë në shqyrtim. Në të vërtetë, në datën e marrjes së vendimit, Zonja Alma Faska nuk ka qenë në Shqipëri, por në Itali, për arsye shëndetësore.

Këtë të vërtetë Zoti Hoxha e ka mësuar pas kërkesave të përsëritura ndaj organeve të vetingut, kërkesa të cilat janë zvarritur dhe sorrollatur, duke dëshmuar standarde të varfra të punës së organeve të vetingut, por mbi të gjitha mosrespektimin e të drejtave bazike të subjekteve të vetingut.

Pas vonesash shumëjavore dhe sorrollatjesh, Zoti Hoxha ka marrë proces-verbalin e mbledhjes së KPK-së, i cili provon se shqyrtimi i ankesës të Zotit Hoxha në dhomë këshillimi është bërë nga dy komisionerë. Në proces-verbal pohohet qartësisht se “për arsye shëndetësore, komisionere Alma Faskaj, që ka cilësinë e relatores së kësaj trupe, është në pamundësi të jetë prezente në këtë mbledhje”.

Ky fakt është së pari shkelje e rëndë kushtetuese dhe ligjore. Neni C, pika 1, i Aneksit të Kushtetutëspërcakton qartë se “Komisioni i Pavarur i Kualifikimit përbëhet nga katër trupa gjykues të përhershëm me tre anëtarë secili”. E njëjta gjë është detajuar në nenin 14 të ligjit të vetingut—Ligji 84/2016 për Rivlerësimin Kalimtar të Gjyqtarëve—dhe në Rregulloren për Funksionimin e KPK-së.

Rregullorja, gjithashtu, përcakton (neni 15, pika 8) se në rast kur një anëtar i trupi gjykues nuk mund të jetë pjesë e gjykimit dhe seanca nuk mund të shtyhet, duhet që ai të zevëndësohet nga një anëtar tjetër i caktuar me short.

Më tej ligji u vetingut (neni 14, pika 5) përcakton se relatori i çështjes “përgatit dosjen që gjykohet, ndërmerr të gjithë procedurat për të garantuar provat e nevojshme për procesin e vendim-marrjes së trupit, merr të gjitha masat për të hartuar dokumentacionin e nevojshëm deri në përfundim të çështjes dhe propozon marrjen e një vendimi duke dhënë arsyetimin e tij”. Ky ligj, gjithashtu, përcakton (neni 57, pika 1) se “relatori i çështjes arsyeton me shkrim vendimin e komisionit”.

Në rastin në diskutim, KPK-ja ka shkelur hapur Kushtetutën dhe ligjin, duke zhvilluar një “gjykim” me dy anëtarë, pa praninë e komisioneres Alma Faskaj, çfarë nuk është trupë gjyqësore. Shkelja është edhe më e rëndë për faktin se në shqyrtimin e çështjes nuk ka qenë relatorja, e cila ka përgjegjësinë për “prezantimin e çështjes” dhe arsyetimin e vendimit të trupës.

Ky dhunim ligjor është pasuar nga një tjetër shkelje ligjore. Komisioneret Xhensila Pine dhe Valbona Sanxhaktari kanë falsifikuar Vendimin 18/1, duke paraqitur në të të dhëna të rreme—ato kanë pohuar në mënyrë të rreme se trupa gjyqësore ka qenë e plotë, duke përfshirë komisioneren Alma Flaska, që në fakt ndodhej jashtë vendit.

Ky lloj falsifikimi dënohet me burg nga një deri në shtatë vjet, sipas Kodit Penal (neni 186, pika 3):

“Kur falsifikimi bëhet nga personi që ka për detyrë të lëshojë dokumentin, dënohet me burgim nga një vit deri në shtatë vjet.”

Me të konstatuar këto shkelje, Zoti Hoxha i ka kërkuar zyrtarisht KPK-së, me një shkresë të datës 28 shkurt 2019, të nisë hetimin disiplinor, sikurse e kërkon ligji për vetingun (Neni 17/1):

“Në rast se ka të dhëna të mjaftueshme nga burime të besueshme se anëtari i institucionit të rivlerësimit ka kryer një shkelje disiplinore, ndaj tij fillon hetimi disiplinor.”

Në kërkesën e tij Zoti Hoxha ka paraqitur të gjitha provat shkresore që vertetojnë shkeljen ligjore të komisionereve Pine dhe Sanxhakrati—në fakt të gjitha këto dokumente gjenden në vetë dosjen e tij në KPK dhe KPA.

Më datën 11 mars 2019, Kryetarja e KPK-së ka njoftuar Zotin Hoxha se “Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vlerëson se nuk janë përmbushur kriteret për fillimin e një procedimi disiplinor”. Përgjigjja nuk jep asnjë informacion se si KPK-ja kishte arritur në këtë përfundim dhe si ishte marrë vendimi.

Ky vendim i KPK-së është veprim i paligjshëm, që bëhet për të mbrojtur Komisionerët, pasi ligji e bën të detyrueshëm nisjen e hetimit disiplinor për komisionerët. Ligjit i vetingut (neni 16, pika 12) parashikon si shkak për përgjegjësi disiplinore të anëtarit të institucionit të rivlerësimit “parashtrimin e shtrembëruar të fakteve në aktet e nxjerra”.

Pra, ligji ngarkon me përgjegjësi komisionerin kur një provë e dhënë, dëshmi apo rrethanë shtrembërohet në aktin apo vendimin e KPK-së.

Por KPK e ka shpërfillur si Kushtetutën, ashtu edhe ligjin, duke vendosur të mos nisë hetimin disiplinor për komisioneret Pine dhe Sanxhaktari, praktikisht duke i vendosur ato mbi Kushtetutën dhe ligjin.

Me këtë veprim, vetë KPK ka shkelur, gjithashtu, detyrimin kushtetues të saj për transparencë dhe llogaridhënie. Kushtetuta (neni c, pika 2) sanksionon:

“Komisioni dhe Kolegji i Posaçëm i Apelimit ushtrojnë përgjegjësitë e tyre bazuar në parimet e llogaridhënies, integritetit dhe transparencës për krijimin e një sistemi gjyqësor të pavarur dhe profesional të çliruar nga korrupsioni.”

Për institucionin që duhet të garantojë pastërtinë e sistemit të drejtësisë, ky rast është skandal i mirëfilltë dhe një tjetër fakt i kompromentimit të procesit të vetingut.

Modifikuar më Tuesday, 21 May 2019 17:16
Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...